Shqiptarët vazhdojnë të renditen mes dhjetë kombeve me më shumë azilkërkues për vitin 2019, me mijëra qytetarë që aplikojnë cdo muaj për azil në Francë, Gjermani apo Britaninë e Madhe
Në Raportin Vjetor të BE-së, Shqipëria zë vendin e nëntë me mbi 22 mijë aplikacione për azil, para Venezuelës dhe pas Gjeorgjisë.
Edhe pse numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka rënë në krahasim me vitin 2017, fati i shqiptarëve dhe emigrantëve që endet në dyert e Europës duket edhe më i pasigurtë tanimë, me zgjedhjen e Parlamentit të Ri Europian.
Parlamenti i sapozgjedhur është një nga më të fragmentuarit që ka patur ndonjëherë unioni europian. Një grup prej 73 eurodeputetësh, të cilët kanë formuar një parti të re politike, të quajtur Identiteti dhe Demokracia pritet të jetë në gjendje të kenë jo pak ndikimin në diskutimet e ardhshme legjislative mbi emigracionin. Por a mund të ndryshojë dhe politika e azili BE gjatë pesë viteve të ardhshme, duke marrë parasysh edhe Komisionin e sapoemëruar të BE-së dhe drejtuesit e Këshillit të BE-së?
Emigrantët nuk janë të mirëpritur në shumicën e shteteve, edhe pse trendet demografike pasqyrojnë nevojën për zgjerimin e fuqisë punëtore në pothuasje të gjitha këto vende. Ndërkohë që Europa përballet me nevojën për punëtorët më të rinj dhe parandalimin e plakjes së popullsisë, qytetarëve europianë nuk u pëlqen emigracioni masiv nga vendet e varfra, përfshirë këtu edhe ata nga Shqipëria.
Edhe pse është e vështirë për t’u kuptuar në këtë fazë të hershme, e ardhmja e emigracionit dhe politikave të azilit në BE duket se do të përballet me disa sfida të mëdha. Rritja e numrit të eurodeputetëve populistë, nga pesë për qind në 10 për qind në legjislaturën ka të ngjarë të ngrejë të paktën tre sfida.

Së pari, aftësia për të ndaluar përhapjen e dezinformatave që lidhen me emigrantët padyshim që do të zvogëlohet. Gjatë dy viteve të fundit, lëvizjet populiste e kanë përdorur vazhdimisht emigracionin si një temë thelbësore në agjendën e tyre, duke ngritur gjithnjë alarmin që sipas tyre i kanoset Europës nga emigrantët dhe azilkërkuesit.
Së dyti, planet e Parlamentit Europian për të ndërmarrë masa solidariteti për emigrantët dhe azilkërkuesit mund të hasin po ashtu sfida të mëdha.
Edhe pse, në terma numerikë, grupi i ri populist i PE-SW mund të mos jetë në gjendje të bllokojë ndonjë iniciativë kryesore, politikat e tyre duket se gjejnë mbështetje të madhe në disa prej vendeve anëtare, si Italia dhe Hungaria.
Së treti, për shkak të pozicioneve të ndryshme brenda partive populiste dhe atyre kryesore, në lidhje me politikën e emigracionit, reformat dhe nismat që lidhen me azil kërkuesit ka pak gjasa të kalojnë.
Kjo pasqyrua edhe gjatë vitit të kaluar, kur pas rritjes së retorikës populiste, Parlamenti Europian cili kishte hequr dorë nga mbështetjes për një sërë reformash vendimtare që priteshin të reformonin sistemin e azilit brenda BE-së. Bazuar në zhvillimet e mësipërme, nuk ka të ngjarë që të gjitha iniciativat dhe reformat e rëndësishme të miratohen gjatë pesë vjeçarit të ardhshëm.
Po ashtu, edhe iniciativat dhe sinjaleve politike të kohëve të fundit duket se paralajmërojnë një ndryshim të politikave të emigracionit.
Së pari, pas samitit të BE-së më 22 korrik 2019, 14 vendet anëtare miratuan një plan për rishpërndarjen e azilkërkuesve të shpëtuar në Mesdhe. Kjo është një iniciativë tejet e rëndësishme duke mbajtur parasysh dështimin e politikës së mëparshme të zhvendosjes brenda BE-së.

Në raportin e saj të fundit tremujor për migracionin, Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore zbuloi se shtetet e BE i kishin forcuar ndjeshëm politikat dhe ligjet e tyre mbi emigracionit.
Privimi i ushqimit, dëbimi pa asnjë njoftim paraprak dhe arrestimi i punonjësve humanitarë që kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi në det janë disa nga shqetësimet kryesore që identifikon raporti.
Në veçanti, është zbuluar se autoritetet në Hungari po mohojnë ushqimin për azilkërkuesit e refuzuar që prisnin në zonat e tranzitit. Në Francë, autoritetet po largojnë emigrantët e parregullt pa u dhënë atyre njoftim paraprak, në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë, Qendra e pritjes së emigrantëve në Greqi vazhdon të presë pesë herë më shumë njerëz sesa kapaciteti i saj. Refugjatët që kalojnë detin për të arritur në Itali dhe Spanjë gjithashtu mbeten shqetësim, pasi shumë anije u mbytën në këto rrugë të rrezikshme.
Në fund të javës së kaluar, Salvini, kreu i Ministrisë së Brendshme të vendit të tij, nuk pranoi të lejojë një anije shpëtimi me emigrantë myslimanë të hynin në Itali derisa Bashkimi Evropian ra dakord t’i në vendet e tjera në Evropë.
Në një letër drejtuar Komisionit Evropian, Salvini u kërkoi zyrtarëve të Bashkimit Evropian që të binin dakort për zhvendosjen, duke paralajmëruar se kishte dhënë indikacione që anija mos të ankorohej në port.
Vendimi i Salvinit erdhi pasi përfaqësuesit e BE u mblodhën në Paris javën e kaluar për të diskutuar zhvendosjen e emigrantëve, një takim ku zv / kryeministri nuk mori pjesë.
Në një mesazh për votuesit italianë muajin e kaluar, Salvini vuri në dukje se politikat e tij kanë çuar në një rënie dramatike të numrit të vdekjeve të emigrantëve në Mesdhe, retorika që janë përdorur gjetkë nga populistët në mbarë Europën.
Vala e populizmit vazhdon të alarmojë ekspertët dhe avokatët e të drejtave të njeriut, të cilat ngrenë alarmin se emigrantët po përdoren si një “kartë” politike për të fituar popullaritet, duke rritur krimet e urretjes dhe paragjykimin ndaj të tyre në pothuajse të gjitha shoqëritë europiane

Ku kërkojnë azil shqiptarët?
Franca është një ndër vendet e para në Europë kur vjen puna për të kërkuar azil nga shqiptarët. Edhe pse vendi ynë është pjesë e listës së shteteve me origjinë të sigurtë. 26% më shumë shqiptare kërkuan azil për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian gjatë 3 muajve të parë të 2019-s sipas Eurostat.
Vetëm gjatë 2018-s numri i azilkërkuesve në Francë ishte 8,280, nga rreth 19 mijë aplikime që ishin bërë në të gjithë Bashkimin Europian për atë vit, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat.
Pas Francës, pjesa tjetër i është drejtuar kryesisht Gjermanisë. Me pas renditet Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Holanda dhe Belgjika. Në total, për periudhën 2009-2018, numri i aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët 178,515 aplikime, duke u renditur vendi i parë i Europës për nga numri i lartë i azilantëve, sipas shifrave të Eurostat.
Në raport me popullsinë Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, duke kaluar edhe popujt që ikin nga vendet me konflikte. Autoritetet franceze thonë se shtetasit që vijnë nga vendet e sigurta që të mos ndërmarrin udhëtime, pasi nuk kanë asnjë shans për të përfituar azil ne kohen kur argumentet më kryesore që dëgjohen nga shqiptarët janë shkaqet ekonomike, një arsye kjo që nuk merret parasysh në dhënien e të drejtës së qëndrimit.
Në Gjermani, ku jetojnë 20 mijë shqiptarë, kancelarja Angela Merkel është vënë nën presion nga aleatët, por edhe opozita për shtrëngimin e rregullave të emigracionit të paligjshëm. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Francë, ku Marine le Pen vazhdon të lobojë kundër emigrantëve, ndërsa në Suedi një parti e ekstremit të djathtë ka fituar për herë të parë vende në parlament.
Situata paraqitet edhe më e komplikuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku jetojnë më shumë se 35 mijë shqiptarë, pasi nuk dihet qendrimi që do mbajë qeveria ndaj emigrantëve, sidomos atyre ilegalë. Emigrantët shqiptarë janë shpesh herë edhe protagonistë të tabolidëve britanike për trafikun e kokainës dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




