Analize

A do ta vazhdojë Brazili betejën kundër korrupsionit?

Kur ish-presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva u dorëzua në polici prillin e kaluar për të vuajtur dënimi 12-vjeçar me burg për shkak të aferave korruptive, shumë njerëz menduan se korrupsioni në Brazil mori fund njëherë e përgjithmonë. Arrestimi i një ish-presidenti do të ishte një transformim i madh për një vend si Brazili, i njohur për mosndëshkimin e politikanëve, por Lula i përket një tjetër rendi. Pasi shërbeu si president për tetë vjet (2003-2010), ai u largua nga zyra me mbështetje të jashtëzakonshme popullore dhe arriti të vendoste Dilma Rousseff si pasardhësen e tij. Madje në vitin 2009, Presidenti amerikan Barak Obama e quajti Lulan "politikanin më popullor në tokë". Për miliona brazilianë, Lula mishëronte ëndrrën për një jete më të mirë. Por tanimë për shumë të tjerë, burgosja e tij tregon se Brazili ka filluar më në fund të çrrënjosë korrupsionin endemik në politikë.

Hetimi kundër korrupsionit filloi në vitin 2014 duke ndjekur gjurmët e parave në tregun e zi, sidomos në pikat e karburantit të cilat u përdorën vazhdimisht për pastrimin e fondeve të paligjshme. Hetuesit zbuluan se kriminelët pastronin paratë në emër të drejtuesve kryesorë të gjigandit shtetëror të naftës, “Petrobras”’, të cilët ishin kishin arritur një sërë marrëveshjesh me zyrtarë të lartë që shkonin deri në pallatin presidencial. Ata zbuluan se pagesat për kontratat e miratuara nga qeveria braziliane derdheshin në një fond të fshehtë që u shpërdante paratë partive politike dhe konglomerateve të biznesit, të lidhura me njëra-tjetrën. Miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve financuan fushatat zgjedhore në mënyrë të paligjshme dhe nxitën një skemë përmes së cilës interesat private mund të blinin favore politike në të treja degët e qeverisë. Konglomeratët dhe zyrtarët e partisë të përfshirë në këtë skemë kanë korruptuar zyrtarët e 12 vendeve të tjera në Amerikën Latine dhe Afrikë dhe kanë fshehur fondet ilegale në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Hetimi për pastrimin e parave përfshin dhjetra prokurorë dhe hetues në qytetin e Curitibas dhe tanimë po ka nisur investigimet në Brasilia, Rio de Janeiro dhe São Paulo. Nëpërmjet një qëndrimi serioz në media, ata morën mbështetjen masive të publikut dhe votuesve që u kishte ardhur në majë të hundës nga politika e korruptuar. Ata gjithashtu arritën të kapërcejnë pengesat duke fituar mbështetjen e stafit të Kongresit Kombëtar në Brasilia dhe duke fituar besimin e drejtorëve kryesorë në Gjykatën Supreme dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Por, ndërkohë që operacioni i tyre bëhet më kompleks, aftësia e tyre për të vazhduar hetimet është përplasur vazhdimisht me rezistencën e rendit politik.

Lula Da  Silva

Deri më tani, performanca e ekipit ka qenë e jashtëzakonshme. Që nga 2014-ta, operacioni “Pastrimi i Parave” ka nxjerrë para gjykatës më shumë se 500 politikanë të lartë, burokratë dhe biznesmenë. Në këtë proces, hetuesit kanë rënë në gjurmët e miliarda dollarëve të taksapaguesve dhe kanë akuzuar katër ish-presidentë, duke zbuluar aferat korruptive të çdo partie të madhe politike. Shifrat e prokurorisë do të ishin edhe më të larta nëse nuk do të ishte një ligj që u jep politikanëve brazilianë një imunitet të veçantë. Kur kryejnë një krim, ata mund të gjykohen vetëm nga Gjykata Supreme, por në 30 vitet e fundit ajo ka dënuar vetëm katër politikanë. Për shembull, një e treta e anëtarëve të Kongresit përballen me procedime penale në gjykatën e lartë, por vazhdojnë të mbajnë postet e tyre, sepse rastet e tyre kurrë nuk shkojnë në gjykim falë miqësve që emërojnë në Gjykatën e Lartë.

Operacioni “Pastrimi i Parave” ka treguar gjithashtu se politikanët e zgjedhur u shërbejnë më shumë grupeve të interesit që financojnë fushatat e tyre sesa votuesve që i zgjedhin në radhë të parë. Në sistemin presidencial shumëpartiak të Brazilit, presidentët duhet të formojnë një koalicion për të qeverisur. Partitë në koalicionin qeverisës, megjithatë, nuk kanë asnjë angazhim në axhendën e presidentit, sepse mbështetja që marrin gjatë zgjedhjeve, nuk është një funksion i suksesit apo dështimit të qeverisë. Si në shumë demokraci të tjera, anëtarët e koalicionit kërkojnë të jenë të parët e shtetit, por në rastin e Brazilit ata gjithashtu kanë kërkuar emërimin e bashkëpunëtorëve të tyre në pozicionet kyçe në institucionet shtetërore, ku kontratat miliarda dollarëshe ofrojnë mundësi të pafundme për korrupsion. Fitimet nga këto marrëveshje përdoren për financimin e fushatave dhe nxisin krijimin e rrjeteve lokale të klientelizmit dhe të blerjes së votave, të cilat janë vendimtare për të ardhmen e partive.

Ky system korruptiv funskionon në kushte shumë specifike pasi kërkon bashkëpunim midis ekzekutivit dhe legjislaturës, duke përfshirë edhe partitë e opozitës. Nëse një politikan do të denonconte kolegët e tyre, e gjithë skema mund të binte. Një sistem i tillë gjithashtu ka nevojë për bashkëpunimin e gjykatave të larta dhe kërkon që votuesit të lihen në errësirë të plotë dhe mos ta mësojmë kurrë si funksionon politika në të vërtetë. Duke hedhur dritë mbi këto të dhëna, operacioni “Pastrimi i Parave” ka gjunjëzuar rendin e vjetër politik në gjunjë. Pas nisjes së hetimeve, katër vjet më parë, miliona brazilianë kanë “pushtuar” rrugët për të protestuar kundër politikanëve. Në një vend të njohur për mosndëshkimin e polikanëve dhe drejtësinë e kurruptuar, nuk është çudi që ky operacion u mirëprit nga shumica e njerëzve si frymëmarrje në ajër të freskët. Por a mund të përmbysen arritjet e këtyre hetimeve?

Hakmarrja e rendit të vjetër politik

Që nga viti 2014, klasa politike dhe bashkëpunëtorët e tyre në gjykata kanë bërë rezistencë, duke kërkuar legjislacion të ri për të kufizuar kompetencat e prokurorëve dhe hetuesve. Ata gjithashtu janë përpjekur të çlirojnë të gjithë zyrtarët që janë arrestuar. Gjatë seancës për rrëzimin e Presidentes Rousseff, Senatori Romero Juka zbuloi padashje një tjetër plan të errët të qeverisë (pasi nuk e dinte se po regjistrohej).

"Duhet ta ndalojmë këtë idiotësi- deklaroi ai- Duhet të ndryshojmë qeverinë që të jemi në gjendje të ndalojmë këtë gjakderdhje."

Nënkryetari Michel Temer erdhi në pushtet në gusht të vitit 2016. I akuzuar për krime të shumta, Temer është një nga përfaquesit kryesorë të rendit të vjetër, i mbrojtur nga ndjekja penale falë postit që mban. Kur prokurorët që po hetonin pastrimin e parave paraqitën në Kongres një paketë reformash prej dhjetë pikash, e nënshkruar nga më shumë se dy milionë qytetarëve në një peticion publik, koalicioni i Temerit e kundështoi rreptësisht miratimin e tij.

Presidenti Temer

Tanimë, Temer po mundohet t'i japë fund hetimit dhe të lirojë nga burgu zyrtarët e arrestuar. Aleatët e tij kanë paraqitur propozime të shumta legjislative për t’u hequr prokurorëve kompetencat hetuese dhe ua kanë bërë më të lehtë gjykatësve të mos marrin parasysh provat për dhënin e dënimeve. Ndërkohë, përfaqësuesit e klasës së vjetër politike denoncuan operacionin “Pastrimi i Parave” për shkelje të të drejtave civile duke u dhënë liri avokatëve mbrojtës për t'i mbajtur klientët jashtë burgut. Juristë të shquar kanë deklaruar se hetuesit kanë përdorur torturat dhe një sërë manovrash të tjera për t’i detyruar zyrtarët të pranonin fajësinë. Dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Amerikë Latine, aleatët e krahut të majtë të Partisë së Lulas kanë deklaruar në shtypin ndërkombëtar se operacioni “Pastrimi i Parave” është një komplot politik i motivuar nga forcat e krahut të djathtë në Brazil.

Deri më tani, politikanët kanë dështuar të shuajnë zjarrin e hetimeve. Presidenti Temer është akuzuar për korrupsion, pengim të drejtësisë dhe ka humbur një prej aleatëve më të afërt politik, i cili ndodhet tashmë në burg. Ndërkohë që fuqitë e tij të pakësohen, ai ka kohë që ka humbur kredibilitetin me publikun. Por klasa politike vazhdon të luftojë. Legjislacioni i ri që u prezantua në fund të prillit do ta vëjë edhe më të vështirë që prokurorët të ndjekin rastet e korrupsionit, ndërkohë që në shtyp përflitet se Gjykata Supreme është gati të lërë Lulan sërish të lirë.

Blerja e votave

Testi më i madh i operacionit do të jenë zgjedhjet e tetorit të ardhshëm, kur brazilianët do të zgjedhin një president të ri, 27 guvernatorë, 513 përfaqësues për dhomën e ulët të Kongresit dhe dy të tretat e Senatit. Në përgatitje për zgjedhjet, partitë e vjetra po ndryshojnë emrat dhe po anëtarësojnë një brezi të ri politikanësh. Megjithatë zëvendësimi i sistemit të vjetër të korruptuar është shumë i lehtë të thuhet, por shumë i vështirë të bëhet.

Pjesa më e madhe e klasës politike sot vë bast se opinioni publik do të jetë i lodhur nga skandalet dhe se ekipit të hetuesve do t’i shterojnë fuqitë dhe do të fillojë të bëjë gabime serioze. Nëse ata kanë të drejtë, zgjedhjet e tetorit do ta bëjnë rendin e vjetër politk të Brazilit të përjetshëm. Fitorja e sistemit të vjetër do të riafirmojë dominimin e grupeve të interesit në marrëdhëniet midis degëve ekzekutive dhe legjislative, nën mbrojtjen e gjyqësorit. Ky rezultat do të kishte pasoja të tmerrshme për demokracinë dhe shoqërinë braziliane. Statusi i korruptuar ushqen jo vetëm korrupsionin endemik por edhe qeverisjen e keqe.

Megjithëse është një nga dhjetë vendet më të mëdha në botë, Brazili ka 60.000 vrasje me armë zjarrit një vit, më shumë se Iraku dhe Afganistani së bashku. Sipas shifrave zyrtare, gjysma e brazilianëve nuk kanë ende as kanalizime. Vendi mbetet i mbyllur nga tregtia globale, për të mbrojtur bizneset me lidhje në korridoret e pushtetit nga konkurrenca ndërkombëtare. Mbizotërimi i grupeve të interesit gjithashtu nxit papërgjegjshmërinë fiskale: siç shihet në vitet e fundit, konglomeratet e fuqishme private kanë arritur të shtinë në dorë Kongresin që të përvetësojnë fonde shtesë, edhe nëse kjo bën që borxhi publik të rritet me ritme alarmuese dhe shteron fondet për përmirësimin e standarteve të jetesës së brazilianëve të rregullt.

Si mund të trumojë drejtësia?

Për të fituar luftën afatgjatë kundër korrupsionit, Brazili duhet të heqë shumicën e rregullave dhe institucioneve të vjetra politike, duke rritur transparencën dhe dhënin e llogarive për aferat politike. Një pikë vendimtare është që anëtarët brazilianë të Kongresit t'u japin llogari votuesve të tyre, jo vetëm grupeve specifike të interesit që kërkojnë trajtim të privilegjuar. Kjo do të nënkuptonte rishkrimin e rregullave zgjedhore për ndërtimin e koalicionit, reformimin e rregullave të financimit të fushatës dhe rishqyrtimin e rolit të partive politike. Agjenda për rinovim do të përfshinte gjithashtu edhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, në mënyrë që gjyqtarët mos të veprojnë më në emër të klientëve politikë. Gjithashtu duhet të eliminohen të gjitha privilegjet që gëzojnë politikanët sipas ligjeve aktuale, ndëkohë që prokurorët duhet të kenë mjetet hetimore të nevojshme për të zbuluar aferat korruptive në qeveri. Së fundmi, duhet të hartohen rregulla të reja për të rregulluar marrëdhëniet midis biznesit dhe qeverisë. Kontratat qeveritare, të cilat e dimë se janë veçanërisht të cenueshme ndaj korrupsionit, duhet të bëhen më transparente dhe duhen krijuar mekanizma të reja për të zbuluar mashtrimet.

Por përkthimi i një axhende të tillë ambicioze në realitet do të kërkonte një debat të gjatë, të qëndrueshëm dhe një riorganizim të kujdesshëm institucional. Nuk është diçka që mund të bëhet brenda natës. Më e rëndësishmja, triumfi i hetimeve për pastrimin e parave do të ndryshojë kushtet e debatit politik brenda shoqërisë braziliane. Në vend që të ndahet midis të djathtës dhe majtës, biseda kombëtare duhet të përqëndrohet në metodat më të mira për të përmbushur premtimin më të madh demokracisë: të bëjë që klasa politike t'u shërbejë atyre që votojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë