Analize

A doli vërtetë Greqia nga kriza?

Nga Aleksandër Marku- 20 gushti shënon zyrtarisht daljen e Greqisë nga periudha tetëvjeçare e ndihmave ekonomike. Tragjedia greko-europiane duket se merr fund pas 2953 ditësh të tmerrshme për një popull, që luajti rolin kryesor nga fillimi e deri në aktin final të saj. Por a ka marrë fund kjo odise e gjatë dhe e mundimshme? A ka mbaruar "udhëtimi drejt Itakës"? A do të munden grekët të udhëheqin vetë me sukses dhe pa ndërhyrjet e "krushqarëve"?

Kur në 23 prill të vitit 2010 nga ishulli Kastelorizo ish kryeministri i atëhershëm Georgios Papandreu që kishte vetëm gjashtë muaj në pushtet, deklaronte se Greqia kërkoi zyrtarisht ndihmën ekonomike të BE-së dhe të FMN-së , askush nuk kishte idenë se çfarë konkretisht po ndodhte. Për tre dhe katër dekada, sidomos pas viteve 80 konservatorët dhe socialistët që i linin vendin njëri tjetrit në udhëheqjen e vendit, merrni hua dhe kredi të tilla, sikur të mos kishte të nesërme.  Por me këtë keqmenaxhim ekonomik dhe nepotizëm, vendi po shkonte drejt falimentimit. Dhe qytetarët po reagonin me mënyrën e tyre, me korrupsionin dhe mashtrimin. Është karakteristike deklarata e Papandreut tek BBC në ato vite, që akuzonte qeverinë paraardhëse se nuk mund të mblidhte 83% të taksave të vendit.

Kryeminisri grek Alexis Tsipras dhe Yanis Varoufakis

Tashmë arsyet se si filloi kriza greke bëhen leksione në shumë fakultete ekonomike. Dobësia që shfaqi ekonomia e vendit u duk para vitit 2000. Ndërsa pagat dhe pensionet rriteshin më shpejt se çdo shtet tjetër i Eurozonës, ndërkohë kosto e punës tejkalonte rritjen e prodhimit. Sikur mos mjaftonte kjo, Greqia duke deklaruar shifra jo krejtësisht reale dhe me pohimin e zyrtarëve europianë, hyn triumfalisht edhe ajo në zonën e euros, ndërsa nuk ishte aspak gati. Si pasojë erdhi rënia e konkurrencës, ndërkohë që kriza u bë e dukshme në vitin 2009 me zbulimin real të defiçitit fiskal, i cili përjashtoi në mënyrë efektive Greqinë nga tregjet. Rruga drejt «ferrit» sapo kishte nisur. Vendi humb 25% të PBB-së në vitet pasardhëse, thua se ishte në luftë.

8 vjet ndihma ekonomike me 3 paketa financiare prej 241,6 mld euro

Në se bëjmë një pasqyrë të shkurtër të këtyre tetë viteve do të shihnim se Greqia ishe saktësisht si ajo anija e Odisesë që shkonte mes Skilës dhe Kardibës. Pasi Eurogrupi informohet se defiçiti fiskal i vendit në vitin 2009 arriti në 12.5% ​​të PBB-së, në 2 maj 2010 ministrat e Eurozonës aprovojnë një kërkesë nga autoritetet greke për të siguruar kredi dypalëshe që arrijnë deri në 80 miliardë euro në mënyrë që  Greqia të plotësojë nevojat e saj financiare. Kësaj shume i shtohet edhe pjesa prej 30 miliardë eurosh e FMN. Si shkëmbim qeveria Papandreu shpall brenda disa muajsh tre paketa masash kursimi, që reduktojnë pagat e pensionet. Fillon dalëngadalë vala e zemërimit popullor.

Disa më muaj më parë Mekanizmi i Stabilitetit Financiar Europian do të japë një kredi shtesë prej 144,7 miliardë euro për të ndihmuar Greqinë të plotësojë nevojat e saj financiare, paketë në të cilën kontribuon dhe FMN.

Protestë në Selanik 

Në fund të vitit 2011 liderët e Eurozonës përfundojnë një marrëveshje me të cilën reduktojnë në masën 50%  bonot e investitorëve privatë që ishin posedues të letrave me vlerë të borxhit grek. I ndodhur përballë presioneve të fuqishme brenda dhe jashtë vendit kryeministri Georgios Papandreu kërkon të zhvillojë një referendum mbi programin e ri të ndihmës financiare, por duke parë se nuk ka më mbështetje, jep dorëheqjen. Në 11 nëntor 2011, Loukas Papadimos, ish-guvernator i Bankës së Greqisë, emërohet në krye të një qeverie teknokratësh, që do i lërë vendin pas disa zgjedhjesh të parakohëshme kryekonservatorit Antonis Samaras në qershor të vitit 2012. Tashmë reformat bëhen më të ashpra, ndërsa revoltat e qytetarëve akoma më të egra.

Ndërsa Berlini pas presionit të Parisit vendos të shmangë të ashtuquajturin Grexit, qeveria Samaras duket e pafuqishme të zbatojë masat e egra shtrënguese. Grekët e lodhur dhe të gjunjëzuar shpresojnë të marrë fund vuajtja e tyre dhe në zgjedhjet e janarit 2015 i japin pushtetin Radikalëve të Majtë të Aleksis Tsipras. Pas një periudhe gjashtëmujore gjatë së cilës Greqia shkoi në buzë të greminës dhe si pasojë qeveria shpalli kontrollet e kapitaleve në banka, në një samit maratonë që zgjati më shumë se 17 orë, liderët e vendeve të Eurozonës, arrijnë marrëveshje në parim mbi një program të ri mbështetje për Greqinë. Tsipras pranoi paketën e tretë të ndihmës prej 86 mld euro, në shkëmbim të vazhdimësisë së reformave. Nga tre paketat në fjalë prej  310,7 mld euro, grekët marrin në këto vite 241,6 mld euro.

Në 23 shtator të atij viti Tsipras fiton përsëri zgjedhjet parlamentare dhe sot tre vjet më vonë deklaron se Greqia më në fund konsiderohet mjaft e sigurtë për të qëndruar në këmbët e veta. Grekët tashmë përcjellin zyrtarët e të ashtuquajturës «trojka», Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Bashkimit Europian.

A ishte i suksesshëm programi i ndihmave për Greqinë?

Po të shohë dikush shifrat pas tetë vitesh krize ,masash të ashpra dhe pesë zgjedhjesh parlamentare me siguri që do ngatërrohet. Sepse si mund të dalë një vend në tregje, kur kërkoi ndihmë financiare në 2010 në momentin që borxhi i tij kolosal shkonte në 129.7% të PBB ose e thënë ndryshe në 299 mld euro, ndërsa tani ky borxh ka shkuar në 343,7 mld euro, ose në 180% të PBB.

Angela Merkel dhe Georgios Samaras

Por logjistika shpesherë nuk thotë të vërtetën. Pamja e sotme tregon një administratë gati dy herë më të vogël. Vlera e masave që kanë marrë qeveritë greke gjatë këtyre viteve ka qënë gati 45 mld euro, prej të cilave 26 mld në taksa dhe 19 mld në shpenzime. Gjithashtu pas shtatë vitesh me një ekonomi që shënonte ritme negative zhvillimi, tashme shifrat janë pozitive. Ka dy vjet që Greqia ka siguruar teprica primare, papunësia ka zbritur në 19,5% nga rreth 28% dhe duke qënë e monitoruar për vitet në vazhdim, do të duhet të sigurojë vazhdimisht ritme pozitive zhvillimi ekonomik.

Kryesorja është fakti që pagesat e saj të borxheve janë shyrë deri në vitin 2060 dhe kjo ka sjell një stabilitet ekonomik.  Në këtë aspekt dalja e Greqisë nga paketat e ndihmave financiare mund të quhet një histori suksesi.

Por a është vërtet një histori suksesi?

Disa herë gjatë këtyre viteve FMN ka pranuar se ka bërë gabime fatale në marrjen e masave shtrënguese për Greqinë. Edhe shumë vende të BE-së kanë pranuar se Athina u përdor si kavie ekperimentale dhe pasojat e ketyre gabimeve i paguan vetëm qytetarët. Mijëra biznese të mbyllura, 40% e pagave dhe pensioneve u reduktuan pasi shifrat sipas udhëzimeve të Berlinit dhe Uashingtonit nuk dilnin. Kështu shpjegohet edhe dhënia e tre paketave, pasi masat e shtrëngimit u provuan se ishin të gabuara dhe në vend që të sillin zhvillim, tkurrnin më tepër ekonominë dhe fuqinë blerëse të kosnumatorëve.

Flamurët e BE-së dhe Greqisë, Athinë

E vetmja mënyrë për të korrigjuar politikat e keqmenaxhuara që janë zbatuar në vend për shumë vite, thotë kreu i Mekanizmit të Stabilitetit Financiar Europian Klaus Regling, ishin reforma të dhimbshme strukturore, duke përfshirë uljen e pagave dhe pensioneve, plus reduktimin e sektorit publik.

Shpëtuan vetëm bankat , por pasojat tek qytetarët që bënë kaq sakrifica, do të jenë afatgjata. Dhe padyshim që këtu shtohen edhe paaftësitë e qeverive Papandreu e Samaras për të zbatuar reformat, pasi shteti klientelist ka dekada që ka zënë rrënjë në vend. Për më tepër dhe peripecia e ministri grek të Finacave në qeverinë Tsipras, Janis Varoufakis që donte të eksperimentonte duke shpërfillur gjithë ministrat e Eurozonës, pa dyshim që la pas vulën e vet të zezë.

E vërteta është se shumica e liderëve europianë e paraqesin daljen e sotme të Greqisë si një sukses.  Madje edhe konservatorët europianë ,armiq të qeverisë Tsipras, pranojnë se lideri grek provoi se është një reformator i devotshëm dhe se mund të mbështesë edhe objektivat afatgjata të BE-së për Greqinë. "Për fat nuk u vërtetuan profecitë e disa profetëve të katastrofës dhe përfundimi i programit grek është i sukseshëm–deklaroi pak orë më parë ministri i ri i Financave të Gjermanisë Olaf Scholz- Është pozitive që Greqia po del nga programi", ka theksuar edhe kryetari i Partisë Popullore Europiane, Manfred Weber.

Dhimitri Papandreu

Sa i përket reformave Greqia shiti prona shtetërore (me një çmim më të ulët se vlera e tyre), kreu ndryshime në tregun e energjisë elektrike dhe ndryshoi rregullat e biznesit nga avokatët e deri tek bizneset më të vogla. Kriza solli reduktim e ndjeshëm të kostos së punës, sidomos pas ndryshimeve në kontratat kolektive  të punës dhe reduktimit të pagës bazë. Por shkurtimet e pagave, së bashku me rritjen e taksave dhe humbjet e vendeve të punës, kanë qenë një faktor kryesor në rënien e standardeve të jetesës së qytetarëve.

Shpresa e grekëve dhe duket se kjo është edhe lëvizja e radhës së kryeministrit Tsipras, është të shfuqizohen disa nga reformat e punës pas përfundimit të programit dhe të rritet paga minimale. Vetëm kështu qytetarët, ata që provuan deri në palcë thikën e mprehtë të krizës, do të mund të kuptojnë se ajo tashmë ka mbaruar dhe se vendi ka dalë më në fund nga programet e kreditorëve të huaj.

Athina

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë