Analize

A duhet të “bëjnë gati valixhet” emigrantët në Itali?

Qeveria e re italaine nuk ka humbur kohë për t'u zotuar se do të mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës duke deportuar qindra mijëra emigrantë, pavarësisht implikimeve financiare, logjistike dhe humanitare të një ndërmarrjeje të tillë. Partia e krahut të djathtë Lega Nord e cila bashkua zyrtarisht për qeverinë me Lëvizjen Pesë Yjet, javën e kaluar, është forca shtytëse e retorikës kundër emigracionit dhe është e vendosur për të dëbuar 500,000 emigrantë të paligjshëm, përshirë këtu edhe qindra qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë pajisur ende me dokumente italiane. Udhëheqësi i Lega Nord, Matteo Salvini, i cili është tani zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Italisë, përsëriti qëllimin e qeverisë për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në një vizitë në Sicili fundjavën e kaluar.

Sicilia ka qenë një nga pikat kryesore të mbërritjes dhe ndalimit të emigrantëve që kalojnë Detin Mesdhe dhe është konsideruar prej kohësh si "kampi i refugjatëve në Evropë. Salvini tha para gazetarëve se e vetmja mënyrë për të zvogëluar numrin e njerëzve që mbërrijnë në Itali është rritja e atyre që deportohen. Vetëm pak ditë më parë, duke folur në një tubim në Italinë veriore, Salvini paralëjmëroi emigrantët e paligjshëm "të bëjnë gati valixhet”, një paralajmërim që ka shqetësuar edhe emigrantët shqiptarë në vend.

A rrezikohen shqiptarët në Itali?

Në Itali jetojnë 460 mijë emigrantë shqiptarë, por vetëm 140 mijë e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë italiane. Duke qënë se pjesa dërrmuese e tyre punojnë në të zezë, ata nuk kanë mundësi të integrohen në jetën sociale italiane, duke iu bashkuarshpesh herë bandavve kriminale shqiptare.  Kjo ka bërë që në burgjet italiane të jënë gati 2 800 shqiptarë, pothuajse njësoj sa rumunët dhe të dytët vetëm pas marokenëve. Por shqiptarët në Itali shoqërohen me burgje vetëm kur janë rezidentë në Itali dhe kur kanë kryer krime të rënda në mënyrë të përsëritur. Në rastet e tjera ata kthehen mbrapsht në Shqipëri me vendimin e përzënies. Dhe në fakt në vitin 2016 u dëbuan nga Italia rreth 5 mijë e 800 shqiptarë.

Shtypi italian shkruan vazhdimisht se në pjesën më të madh, shqiptarët e arrestuar rezultojnë të pranishëm në Itali me vizë turistike dhe se shumicën e rasteve mund të jenë dëbuar disa here. Deri më tani shqiptarët kanë shfrytëëzuar mundësinë të qendrojnë si turistë për 90 ditë, çdo gjashtë muaj, qoftë edhe me një garanci që tregon se ke shtëpi ku të qëndrosh ose të ardhura financiare për të mbajtur veten, gjëra që rregullohen lehtë me një kartë krediti apo me një deklarim nga të afërmit emigrant të rregullt në Itali.

Por qeveria e re italiane ka bërë të qartë së është e gatshme të bëjë gjithçka për të frenuar emigracionin e paligjshëm, sidomos në kushtet  kur shqiptarët kanë fitur një nam prej “trafikantësh dhe kriminelësh” në vendin fqinj.

A do t’i dëbojë Italia 500 mijë emigrantë të paligjshëm?

Në vitin 2017, 119.310 burra, gra dhe fëmijë zbarkuan në Itali nga deti, shifër kjo që përfaqësonte totalin më të ulët të katër viteve te fundit. Por sikur mos të mjaftonin refugjatët nga Afrika dhe Lindja e Mesme, në Itali kanë mbërritur gjithashtu një numër i madh emigrantësh, nga vendet fqinje , që shkojnë në shumicën e rasteve për të punuar në mënyrë të paligjshme. Por a do të mundet të dëbojë Italia 500,000 emigrantë, siç është zotuar?

Misionet e shpëtimit, riatdhesimet dhe vdekjet e të pafajshmëve, kanë përkeqësuar edhe më shumë krizën e refugjatëve në Itali. Të shtunën, 60 emigrantë humbën jetën kur varka me të cilën po lundronin u mbyt në brigjet e Tunizisë, duke shënuar një nga tragjeditë më të këqija gjatë viteve të fundit. Tunizia është bërë një pikë e rëndësishme nisjeje për shumë emigrantë mes kontrolleve më të rrepta për të parandaluar kalimet në anije nga Libia.

Të dielën, Salvini tha se mënyra e vetme për të shmangur vdekjet e të pafajshmëve ishte ndalimi i refugjatëve para se të hipnin nëpër anije. Ai madje bëri një debat diplomatik duke akuzuar Tunizinë për dërgimin e "të dënuarve" në Itali me anije emigrantësh. Salvini tha se do të rriste riatdhesimet e emigrantëve  dhe refugjatëve, pavarësisht implikimeve logjistike dhe financiare,  të një lëvizjeje të tillë.

Por Federico Soda, drejtor i zyrës së koordinimit të IOM-it për Mesdheun, nuk është i të njëjtit mendim. Ai shprehet se në mënyrë që Italia të deportojë me forcë emigrantët e paligjshëm, duhet të arrijë marrëvedhje me një numër të madh vendesh. Sipas tij, çdo vend së pari duhet të pranojë se emigranti ishte nga vendi e tij dhe të pranojë kthimin e tij ose të saj. “Duke qënë se vitin e kaluar, në portet italiane janë regjistruar plot 60 shtetësi të ndryshme, numri i shteteve që Italia do të duhet të hartojë marrëveshje për dëbim me qëllim që të deportojnë 500,000 emigrantë do të ishte i madh”, tha Soda.

Soda shprehet se retorika e Salvinit është një strategji që besohet nga publiku, por, në të vërtetë, të kthesh gjysmë milioni njerëz në vendet e tyre të origjinës do të ishte "e pamendueshme". Numri i emigrantëve të kthyer në shtetet e tyre të origjinës, vitet e fundit ka qenë shumë i ulët, sepse bashkëpunimi me vendet e origjinës nuk është aq i lehtë sa pretendon Salvini.

'Italianët të parët'

Çdo premtim për të çliruar vendin nga refugjatët është popullor për publikun dhe Salvini dhe Luigi Di Maio e kanë më se të qartë këtë strategji. Madje partia Lega Nord ka hyrë në fushatë para zgjedhjeve të 4 marsit me sloganin "Prima gli Italiani"(italianët të parët). Ata e kanë gjithashtu të qartë se do ta kenë publikun në anën e tyre nëse i përmbushin premtimet e bëra gjatë fushatës për shkurtimet e taksave dhe shpenzimet masive të mirëqenies sociale, përveç shpenzimeve të implikuara nga deportimi i migrantëve.

Salvini dhe Di Maio ishin të dy në Sicili këtë të dielë, në disa aktivitete fushate përpara zgjedhjeve komunale, duke kërkuar të fuqizonin edhe më shumë popullaritetin e tyre në sondazhet e opinionit, një popullaritet që është ndërtuar mbi retorikën kundër emigrantëve. Tani që kriza e emigrantëve ka mbetur në dorë të dy politikanëve si Salvini dhe Di Maio, dy euroskeptikët kanë shtënënë dorë një mjet me të cilin mund t’i bëjnë presion Evropës a.Salvini nuk humbsi një mundësi për të vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Italisë në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, duke thënë se ato nuk kishin ndihmuar në zgjidhjen e krizës së emigrantëve në Itali dhe në rajon më të gjerë .

“Dua të theksoj se Italia dërgon çdo vit në Bruksel 6 miliard euro në para cash- tha ai- Unë nuk mund t'i jap këto 6 miliardë euro Brukselit dhe pastaj ta lejoj të na dëmtojnë në frontet e bujqësisë, emigracionit, peshkimit, tregtisë dhe financave. Pse t’u jap 6 miliardë kur e di që nuk do të marr asgjë në këmbim?"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë