Politike

A do të hapen negociatat?

Të mërkurën më mediat shqiptare qarkulloi një raport paraprak i Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, sipas të cilit vendosej hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, por pa caktuar një datë konkrete për nisjen e këtij procesi.

Raporti nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi, veçanërisht përmes Vettingut dhe të prodhojë të tjera rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, të luftojë krimin e organizuar, veçanërisht kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës.

Për të mbikëqyrur progresin ngarkohet Komisioni Europian.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të mbikëqyrë nga afër përpjekjet për reformat e mësipërme në Shqipëri dhe do të vlerësojë përparimin në bazë të një raporti të Komisionit përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Këshilli fton Komisionin të fillojë punën e nevojshme përgatitore”, thuhet në draft.

Por, për opozitën vendimi është marrë dhe ai nuk është pozitiv. Nga foltorja e Kuvendit, Lulzim Basha deklaroi këtë të enjte se si ai personalisht, ashtu edhe Edi Rama janë në dijeni se negociatat nuk do të hapen.

“Unë dhe Rama jemi informuar. Rama bën të paditurin për hapjen e negociatave. Ashtu siç Edi Rama e di fare mirë, lajmi nga ky raportim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin. Është verdikti gjerman, i Bundestagut gjeramn, që Rama e di mirë që Shqipëria nuk i ka përmbushur detyrat”, deklaroi Basha.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass la të kuptohej se negociatat mund të hapen, por ato do të jenë të kushtëzuara. Ai nuk përmend asnjë kusht, por në media u aludua se një prej skenarëve mund të jetë vendimi pozitiv për çeljen e negociatave, por procesi do të qëndrojë i ngrirë deri në momentin kur Brukseli të vlerësojë se janë përmbushur kushtet për nisjen e tij.

Por, fillimisht deklarata e Kryeministrit danez, Lars Lokke Rasmussen dhe më pas ajo e Kancelarit austriak, Sebastian Kurz, që thanë se mes vendeve anëtare të BE-së, jo në kuadër të Brukselit, po diskutohej një ide për të ngritur kampe refugjatësh në një vend jashtë BE-së, por në Europë bëri që në media të qarkullojë emri i Shqipërisë.

Opozita nisi ta marrë këtë lajm dhe ta shndërrojë në çështje në përplasjen e saj me mazhorancën nëpër Komisionet parlamentare.

“Edi Rama është gati të pranojë 600 mijë sirianë vetëm që të hapen negociatat”, deklaronte në Komisionin e Sigurisë, deputeti i PD, Flamur Noka.

Partia Demokratike është e bindur në atë që thotë, madje ish-Kryeministri Sali Berisha e çon më tej skenarin. Ai thotë se më pas, qeveria e lidhur me kriminelët do t’i trafikojë këta refugjatë në BE me skafe kundrejt shumave të majme.

Nga mazhoranca i hedhin poshtë këto pretendime të opozitës, madje zëra me peshë brenda saj thonë se nëse hapja e negociatave kushtëzohet me pranimin e emigrantëve, atëherë më mirë pa Bashkimin Europian.

“Nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën" për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë" më mirë të mos vijë, pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane”, deklaroi Ministri i Diasporës, Pandeli Majko.

Por, opozita nuk flet për një propozim të europianëve, por për një vetëofrim të palës shqiptare.

“Plehrat e Europës, sillini këtu! Armët kimike të Sirisë, sillini këtu edhe tani u është vetëofruar europianëve për të strehuar 600 mijë sirianë këtu vetëm e vetëm që të hapen negociatat dhe ky të ruajë pushtetin”, deklaroi nga foltorja e Parlamentit, Lulzim Basha.

Edhe këtë seancë, Partia Demokratike bllokoi foltoren, veprim që u duk se e përplasi me LSI-në.

“Zoti Kryetar, u bënë disa javë që ky Parlament është shndërruar në thjesht formal. U bënë javë që këtu duhet të raportonin institucionet e pavarura për punën e tyre. Por, në vend që Kuvendi të ushtrojë detyrën e tij kontrolluese të punës, institucionet vijnë këtu, lexojnë raportin që kanë shkruar dhe largohen”, deklaroi në sallën e Kuvendit, Luan Rama i LSI-së.

Jashtë kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili drejtoi gishtin nga tre emra, që sipas tij, pushuan së ekzistuari këtë Parlament.

“Ky Parlament sot pushon së ekzistuari, pasi në momentin që fjala e deputetëve të opozitës mohohet nga kooperativa e Gramoz Ruçit, Taulant Ballës dhe Edi Ramës, nuk mund të kemi një Parlament. Luan Rama kërkoi që kryetari i PD të vazhdonte fjalën e tij”, tha ai.

Paralajmëron një përshkallëzim të qëndrimit të opozitës ndaj Kuvendit.

“Opozitës i lind e drejta që të mbajë një qëndrim shumë më të rreptë dhe më të fortë se kaq dhe tolerancë zero ndaj uzurpatorëve të Parlamentit, që ka hequr të drejtën e fjalës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë