Analize

A do t’i hapë BE-ja negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë në 2019-ën?

Bashkimi Europian vendosi ditën e djeshme hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, në qershorin  vitit të ardhshëm, në rast se plotësohen disa kushte.

"Shtetet anëtare vendosën hapjen e negociatave të pranimit me ish republikën jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019," njoftoi presidenca e tanishme bullgare e BE në Twitter. Ministri austriak i çështjeve të BE-së, Gernot Bluemel tha se i kishte kërkuar Komisionit Evropian, të përgatiste bazat për hapjen e bisedimeve të pranimit "por se më parë do të duhet të plotësoheshin disa kushte". Negociatat mund të fillojnë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm nëse dyja vendet kandidate vazhdojnë të bëjnë përparime në reformat e kërkuara nga BE-ja, veçanërisht Shqipëria, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimi për të caktuar një datë për fillimin e bisedimeve u mor nga ministrat e çështjeve evropiane, gjatë një takimi në Luksemburg, pavarësisht rezervave të shprehura nga Franca dhe Hollanda. Sipas burimeve në qarqet e BE-së, marrëveshja për hapjen e bisedimeve u negociua nga ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselbor. Një tjetër burim diplomatik tha marrëveshja e kohëve të fundit midis Athinës dhe Shkupit për të zgjidhur debatet për emrin, ndihmoi në bindjen e disa nga shtetevve anëtare për të aprovuar negociatatat. Megjithatë, ndryshimi i emrit duhet të miratohet zyrtarisht në një referendum në Maqedoni, por nësë refuzohet nga votuesit maqedonas do të nënkuptonte anulimin e  ftesës për t'u bashkuar me NATO-n dhe anulimin e negociatave me BE-në.  I pyetur për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Michael Roth, Ministri gjerman për Europën, u shpreh se stabiliteti, paqja dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol vendimtar për të gjithë BE-në.

Jean-Claude Juncker, Edi Rama

“Për këtë arsye vlerësoj shumë përpjekjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjermania është e gatshme të mbështesë Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së. Ne jemi të gatshëm t’i japim dritën jeshile dhe inkurajojmë miqtë tanë në Holandë dhe në Francë të bashkohen me ne”, u shpreh Roth.

Megjithatë ai ndaloi pak, kur u pyet për anëtarësimin e Shqipërinë, e cila sipas tij do të vije pas përmbushjes së disa kushteve shtesë që duhet të shqyrtohen nga Komisioni dhe Këshilli Europian. “Pastaj do të na duhet një vendim unanim për hapjen e kapitujve, por sot për sot mund të japim dritën jeshile për diskutimet e pranimit të Shqipërinë dhe Maqedonisë- deklaroi ai- Unë nuk dua të spekuloj për datat e mëtejshme. Pavarësisht shqetësimeve që mund të ngremë sot, është e qartë se Shqipëria ka përmbushur disa parakushte për hapjen e kapitujve për negociatat. Kjo mund të jetë një mënyrë pragmatike për të kapërcyer mosmarrëveshjen brenda Këshillit.”

Megjithatë, Franca dhe Holanda në vijën kryesore të fronit dhe Danimarka e cila duket se qendron e “heshtur” pas tyre, kanë deklaruar se janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe mund të kërkojnë kushte të mëtejshme, si reformat për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri dhe Maqedoni.  Pasi Maqedonia dhe Greqia zgjidhën mosmarrëveshjen e vjetër rreth emrit, hapja e bisedimeve do të shënonte hapin e parë të bllokut europian në rrugën e zgjerimit të unionit dhe integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas viteve të tëra neglizhimi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha nga ana tjetër se aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka gjasa të miratojë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë në një samit historik në korrik.

Roth

"Unë pres dhe shpresoj që krerët e shteteve dhe qeverive europiane të mund të bien dakord për të filluar bisedimet e pranimit", tha Stoltenberg ndërkohë që arriti në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Franca kundër!

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në një fjalim të ashpër në Parlamentin Evropian në prill të këtij viti se ai nuk mund të mbështeste zgjerimin e BE pa ndërmarrë më parë reforma të brendshme në Bashkimin Europian. Diplomatët francezë theksuan ditën e djeshme se pozita franceze nuk ka ndryshuar, duke theksuar ndër të tjera edhe shqetësimet e emigracionit. Franca dhe Holanda dërguan një letër në muajin maj duke thënë se mungesa e reformave gjyqësore, korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar ishin arsyet përse Shqipëria dhe Maqedonia nuk ishin gati për bisedimet e anëtarësimit në BE.

"Franca dhe Holanda mendojnë se kushtet për hapjen e negociatave nuk janë plotësuar ende", tha një diplomat i BE-së. Sipas tij, shqetësimi më i thellë i Macron ishte se hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë do të nxiste një reagim të fortë nga ana e politikanëve të ekstremit të djathtë të cilët po korrin mjaft mbështetje me premtimet populiste për të ndaluar emigracionin në të gjithë BE-në.

"Macron mendon se hapja e negociatave me Tiranën do të “rizgjojë” partitë e djatha për shkak të reputacionit të krimit të organizuar në Shqipëri. Ai nuk dëshiron ta ndërmarrë këtë hap para zgjedhjeve evropiane vitin e ardhshëm", tha një zyrtar i BE i cili kërkoi të mos identifikohej.

Po Gjermania?

Shefi ekzekutiv i BE-së, Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar se Ballkani mund të përballet me mundësinë e shpërthimit të gjendjes së luftës, duke vrarë kështu çdo shpresë për t'u bashkuar me bllokun europian. Paralajmërimi i kreut të Komisionit Europian erdhi pasi ai vizitoi Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë në mars të këtij viti. Të gjashta vendet janë konsideruar tashmë si anëtarë të ardhshëm.

Largimi i menjëhershëm i Britanisë nga BE-ja dhe përpjekja e dështuar e Turqisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian e shtyu Komisionin të propozojë një intensifikim të bisedimeve të pranimit me Ballkanin Perëndimor, edhe nëse kandidatët që kanë avancuar më shumë me negociatat e anëtarësimit, si Serbia dhe Mali i Zi, nuk kanë gjasa të bashkohen para vitit 2025. Ndërkohë që Gjermania adreson shqetësimet franceze në lidhje me fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kancelarja Angela Merkel ka vendosur të mbështesë zgjerimin e Bashkimit Europian për arsye gjeopolitike dhe për të ndaluar rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

"Franca duhet të shohë dimensionin strategjik të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE - tha një burim i qeverisë gjermane për “Reuters”- Ne argumentojmë se hapja e bisedimeve të anëtarësimit nuk nënkuptojnë mbylljen e negociatave të pranimit".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë