Kërkesa për zgjatjen kozmetike të këmbëve, e njohur gjithashtu si zgjatja e shtatit, është në rritje në botë, veçanërisht tek të rinjtë. Falë përparimeve teknologjike dhe ndryshimit të qëndrimeve ndaj procedurave kozmetike, klinikat në të gjithë botën po konkurrojnë për pacientët. Megjithatë, ka gjithashtu shqetësime të mëdha për këtë industri në rritje. Çfarë do të thotë për një shoqëri që njerëzit potencialisht të bullizuar po rreshtohen për një operacion të madh? Dhe çfarë i motivon kirurgët që e ofrojnë atë?
“Ajo që e nxit atë, fatkeqësisht, janë paratë”, thotë Dror Paley, një kirurg ortopedik në Florida dhe një nga specialistët më me përvojë në botë për zgjatjen e gjymtyrëve. Ai tani merr pafund pyetje nga pacientë të rinj çdo ditë, nga një në ditë që mund të merrte pesë vite më parë.
“Për herë të parë, kirurgët ortopedë kanë marrë përsipër të bëjnë operacione të tilla por Paley thotë se kjo vetëm po e përkeqëson situatën.
“Në fakt, pacientët po bëhen pre e mashtrimeve dhe po vijnë tek unë me komplikime të tmerrshme”, thotë ai.
Ai shpjegon se operacioni është një sukses i jashtëzakonshëm i inxhinierisë mjekësore, dhe jo diçka që mund ta bëjë çdo kirurg.
Teknikat dhe pajisjet ndryshojnë. Paley përdor shufra të ngjashme me gozhdët për të stabilizuar frakturat e rënda. Pasi ai fut shufrën në palcë, ai qëllimisht thyen kockën e këmbës.

Zgjatimi fillon pas operacionit. Një pajisje e vogël krijon një fushë magnetike që aktivizon një mekanizëm teleskopik që bën që çdo ditë shufra të largojë dy pjesët e kockave me nga një milimetër.
Kështu trupi krijon inde të reja kockore për të plotësuar hapësirën që krijohet.
Ky proces zgjatjeje zgjat disa javë dhe përfshin një periudhë të vështirë për klientët të cilët duhet të rrinë pa lëvizur për një kohë të gjatë dhe më pas duhet të lëvizin me karrige me rrota. Gjithashtu duhet të bëjnë muaj fizioterapi për të ndihmuar muskujt që të përshtaten.
Pasi zgjatja të përfundojë, shufra mund të hiqet.
Pacientët zakonisht zgjasin të dy femuret deri në 8 cm. Dhimbja nuk vjen nga operacioni por nga ajo që vjen më pas. Pacientët gjithashtu mund të zgjasin edhe tibian, kockën e pjesës së poshtme të këmbës, deri në 5 cm.
Paley, i cili operon pacientë në Mbretërinë e Bashkuar, merr 95,500 dollarë për të dy femuret dhe deri në 275,000 dollarë për një paketë dyvjeçare që zgjat të katër kockat e këmbëve për një rritje lartësie deri në 16 cm. Një pjesë e vogël e kirurgëve në Mbretërinë e Bashkuar ofrojnë procedura për zgjatjen e këmbëve, me një çmim midis 50,000 dhe 70,000 paund për të dy femuret. Çmimet mund të bien deri në 25,000 euro, në varësi të pajisjes së përdorur në vendet që njihen për “turizmin kozmetik” si Turqia dhe India.
Ajo që shqetëson Paley nuk është konkurrenca në rritje ndërkombëtare, por fakti që ortopedët po e reklamojnë veten gjithnjë e më shumë si specialistë pa përvojën, mjetet apo ndërgjegjësimin e duhur për komplikimet. Këto mund të përfshijnë infeksione, mpiksje gjaku, zhvendosje të kyçeve dhe një gjendje ndonjëherë fatale në të cilën dhjami i nxjerrë nga shufra përfundon në mushkëri.
Ai thekson se Kina e shpalli të jashtëligjshme zgjatjen e shtatit në vitin 2006 pas një numri të raportuar operacionesh të dështuara.
Hamish Simpson, kirurg dhe profesor i ortopedisë dhe traumës në Universitetin e Edinburgut, nuk ofron zgjatje kozmetike, por gjithnjë e më shumë merr pyetje nga meshkujt më të shkurtër.
“Pothuajse gjithmonë përpiqem t’i largoj ata nga kjo ide” thotë ai. Ai thotë se, edhe në duart më të mira, rreziku i komplikimeve është shumë i madh.

Zgjatja e gjymtyrëve nuk ishte menduar kurrë si një rregullim kozmetik më parë. Teknikat moderne u shfaqën në fillim të viteve 1950 kur një mjek sovjetik i quajtur Gavriil Ilizarov shpiku një sistem fiksues të jashtëm për ushtarët e lënduar. Ilizarov arriti famë në vitin 1967 pasi trajtoi kampionin sovjetik të kërcimit së larti Valeriy Brumel, por ai përsëri nuk arriti të njihej sa duhej derisa një kirurg italian zbuloi punën e tij.
Në vitin 1983, Paley, i cili atëherë ishte një mjek i ri ambicioz në vendlindjen e tij, Kanada, dëgjoi për metodën.
“Kjo ishte një fushë e re ortopedike që po injorohej”, thotë ai. Ai studioi teknikën në Itali dhe Rusi, dhe filloi të praktikojë në Kanada në 1987, duke u zhvendosur më vonë në SHBA. Aparati, i cili u përdor për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1989, ishte i shëmtuar dhe i dhimbshëm. Por gjithsesi pacientët që dëmtonin kockat nga aksidentet apo infeksionet mund ti rifitonin ato falë metodës.
Por interes filluan të tregojnë edhe personat që kishin pasiguri.
“Pacienti im i parë kozmetik ishte në vitin 1988”, thotë Paley.
“Tregu ka ekzistuar gjithmonë por ka qenë i vogël”.
Paley, i cili vlerëson transformimin që pacientët e tij raportojnë, kreu rreth 10 zgjatje të shtatit në vit për dy dekadat në vijim. Shufrat e para teleskopike erdhën në vitet 1990.
Ndryshimi i madh erdhi në vitin 2011 me nxjerrjen e shufrës magnetike Precice.
Paley thotë se kërkesat për zgjatjen e shtatit kanë shkuar nga një në muaj në 2013 në 40 në muaj në 2017 dhe 200 në muaj sot. Tani ai kryen 100 procedura estetike në vit dhe 84% e pacientëve të tij janë meshkuj.
Ndërsa kirurgët e tregtojnë veten përmes mediave sociale dhe rezultateve të kërkimit në Google, njerëzit më të shkurtër po zbulojnë një botë të re të guximshme dhe një fushë të minuar.
Ndërsa askush nuk e numëron numrin total të procedurave të kryera në mbarë botën, Paley vlerëson se është në mijëra çdo vit dhe po rritet me shpejtësi. Ai thotë se meshkujt përbëjnë 95% të rasteve.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.