Politike

A përfiton PD lekë nga buxheti për lokalet e 14 majit? (Tani fajin s’e ka vula, por bojkoti)

A do të përfitojë PD-ja nga buxheti i shtetit zgjedhjet e afërme lokale apo jo? Debati kësaj here nuk lidhet me kontradiktat e brendshme dhe kush duhet të përfitojë thesin nga buxheti, por me një ngërç në parim që lidhet me mospjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi Kuvendit që të miratojë fondin shtesë për partitë politike.

Një kërkesë drejtuar parlamentit në parim, por që për Enkelejd Alibeajn ka qenë më shumë se aq.

Në komisionin e Ligjeve, Alibeaj i është referuar nenit 180 të Kodit Zgjedhor, ku ndarja e fondit duhet të realizohet për PD-në sipas rezultatit të zgjedhjeve pararendëse të vitit 2019. Sipas nenit në fjalë, në përllogaritje fondesh përfshihet edhe rezultati i subjekteve zgjedhore, që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit, por në zgjedhjet vijuese dhe që plotësojnë kushtin për kufirin prej 1 për qind të votave të vlefshme të fituara prej tyre.

Alibeaj tha se duhen llogaritur zgjedhjet e vitit 2015-2017 ndërsa Ermonela Felaj replikoi me argumentin se shqetësimet duhet t’i parashtrojnë në KQZ, jo në Komisionin e Ligjeve.

Debati nisi se cilit nen të Kodit Zgjedhor duhet t’i referohej komisioni, nenit 88 që fliste për ndarjen e fondit për zgjedhjet lokale, (ku referuar saj,  fondi ndahet në bazë të rezultatit të vitit 2019 ku PD nuk mori pjesë dhe për pasojë PD mund të mbetet pa fonde në zgjedhjet e 14 majit) apo nenit 180 që ka parashikuar edhe këtë handikap por duke sqaruar ato raste kur bëhet fjalë për zgjedhje të përgjithshme dhe jo lokale. Pavarësisht ngërçit, Kuvendi miratoi fondin në parim dhe gjithçka i mbetet për interpretim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë