Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri, Albin Kurti, ndërsa Serbinë kryeministrja Ana Bërnabiq.
Një zyrtar qeveritar në Berlin i tha Reuters-it se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk ka përfunduar.
Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale.
“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, kancelari gjerman, Olaf Scholz, shkroi në Twitter se gjatë këtij takimi me Kurtin u diskutua për situatën në veri të Kosovës dhe bëri thirrje të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog.
“E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime. Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin”, shkroi Shcolz.
Më herët, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislim, tha se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.
Sipas tij, pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.
“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha ai më 1 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




