Shendet

A duhet ta anashkaloj vaksinën antiCOVID nëse kam antitrupa? Të gjitha përgjigjet që jep sot shkenca për dyshimet e vaksinimit

Një seance maratonë u zhvillua në Itali, duke ndjekur shembullin e asaj që është bërë në Izrael, në përpjekje për t’i dhënë përgjigje dyshimeve lidhur me vaksinën kundër Covid. Në këtë takim morën pjesë kreu i fushatës së vaksinimit kundër Covid, Guido Bertolaso, në Rajonin e Lombardisë si dhe ekspertë të fushës.

Dhe pyetjet drejtuar tyre ishin nga më të ndryshmet.

Corriere Della Sera ka përzgjedhur disa prej tyre, kryesisht pyetjet më të shpeshta.

Nëse kam antitrupa, a mund ta anashkaloj dozën e tretë të vaksinës?

Matja e antitrupave nuk është tregues i imunitetit. Pra, nuk ka kuptim të kërkosh dozën e antitrupave për të bërë dozën e tretë ose jo. I vetmi rast në të cilin merret parasysh është nëse jeni në terapi imunosupresive, pra merrni ilaçe për imunitetin.

Nuk ka asnjë masë antitrupash mbi të cilën ka siguri të mbrojtjes.

Për të dyja dozat kam pasur efekte anësore të vogla: a është e nevojshme të kontrollohem para dozës së tretë?

Temperatura dhe dhimbja e kokës janë efekte anësore të zakonshme. Efekti anësor i vaksinës shfaqet vetëm në ditët në vijim. Sekuenca kohore nuk duhet ngatërruar me marrëdhënien shkak-pasojë. Për miokarditin: ekziston një rrezik shumë i rrallë pas vaksinimit. Në çdo rast është një patologji beninje, e cila zgjidhet me antiinflamatorë. Përkundrazi, Covid shkakton efekte shumë të rënda kardiovaskulare.

Pse vaksina na detyron ta bëjmë vazhdimisht? A nuk do të ishte më mirë të prisnim studime më të thelluara?

Shpresojmë që me dozën e tretë të ketë një rezistencë më të gjatë, por këtë do ta mësojmë me kalimin e kohës. Vaksinat mbrojnë jashtëzakonisht mirë nga sëmundjet e rënda dhe mbrojnë kundër transmetimit të virusit. Nuk ka kuptim të presësh. Le të kujtojmë historinë tonë: kur ishim të sigurt se vaksina e poliomielitit funksionoi, nuk pritëm 10 vjet për ta zhdukur atë; e njëjta gjë për rubeolën. Menjëherë, kur kemi të dhëna të sigurta, eliminojmë rrezikun.

Kjo vaksinë u është dhënë miliarda njerëzve. Është konfirmimi më i madh i sigurisë së tij. Jemi të sigurt për sigurinë, por sa i përket kohës dhe dozës mësojmë pak nga pak…

Kam marrë dy doza Moderna: a ka ndonjë kundërindikacion me Pfizer si dozë të tretë?

Jo. Doza e tretë duhet bërë me vaksinën mARN: Pfizer ose Moderna (në këtë rast gjysmë doze).

A janë vaksinat Covid eksperimentale?

Jo. Mendohet se është studiuar shumë pak, por nuk janë gjetur  rrugë të shkurtra për këto vaksina. Përkundrazi, janë bërë përpjekje të pabesueshme nga shkenca, duke respektuar kohërat dhe fazat.

A mund të modifikohen vaksinat kundër Covid sipas varianteve?

Po. Tashmë është njoftuar se, nëse është e nevojshme, do të ketë një vaksinë të re për mutacionin e ri Omicron në janar ose shkurt.

A duhet të shqetësohemi?

Duket si një variant me aftësi të madhe për t’u përhapur (në Afrikën e Jugut ka zëvendësuar Delta), por ne ende dimë pak për përgjigjet klinike. Lajmi i mirë është se kushdo që ka dy doza të vaksinës zhvillon një formë absolutisht të lehtë të sëmundjes.

Specialisti kryesor i sëmundjeve infektive në Afrikën e Jugut tha se nuk mendon se Omicron do të jetë në gjendje t’i shpëtojë vaksinës.

Në skenarin më të keq mund të kemi një vaksinë të re në janar. Ne kemi gjithçka që na nevojitet për të përballuar ndryshimet. Omicron është edhe një arsye më shumë për të marrë dozën e tretë ose për tu vaksinuar.

A nuk rekomandohet vaksina gjatë ushqyerjes me gji?

Vaksina rekomandohet te gratë shtatzëna, pas muajit të tretë dhe gjatë ushqyerjes me gji

Pse duhet të vaksinohen edhe fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç?

Më duket absurde sot të mbash një popullsi të pavaksinuar që ka kontakte të shumta në shoqëri. Varianti Delta, ndër të tjera, duket se ka një aftësi më të madhe për të infektuar fëmijët, duke shkaktuar patologji të rëndësishme.

Çfarë dimë tani për Covid-in e gjatë tek fëmijët?

Vlerësimi më i besueshëm është i disa simptomave, jo domosdoshmërisht serioze, 15 javë pas përfundimit të sëmundjes akute në një në shtatë fëmijë.

A është e këshillueshme që vaksina e gripit dhe ajo e Covid të merren së bashku?

Po, nëse jo, duhet të presësh dy javë mes të dyjave.

Për fëmijët, nëse është një vaksinë injeksioni, mund ta bëjnë në të njëjtën kohë; me spraj për hundë rekomandohet distanca prej 15 ditësh.

Çfarë Krishtlindjesh do të kemi?

Kam besim se mund t’i kaloj Krishtlindjet me familjen time prej 18 anëtarësh pa probleme falë sjelljes korrekte dhe vaksinimit. Kur hyj në metro në Milano i shoh të gjithë të mbuluar me maskë, nuk mund të them të njëjtën gjë në Londër.

Përshtati në shqip; Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë