“Shqipëria duhet të provojë se sistemi i saj i drejtësisë është i aftë që t’i vendosë të gjithë pa dallim si të barabartë para ligjit dhe siç mëson përvoja e integrimit në vende që na kanë pararendur, kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm që të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar presidentë, ish-presidentë, ministra, ish-ministra e kështu me radhë”.
Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama i paraprinte në qershor një vendimi negativ të Brukselit sa i takon hapjes së negociatave. Sipas fjalëve të tij, integrimi kërkon ndëshkimin e politikanëve dhe rastësisht, apo jo, një prej ish-ministrave të tij e ka shqiptuar kohë më parë se po bëhej “kurban” për integrimin.
Ky ishte konfirmimi I fundit dhe I mjaftueshëm për shqiptarët të cilin e kishin kuptuar që integrimi do të kalonte nga dyert e burgut, apo siç shpesh thoshte ish ambasadori amerikan Donald Lu kur kërkonte arrestimin e peshqve të mëdhenj.
Por çështja nëse është kuptuar kështu se integrimi nuk ka lidhje vetëm kushtet e negociatave atëherë kush do të jetë “Peshku” I parë?
“Sot dalin dhe thonë se po pengoj unë integrimin e Shqipërisë në Europë. Unë nuk besoj se u çmendën dhe të huajt sa të mos e vrasin mendjen për drejtësi dhe për ligj, por duan "kurban" njerëzish për të shkelur në Europë. Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaronte në maj të 2018, Saimir Tahiri.
Kjo deklaratë e Saimir Tahirit mbërrinte në kulmin e akuzave të opozitës, që deklaronte se pa ndëshkimin e tij në burg nuk kishte hapje negociatash për Shqipërinë. Sërish rastësi, apo jo, por sa herë që në Tiranë ndizet debati i negociatave, ndizet edhe procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Në pranverën e këtij viti, para se BE të mblidhej dhe të vendoste për shtyrjen e vendimmarrjes në tetor, çështja e Saimir Tahirit vloi në prokurori. Mes zhurmës së sherrit politik, të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe të hapjes së negociatave, ai siguroi gjykimin e shkurtuar, që në rast se gjendet fajtor i ul me një të tretën dënimin përfundimtar.
Sot, pak më shumë se një muaj nga mbledhja e radhës e BE-së për çështjen e zgjerimit, emri i Saimir Tahirit rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Ish ministri i Brendshëm dhe publiku mësoi se prokuroria kërkon për të 12 vjet vite burg për me akuza të rënda për trafik lëndësh narkotike dhe grup të strukturuar kriminal. Vetë Saimir Tahiri i lodhur nga pritjet për seancat gjyqësore ndaj tij që shtyheshin pa motiv të artë dhe të fortë mezi kishte pritur fundin, fund i cili po përkon sërish me një datë ku pritet një përgjigje për negociatat.
A do të jetë Saimir Tahiri peshku i parë apo kurbani për integrimin? Ndoshta po. Ndoshta hapja e negociatave nuk lidhet fare me të pavarësisht koincidencave kalendarike mes fatit të tij dhe atij të integrimit. Dhe do të ishte e pëlqyeshme që të mos ndodhte kështu pasi asnjë vend nuk dot donte ta përlyente aspiratën evropiane me burgun ku çelsi i hapjes së portës së BE paska qenë çelës qelie. Gjithsesi cilido të jetë çmimi i integrimit Saimir Tahiri “kurban” apo “peshk” nuk mjafton. Fatin e ish zyrtarit të lartë do ta marrim vesh në 19 shtator, fatin e negociatave pak më vonë, pas gjyqit të Saimir Tahirit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.