Lojëra me Dore

A do të përsëritet finalja e madhe e 2008?

John McEnroi, një prej tenistëve të cilësuar si ndër më të mëdhenjtë e këtij sporti, e përshkroi finalen e Wimbledon mes Rafael Nadal dhe Roger Federer në 2008 si përplasja më e madhe në historinë e tenisit. 10 vite më vonë, dueli dhe rivaliteti mes spanjollit dhe zviceranit mbetet i tillë.

Finalja e 2008, e luajtur për rreth 7 orë, për shkak edhe të ndërprerjeve të vogla që shkaktoi moti i keq dhe reshjet e shiut, përfundoi në favor të atëherë 22-vjeçarit Nadal. Spanjolli shkurorëzoi zviceranin duke fituar 3-2 me sete.

Roger Federer dhe Rafael Nadal pozojnë para finales së madhe

Ishte finalja e tretë radhazi mes dy tenistëve, që në total kanë 37 tituj Grand Slam. Që prej asaj kohe, ata nuk janë takuar më bashkë në një finale të Wimbledon, por në turneun e këtij viti, që nis më 2 korrik do të shkojnë si pretendentë, përkatësisht me Nadal të renditur në krye të listës së ATP-së dhe Federer si i dyti.

Të gjithë shpresojnë në një rikthim të finales së 2008, megjithëse shpresat që ato emocione të rikthehen edhe një herë janë të pakta. Por çfarë e bën këtë finale të quhet finalja më e madhe që ka parë ndonjëherë bota e tenisit?

“Nadal ishte përmirësuar, por Federer mbetej ende Mbreti”

Më 6 korrik të 2008, ditën e ndeshjes, Federer ishte thuajse 27 vjeç dhe kishte plot 231 javë rresht që ishte numri një në botë. Një muaj para Wimbledon, Nadal ishte pranë marrjes së numrit 1, pasi e shkatërroi Federer në finalen e Roland Garros me rezultatin e pastër 3-0, duke e fituar për të katërtën herë me radhë këtë titull. Wimbledon ishte një mundësi e artë për Federer për t’u hakmarrë, por a do t’ja dilte dot mbanë?

Në finalen e 2006 të Wimbledon, Federer kishte mposhtur Nadal në katër sete dhe 12 muaj më vonë në pesë të tillë. Në 2008, në përballjen mes tyre nuk ishte thjesht një trofe, ishte vetë historia. Nadal në përpjekje për t’u bërë i pari tenist që fiton Wimbledon dhe French Open njëri pas tjetrit, që prej kohës së Bjorn Borg në vitin 1980, ndërsa Federer për të barazuar po rekordin e Borg duke fituar gjashtë herë radhazi këtë titull.

Ishte edhe finalja e fundit që u luajt në Centre Court të Londrës pa çati, ndaj vështirë se në të ardhmen do të ndodhë të përsëriten ndërprerjet për shkak të motit të keq.

Federer shërben në setin e 3-të, kur u rikthye në lojë,. Nadal udhëhiqte 2-0 deri në atë moment

“Të gjithë prisnin me padurim për të mësuar nëse kjo do të ishte dita e madhe e Federer në Wimbledon, apo mbretërimit të tij po i vinte fundit. Nadal ishte përmirësuar ndjeshëm, por sërish Federer ishte mbreti. Ishte një finale e mrekullueshme”, thotë Jonathan Overend, korrespondent i BBC për tenisin nga viti 2003 deri në 2013.

Federer i njihte mirë cilësitë e kundërshtarit dhe megjithëse konsiderohej mbreti i tenisit vetë nuk ishte i entuziazmuar.

“Problemi im ishte se një muaj më parë Rada më kishte shkatërruar në finalen e French Open dhe kur hyra në Wimbledon mendova që kjo do të ishte e vështirë. M’u deshën dy sete që të merrja veten dhe të luftoja. Mendova që nëse Rafa kërkon fitoren, do t’i duhet që të djersisë për këtë dhe jo pak”, rrëfej vite më vonë për një dokumentar tenisti zviceran.

John McEnroe tregon se çfarë e bën këtë finale më të madhen të të gjitha kohërave.

“Ishte një kombinim faktorësh. Sigurisht, së pari ishin lojtarët në fushë, koha kur takoheshin dhe mënyra se si takoheshin. Roger vinte i tronditur nga humbja në Roland Garros dhe veç Rafas që kishte përballë, kishte edhe një betejë besimi me veten”, thotë ai.

Ndeshja nisi pak para orës 15:00 dhe u mbyll në orën 21:15, për shkak edhe të ndërprerjeve si pasojë e shiut. Por edhe nëse natyra nuk do ta kishte ndërprerë, kjo finale do të ishte finalja më e gjatë e luajtur ndonjëherë dhe në fund më dramatikja, që në fund pati si fitues Nadal. Por a do të përsëritet historia 10 vite më vonë? Të shumtë janë atë që shpresojnë, megjithëse vështirë që në fund të prodhohet një spektakël si ai i 2008.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë