Analize

A do të sigurojë vërtetë plani i Trumpit një paqe të plotë në Lindjen e Mesme?

Nga Gazeta ‘Si’- Hapat e parë të planit të paqes për Gazën kanë filluar të zbatohen.

Tashmë, të dyja palët kanë rënë dakord për kushtet: Hamasi duhet të lirojë të gjithë pengjet, ndërsa Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) do të tërhiqen në një vijë të caktuar brenda Rripit të Gazës.

Shpresat janë të mëdha, sidomos mes njerëzve në Gaza dhe Izrael, pas dy vitesh konflikti brutal.

Disa analistë besojnë se palët janë më afër se kurrë për t’i dhënë fund armiqësive, dhe se plani 20-pikësh i paqes, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të shërbejë si një udhërrëfyes efektiv.

Megjithatë, e vërteta është se situata i ngjan shumë përpjekjeve të mëparshme.

Edhe pse Hamasi dhe Izraeli kanë pranuar një plan paqeje “në parim”, aktualisht jemi më afër një armëpushimi të përkohshëm sesa një marrëveshjeje të plotë paqeje.

Plani, për momentin, është i mangët në detaje — dhe shpesh “djalli fshihet në detaje”.

Ende nuk është e qartë nëse IDF do të tërhiqet plotësisht nga Gaza, kush do të marrë përgjegjësinë për qeverisjen e territorit dhe nëse Hamasi do të ketë ndonjë rol në këtë proces. Për këto çështje ka pasur mospajtime edhe përpara ndalimit të luftimeve.

Nëse hapat fillestarë të armëpushimit zbatohen, pyetja e madhe mbetet: çfarë ndodh më pas? Dhe çfarë do të duhej që plani i paqes të kishte sukses?

Kushtet për suksesin e planit të paqes

-Presioni politik për të shmangur rifillimin e luftës duhet të vazhdojë.
Pas lirimit të pengjeve — që pritet të përfundojë brenda pak ditësh — Hamasi humbet çdo ndikim për negociata të ardhshme nëse luftimet rifillojnë. Nga ana tjetër, qeveria izraelite duhet ta shohë përfundimin e luftës si një interes strategjik afatgjatë, jo si një lëshim politik.

-Hamasi do të duhet të heqë dorë nga armët dhe nga çdo pushtet politik në Gaza.
Deri më tani, Hamasi ka pranuar ta bëjë këtë vetëm nëse krijohet një shtet palestinez sovran. Por grupet në Gaza kanë kundërshtuar çdo “kujdestari të huaj”, duke këmbëngulur që qeverisja të vijë “drejtpërdrejt nga populli palestinez”.

-Qeverisja e përkohshme duhet të pasqyrojë nevojat lokale.
“Trupi i paqes”, i propozuar nga Trump dhe Tony Blair, mund të rrezikojë të përsërisë gabimet e së kaluarës duke përjashtuar vetë palestinezët nga procesi.

Çështja humanitare dhe bllokada e Gazës

Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është rifillimi i ndihmave humanitare. Megjithatë, e ardhmja e bllokadës së Gazës, që zgjat prej vitit 2007, mbetet e paqartë. Bllokada e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti kufizon rëndë importet, daljen e qytetarëve dhe furnizimet bazë.

Përpara tetorit 2023, papunësia në Gaza ishte 46%, dhe mbi 60% e popullsisë varej nga ndihmat ushqimore. Nëse bllokada mbetet në fuqi, edhe pas armëpushimit, do të rikrijohen të njëjtat kushte humanitare të rënda që ekzistonin para 7 tetorit.

Për një paqe të qëndrueshme, politikat e sigurisë duhet të respektojnë parimet humanitare dhe ligjin ndërkombëtar.

Çdo zgjidhje për Gazën duhet të lidhet drejtpërdrejt me paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve në tërësi.

Izolimi i konfliktit të Gazës nga çështja më e gjerë e vetëvendosjes palestineze do të ishte një gabim.
Diskutimet për shtetësinë palestineze në Gaza dhe në Bregun Perëndimor duhet të jenë thelbësore në çdo plan paqeje.

Edhe pse plani 20-pikësh flet për “një rrugë të besueshme drejt shtetësisë palestineze”, historia tregon se shpesh këto premtime mbeten në nivel retorik.

Çështje të tilla si vendbanimet izraelite, statusi i Jerusalemit dhe demilitarizimi mbeten pengesa të mëdha.

Një hap i rëndësishëm do të ishte që SHBA të mos përdorte më veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër njohjes së shtetit palestinez — një qëndrim që e ka penguar për vite me radhë.

Sot, situata është më e ndërlikuar se kurrë — por gjithsesi ekziston një mundësi për paqe. Dhe kjo mundësi nuk duhet humbur.

Burimi: The Conversation/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë