Futboll

A do të bëhet sivjet Flamurtari i madh?

Prej më shumë se 8 vitesh në Vlorë paratë hidhen ‘lum’ për sportin dhe futbollin më veçanërisht. Por edhe pse të ardhurat financiare nuk kanë munguar asnjëherë, rezultatet nuk i kanë kënaqur tifozët vlonjat, që njihen për pasionin e madh që kanë për skuadrën e tyre të futbollit.

Në fillim ishte vetë Bashkia Vlorë me në kryebashkiakun Shpëtim Gjika që shpenzonte shifra shumë të larta me synimin e vetëm për ta çuar për herë të dytë titullin kampion në qytetin bregdetar. Pastaj në Vlorë filloi një erë e re me administrator privat dhe të gjithë shpresuan se diçka do të ndryshonte për Flamurtarin.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi

Sinan Idrizi një shqiptar me origjinë nga Çamëria që jetën e tij më së shumti e kishte lidhur me Turqinë u vu në krye të klubit vlonjat me premtimin e madh se do e ngrinte Flamurtarin në nivele që nuk ishin parë ndonjëherë në Shqipëri. Duke pasur mbështetjen e dy kompanive shumë të fuqishme turke nga pas, fjalët e Idrizit bëheshin akoma edhe më të besueshme. Por diçka nuk ka shkuar siç duhet në këto vite.

Dështime në tre sezone rresht

Sezoni 2015-2016 ishte i pari për Flamurtarin nën administrimin e kompanive turke dhe me Sinan Idrizin në krye. Blerjet në atë sesion merkatoje ishin të fuqishme dhe shumë pompoze, duke marrë disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit dhe elementë cilësore nga jashtë. Flamurtari që në fillim u kuotua si pretendenti numër një për të rivalizuar Skënderbeun që prej 10 vitesh është “padroni” i futbollit shqiptar. Por një kampionat i nisur me Ernest Gjokën dhe më pas i vazhduar me një teknik italian në fund rezultoi me Flamurtarin në vendin e tetë dhe që mbijetoi në javët e fundit. Akoma edhe më kaotik ishte sezoni pasardhës, 2016-2017, kur Flamurtari ndërroi tre trajnerë dhe në fund u rendit vetëm në vendin e tetë me mbijetesën e siguruar vetëm në javën e fundit. Në kampionatin e fundit me Shpëtim Duron, u duk sikur skuadra vlonjate kishte diçka ndryshe. Duke filluar që nga merkato, që ishte më e kujdesshme e deri tek loja që ishte me mirë, Flamurtari jepte shpresë.

Skuadra e Flamurtarit në sezonin 2016-2017

Por aq zgjati edhe kjo shpresë, deri në muajin janar. Nga shkurti, ku ishte në vendin e dytë 8 pikë më pak se Skënderbeu, e deri në prill, Flamurtari nuk arriti të marrë asnjë fitore dhe u zhyt në vendet e fundit të tabelës.  Si përfundim vetëm vendi i tetë pa Europë dhe pa asnjë objektiv të realizuar edhe për këtë sezon në Vlorë. Shpëtim Duro u largua pak javë para mbylljes së sezonit dhe dështimi u pranua nga të gjithë tek Flamurtari. Për të disatën herë zhgënjimi ishte shumë i madh në Vlorë dhe tifozët kanë filluar ta humbasin durimin.

Tentativa numër katër fillon me një ekspert si Ilir Daja

Ilir Daja në stërvitje me Flamurtarin për sezonin e ri 2018-2019

Janë shumë dështime të njëpasnjëshme në Vlorë, por kjo gjë nuk ka shkaktuar dekurajim, përkundrazi motivimi vijon të jetë akoma në nivele të larta, të paktën tek drejtuesit e Flamurtarit që vijojnë të shpenzojnë. Si zakonisht çdo gjë nis nga përzgjedhja e trajnerit dhe këtë verë në Vlorë duket sikur kanë qëlluar në shenjë, pasi në stolin “kuq e zi” është ulur një trajner ekspert, si Ilir Daja. Tekniku tiranas është nga ata që nuk dështon kollaj, pasi kudo ku ka qenë nuk është larguar pa të paktën një trofe të fituar. Në Vlorë, Daja shkon për më tepër edhe me petkun e trajnerit kampion dhe kjo gjë i shton akoma më shumë peshë atij vetë dhe Flamurtarit si klub, që tashmë nuk mund të gabojë më.

Idriz Batha duke firmosur me Flamurtarin

Merkato ndryshe dhe cilësore

Ndryshimi tek Flamurtari në këtë sezon nuk ndjehet vetëm tek trajneri, por edhe në merkato. Deri më tani Flamurtari ka bërë lëvizje të kujdesshme dhe të mirë-studiuara në afrimin e lojtarëve.  Përveç rinovimit të kontratave me disa nga protagonistët e sezonit të shkuar, Flamurtari deri më tani ka bërë vetëm tre afrime. Idriz Batha e Blerim Kotobelli që janë larguar nga Partizani dhe Enea Koliçi që vjen nga Kukësi.

Të tre lojtarët janë nga më të mirët në pozicionet e tyre në Kategorinë Superiore dhe të paktën në letër japin garanci. Bashkë me këto tre afrime ka edhe dy rikthime të talentit vlonjat, Beqaj dhe afrikanit Tonugara.

Blerim Kotobelli duke firmosur me Flamurtarin

Por për të ndërtuar një Flamurtar pretendent për zonën e Europës në sezonin që vjen këto tre afrime janë shumë pak dhe drejtuesit vlonjat e dinë shumë mirë këtë gjë. Për këtë arsye Flamurtari është duke punuar në merkato dhe deri në fund pritet që minimalisht të afrohen edhe 4 lojtarë të tjerë. Disa nga dëshirat e Flamurtarit janë konkrete, duke filluar me ish-mbrojtësin e Shkëndisë, Cuculi dhe ish-sulmuesin e Kukësit, Kale. Por edhe të tjerë emra janë në fokusin e klubit vlonjat, këtu nuk përjashtohen emra si Osmani, apo argjentinasi Torasa. Sigurisht me ato çka kemi parë në tre vitet e fundit, nuk duhet të habitemi me ndonjë surprizë që mund të vijë nga Flamurtari.

Rinovimi i kontratës së administrimit me bashkinë

Këshilli bashkiak Vlorë

Në të njëjtën linjë me projektin për sezonin e ri të klubit ka shkuar edhe vendimi i këshillit bashkiak të Vlorës, që vendosi për ta zgjatur kontratën edhe për dy vite të tjera. Votimi në këshillin bashkiak të Vlorës ka qenë unanim dhe për dy vitet e tjera Flamurtari do jetë në dorën e Idrizit dhe dy kompanive turke. Më herët Sinan Idrizi kishte kërkuar që ta privatizonte klubin vlonjat, por nuk kishte marrë përgjigje nga ana e bashkisë. Këtë vjeshtë në Vlorë pritet të fillojë edhe projekti “Vlora Sport” çka i rrit më shumë shpresat për një sezon ndryshe të Flamurtarit, atë që të gjithë janë në pritje prej më shumë se 8 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë