Analize

A do të vendosin ‘Babagjyshët’ nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë?

Nga Gazeta ‘Si’- Ndonjëherë karikaturistët janë vëzhguesit më të mprehtë të realitetit.

Pak para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që mbahen këtë të diel, karikaturisti i njohur Jeton Mikullovci vizatoi një aeroplan, një anije, një autobus udhëtimi dhe një makinë me targën “Diaspora”. Në timonin e secilit mjet ndodhet një Babagjysh i Vitit të Ri.

Është fundi i dhjetorit dhe qytetet e fshatrat e Kosovës po ringjallen. Tani është koha e kthimeve në atdhe: e njerëzve që janë sistemuar në Zvicër, Gjermani, Austri apo gjetkë në Evropën Perëndimore.

Në shtëpi ata nuk quhen pa arsye “Babagjyshë të Vitit të Ri”: diaspora jo vetëm që mbështet familjarët, por mban gjallë edhe ekonominë e vendit. Vitin e kaluar, nga diaspora drejt Kosovës u dërguan 1.32 miliardë euro – që përbëjnë 12.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

19 mijë votues në Zvicër

Diaspora ka ndikim edhe politik – aq sa mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve. Rreth 80 mijë kosovarë me banim jashtë vendit janë regjistruar për zgjedhjet parlamentare, prej tyre gati 19 mijë në Zvicër. Ata votojnë me postë ose në përfaqësitë diplomatike. Shumë të tjerë do ta hedhin votën në Kosovë, pasi festat i kalojnë në atdhe.

Sipas mediave lokale, që nga mesi i dhjetorit gati 400 mijë njerëz kanë hyrë në Kosovë. Vetëm nga Zvicra, të premten pritej të uleshin nëntëmbëdhjetë avionë në aeroportin e Prishtinës. Sipas Bankës Botërore, më shumë se 700 mijë njerëz me prejardhje kosovare jetojnë jashtë vendit. Në vetë Kosovën jetojnë rreth 1.6 milionë banorë.

Fushatë zgjedhore edhe në Zyrih dhe Grenchen

Fushata zgjedhore prej kohësh po zhvillohet edhe jashtë vendit. Në mesin e dhjetorit, kryeministri Albin Kurti nga lëvizja e majtë Vetëvendosje kërkoi vota në Zyrih dhe i vlerësoi anëtarët e diasporës si “heronj të heshtur”. Por edhe rivalët po mobilizohen: në Grenchen u mblodhën simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo forcë politike, sot e treta për nga fuqia, udhëhoqi në vitet 1990 rezistencën paqësore kundër shtypjes serbe.

Jo të gjithë janë të kënaqur me rolin e diasporës në politikën kosovare. Disa gazetarë sensacionalistë në Prishtinë kanë kërkuar madje t’u hiqet e drejta e votës kosovarëve jashtë vendit. Kjo është megjithatë jorealiste: sipas Kushtetutës, çdo qytetar dhe qytetare e vendit mbi moshën 18 vjeç ka të drejtë vote.

Kritikët e akuzojnë Vetëvendosjen se po e instrumentalizon diasporën. Premtimi i Kurtit për të qeverisur me “duar të pastra” gjen jehonë te të mërguarit: duke jetuar në shtete me sundim funksional të ligjit, ata reagojnë veçanërisht ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe nepotizmit në atdhe.

Një ngërç dhjetëmujorsh

Bilanci i Kurtit që nga fitorja e tij e bujshme në zgjedhjet e vitit 2021 është zhgënjyes. Edhe pse arriti të frenojë korrupsionin sistemik të partive të vjetra të rrënjosur që nga fundi i luftës më 1999, ai u rrethua me ministra të papërvojë, disa edhe të paaftë. Reformat e rëndësishme dhe projektet infrastrukturore mbetën pezull. Ai nuk e shfrytëzoi shumicën absolute për të forcuar kohezionin e brendshëm të vendit. Përkundrazi, opozitës iu qas me përçmim dhe humbi mundësinë për të ndërtuar ura politike.

Zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele janë tashmë të dytat këtë vit. Në fillim të shkurtit, Vetëvendosje doli partia më e madhe, por nuk arriti shumicën absolute. Pasoi një ngërç dhjetëmujorsh, gjatë të cilit Kurti nuk gjeti partner koalicioni. Me partitë që dolën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kryeministri nuk pranoi të bashkëqeverisë – ai i konsideron ato përgjegjëse për korrupsionin endemik në vend.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzoi bashkëpunimin me Kurtin, duke e akuzuar për populizëm dhe për përkeqësim të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë. Arsyeja qëndron te veprimet e njëanshme të Kurtit: ai shpesh merrte vendime pa u konsultuar më parë me SHBA-në dhe BE-në, çka solli tensione diplomatike.

Një mbret i nëntokës mbetet i paprekur

Në thelb, bëhet fjalë për përpjekjen e qeverisë për ta vënë veriun e Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë, nën kontrollin shtetëror. Ky rajon ishte për vite me radhë i drejtuar nga Beogradi përmes partisë Lista Serbe dhe aktorëve të krimit të organizuar.

Situata u përshkallëzua në fund të vitit 2022, kur qeveria qendrore në Prishtinë kërkoi që automjetet në veri të pajiseshin me targa kosovare. Me urdhër nga Beogradi, policët e pakicës serbe dhanë dorëheqjen dhe kthyen uniformat; edhe gjyqtarët dhe kryetarët e komunave braktisën postet e tyre në shenjë proteste. Një vit më vonë, zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, organizoi një sulm terrorist në veri të Kosovës, ku u vra një polic. Radoiçiç, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit autokrat serb Aleksandar Vuçiç, u arratis në Serbi bashkë me dhjetëra persona të armatosur. Atje jeton ende sot – i paprekur nga drejtësia serbe.

Diplomatët perëndimorë kërkojnë dialog

Në tetor, serbët i dhanë fund bojkotit dhe morën pjesë në zgjedhjet lokale. Kandidatët e Listës Serbe fituan në nëntë komuna, përfshirë katër në veri të vendit.

Marrja e pushtetit kaloi paqësisht – gjë që u vlerësua nga Brukseli dhe Uashingtoni. Si reagim, BE-ja hoqi disa sanksione ndaj Kosovës, siç ishte ngrirja e fondeve të zhvillimit.

Pavarësisht këtij lehtësimi, diplomatët perëndimorë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me kursin e ashpër dhe pa kompromis të Kurtit në veri. Edhe zëra nga shoqëria civile në Prishtinë kërkojnë që ai të intensifikojë dialogun me pakicën serbe.

Por një nismë e tillë shpesh është e pamundur: çdo serb që bashkëpunon me institucionet kosovare shpallet tradhtar nga Beogradi dhe vihet nën presion.// Tages Anzeiger


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë