Analize

Si e sheh botën diktatori kinez?

Presidentit kinez Xi Jinping është përfolur shpesh herë për konsolidimin e jashtëzakonshëm të fuqisë politike, pasi mori detyrën pesë vjet më parë. Por një pikëpyetje shumë e rëndësishme në sytë e komunitetit ndërkombëtar është mënyra se si Presidenti Xi e sheh botën dhe ndikimin që ka vizioni i tij në politikat strategjike të Kinës. Duke qenë se sistemi politik kinez është zhytur në errësirë të plotë, kjo pyetje nuk do të marrë kurrë një përgjigje ekzakte, por tanimë strategjitë e para duket se po dalin dalëngadalë në dritë.

Këndvështrimi i Xi për botën e vendos fuqizimin e Partisë Komuniste Kinezë dhe ideologjisë komuniste mbi pragmatizmin e politikës. Ai është një nacionalist kinez i mbushur me një serë arritjesh ekonomike, nostalgji politike dhe ankthe kombëtare. Xi ka sjellë një kulturë të re vetëbesimi politik, që paraqet një distancim të qartë nga ortodoksia e Deng Xiaoping-it.

Kjo qasje e re mund të krahasohet me një rreth me shtatë shtresa , i cili fillon me epiqendrën e partisë dhe zgjerohet me unitetin e vendit, rëndësinë e rritjes së qëndrueshme ekonomike, e cila duhet të balancohet me shqetësimet mjedisore; mbajtjen e 14 shteteve kufitare nën kontroll; projektimin si një fuqi detare rajonale, shfrytëzimin e fuqisë ekonomike në të gjitha periferinë kontinentale dhe reformimin e institucioneve bazuar në rregullat ndërkombëtare të pasluftës, për t'i përshtatur dalëngadalë me interesat e Kinës. Por a do të arrijë ta realizojë tërësisht Presidenti Xi strategjinë e tij të madhe?

Shteti dhe Partia

Rrethi i parë dhe më i rëndësishëm është vetë Partia Komuniste Kineze dhe interesi i saj kryesor për të qendruar në pushtet. Në pjesën më të madhe të Perëndimit gjatë 40 viteve të fundit ka pasur gjithnjë një supozim të heshtur se Kina do të përqafonte dalëngadalë projektin kapitalist global. Duke bërë këtë supozim, shumë studiues nuk arritën t'i kushtonin vëmendje debateve të brendshme brenda partisë komuniste në fund të viteve 1990, të cilat përfunduan në fillim të dekadës së parë të këtij shekulli me vendimin se nuk do të kishte ndryshim sistemi dhe se Kina do të vazhdonte të ishte një shtet me një parti të vetme. Përveç dëshirës për të siguruar mbijetesën afatgjatë të partisë, udhëheqësit besonin gjithashtu se Kina nuk mund të bëhej kurrë një fuqi e madhe globale nëse nuk do të kishte udhëheqës të fortë. Edhe pse këto debate të brendshme u përmbyllën një dekadë përpara ngritjes së Xi në pushtet, presidenti ka dhënë shtysën e fundit për kthimin e Kinës në një shoqëri kapitaliste shtetërore, me një parti qendrore.

Xi ka mbrojtur vazhdimisht fuqinë dhe prestigjin e partisë mbi mekanizmin administrativ të shtetit. Në dekadat e mëparshme, partia ishte tkurrur duke marrë një rol ideologjik, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. Xi e kuptoi se kthimi i partisë nga një institucion në një strukturë të rëndësishme vendimarrëse do të çonte në zvogëlimin e pushtetit të saj. Tanimë, ai ka ndërhyrë me vendosmëri për ta ndryshuar këtë prirje. Pas ardhjes në pushtet të Presidentit Xi, Kina ka vënë theksin gjithnjë e më shumë tek ideologjia, duke u distancuar nga politika pragmatike. Xi dhe pjesa tjetër e udhëheqësëve e dinë se kërkesat për liberalizmin politik lindin kur të ardhurat për kokë të qytetarëve kalojnë një prag të caktuar. Përgjigjja e tyre ndaj kësaj dileme ka qenë rivendosja e ideologjisë marksiste-leniniste dhe krijimi i një fushate propagandistike për të bashkuar imazhin e Partisë Komuniste Kineze me atë të kombit. Xi beson se mund të mposhtë pikëpamjet e Francis Fukuyama, i cili e konsideron demokracinë liberale perëndimore si formën më të lartë të qeverisjes.

Rrethi i dytë bashkëqendror, në interesat thelbësorë të Xi dhe qeverisë kineze, është uniteti kombëtar. Ky mbetet një shqetësim jetik për Pekinin, i cilësuar nga njëra anë si çështje e sigurisë kombëtare dhe nga ana tjetër, si faktor kyç për qëndrueshmërinë e legjitimitetit politik. Nga këndvështrimi i Pekinit, Tibeti, Xinjiangu, Mongolia e brendshme dhe Tajvani përfaqësojnë një grup thelbësor për interesat e sigurisë. Tibeti është një faktor qendror për marrëdhëniet strategjike me Indinë, e cila ka siguruar shenjtërimin e Dalai Lamës për më shumë se gjysmë shekulli. Xinjiang përfaqëson hyrjen e asaj që Pekini e përcakton si një botë gjithnjë e më armiqësore myslimane, përceprim i përforcuar nga lëvizja separatiste islamike në vend. Mongolia e brendshme përfaqëson një burim të vazhdueshëm ankthi për marrëdhëniet strategjike mes Kinës dhe Rusisë.

Tajvani, i cili shihet si ekuivalenti i një avioni të madh amerikan në Paqësor, përfaqëson pengesën kryesore kundër aspiratave kombëtare të Kinës për një kufi më të kontrolluar dhe më të sigurt detar, si dhe një pengesë për bashkimin kombëtar. Këto sfida të sigurisë së brendshme do të mbeten gjithmonë sfidat kryesore të Kinës, natyrisht përveç sigurisë së vetë partisë.

Rrethi i tretë është ekonomia kineze, së bashku me strategjinë e qëndrueshmërinë mjedisore. Në terma politike, faza e parë e reformës ekonomike u karakterizua nga ndërmarrje familjare të vogla; paga të ulëta, prodhime për eksport dhe investime të nivelit të lartë shtetëror në infrastrukturën publike, duke përfshirë telekomunikacionin, rrugët, hekurudhat, portet dhe energjinë. Në fillim të vitit 2013, Xi publikoi ​​një plan të ri për fazën e dytë të reformës ekonomike. Karakteristikat e përcaktuese ishin përqëndrimi në tregun e konsumit kombëtar dhe jo tek eksportet, fuqizimi i sektorit privat kinez në kurriz të tregut të përgjithshëm të ndërmarrjeve shtetërore dhe kapërcimi i Perëndimit përsa i përket sektorëve të e teknologjisë, duke përfshirë bioteknologjinë, teknologjinë informative dhe inteligjencën artificiale, të gjitha brenda kuadrit të ri të zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor, veçanërisht ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike. Gjatë pesë viteve të fundit, janë shënuar pak përparime reale në investime, tregti, financa dhe ndërmarrjet shtetërore, ndërkohë që Kina duket se është duke u larguar nga politika fiskale, konkurrenca dhe reforma e punës. Dilema më e madhe në ekonominë kineze është nëse Presidenti Xi të ofrojë kapitalin e nevojshëm politik për këto fusha të reja, pasi të ketë konsoliduar më tej pushtetin e tij.

Një shenjë tjetër shqetësuese është se roli i sekretarëve të partisë brenda firmave private duket se është rritur, duke nxitur debate nëse shteti duhet të fitojë barazi brenda firmave private më të suksesshme të Kinës. Në vazhdën e fushatës kundër korrupsionit dhe parregullsive të tjera të pajtueshmërisë, janë evidentuar një sërë firmash private të shquara, të cilat duket se ndodhen në telashe të vërteta politike. Kohët e fundit, Pekini “shtiu në dorë” konglomeratin e sigurimeve “Anbang”, duke marrë kontrollin e përkohshëm të aseteve të kompanisë pasi drejtori i saj u vu në pranga, u akuzua dhe dënua. Kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve nxjerr në pah mungesën e vazhdueshme të gjykatave të pavarura tregtare dhe mekanizmave të arbitrazhit.

Tragjedia më e madhe e zhvillimit të shpejtë të Kinës gjatë 35 viteve të para ka qenë shkatërrimi i pakufijshëm i mjedisit. Megjithatë, Pekini ka bërë përparime të jashtëzakonshme në politikën e inovacionit, ku nivelet masive të kërkimeve shkencore, të drejtuara nga shteti kanë filluar të japin rezultate edhe në reformën mjedisore, duke përfshirë reduktimin e ndjeshëm të ndotjes së ajrit nëpër qytetet kryesore gjatë dy viteve të fundit. Sigurisht, mjedisi nuk është thjesht një shqetësim i brendshëm i popullit kinez. Shuma e gazeve serë që lëshohen nga Kina, janë thelbësore për të ardhmen e sigurisë globale të klimës dhe planetit. Duke përcaktuar kuadrin e botëkuptimit të Kinës, si një ekonomi e fortë me mjedis të pastër, mund të evidentojmë përcaktuesit thelbësorë të legjitimitetit politik të qeverisë kineze.

Interesat rajonale

Rrethi i katërt është ai i shqetësimeve të brendshme në atë që Kina e konsideron sferën e saj të ndikimit. Kjo lidhet me 14 shtetet fqinje të Kinës. Historikisht, ato kanë qenë edhe kërcënimet më të mëdha të sigurisë kombëtare e Kinës, duke u bëra rruga nëpër të cilën kanë kaluar shumë nga pushtuesit e huaj. Përmes diplomacisë politike dhe ekonomike, Kina dëshiron të sigurojë marrëdhënie pozitive me të gjitha këto vende. Por përtej kësaj, Pekini po formon gjithashtu një strategji për angazhimin e metejshëm me të gjithë fqinjët kontinentalë. Kjo reflektohet në diplomacinë politike, ekonomike dhe ushtarake të Kinës në të gjithë kontinentin. Ajo reflektohet gjithashtu në krijimin e grupeve të tilla si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe projekteve ambicioze të infrastrukturës, veçanërisht iniciativa “Një Rrip një Rrugë. Qëllimi strategjik i këtyre programeve është i qartë: konsolidimi i marrëdhëniet e Kinës me shtetet fqinje. Dhe në përgjithësi, kjo do të thotë përmirësimi i pozitës strategjike në të gjithë kontinentin e Euroazisë.

Rrethi i pestë i interesave strategjike të Kinës është kufiri detar. Presidenti Xi dhe udhëheqësit e tjerë kinezë e konsiderojnë këtë si arenë veçanërisht armiqësore. Kina ndjen se pretendimet territoriale në Detin Lindor dhe Jugor të Kinës janë në rrezik, madje i referohet vazhdimisht si "interesa thelbësore kombëtare" dhe i ka vendosur në një kategori të ngjashme me Tajvanin. Kina gjithashtu mendon se rajoni është bashkuar kundër saj në një aleacë të madhe të udhëhequr nga SHBA-ja, e cila fillon nga Koreja e Jugut, vazhdon në Japoni, Tajvan në Filipine dhe përfundon në Australi, për të mos përmendur grupin e frikshëm të pajisjeve ushtarake amerikane të vendosura në të gjithë rajonin. Strategjia detare e Kinës konsiston në thyerjen e aleancës amerikane, të cilën e konsideron si relike të Luftës së Ftohtë.

Qasja e Pekinit ndaj botës

Dy rrethet e fundit lidhen me mënyrën si e e sheh Kina të ardhmen e saj në skenën globale. Në rrethin e gjashtë, rendin e prioriteteve strategjike të Pekinit përfshihet marrëdhënia e Kinës me vendet në zhvillim, e cila i ka rrënjët historike nga politikat e Mao Zedong dhe rolit të Kryeministrit Zhou Enlai gjatë Luftës së Ftohtë. Sot, zbatohet veçanërisht në Afrikë, por reflektohet gjithashtu në marrëdhëniet me vende të tilla si Bangladeshi, Pakistani dhe Sri Lanka. Kina ka hedhur projekte të mëdha infrastrukturore në të gjithë Afrikën, për zhvillimin e kontinentit dhe gjithashtu ka zhvilluar një rrjet të gjerë investimesh nëpër të gjithë Amerikën Latine dhe Azinë. Secili prej këtyre projekteve po krijon polemikat e veta lokale, por Kina shquhet për këmbënguljen dhe aftësinë e saj për t'u përshtatur me kalimin e kohës. Akademikët perëndimorë kanë bërë studime të shumta në terren mbi projektet e investimeve kineze në vendet në zhvillim. Disa nuk kanë qenë të mira, për shembull në Zambia, ku sjellja e disa firmave kineze shkaktoi polemika kombëtare dhe çoi në ndryshimin e qeverisë. Por investitorët e tjerët kanë demonstruar përmirësime reale gjatë kohës, sidomos në Etiopi, ku firmat kineze kanë rritur mundësinë për t’u punësuar, kanë përmirësuar pagat dhe kanë investuar në komunitetet lokale. Pra, kur Kina kërkon zëra lokalë për të mbështetur interesat e saj, qoftë në Kombet e Bashkuara apo në të gjithë labirintin e sistemit multilateral global, aftësia e saj për të marrë mbështetje politike dhe diplomatike është e pashembullt.

Rrethi i shtatë ka të bëjë me të ardhmen e bazuar në rregullat globale. Shtetet e Bashkuara e ndërtuan këtë rend pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar në dy shtylla: së pari, në institucionet ndërkombëtare duke përfshijnë, Kombet e Bashkuara, “Bretton Ëoods”, OBT-në dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Shtylla e dytë ishte posedimi i të drejtës për të përdorur fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së për të mbrojtur rendin që krijoi. Që atëherë, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të mbrojnë këtë sistem nëpërmjet rrjetit global të aleancave, si NATO-ja dhe partneritetet dypalëshe të sigurisë në të gjithë Azinë Lindore. Deri më sot, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur superfuqia mbizotëruese, por tani po e gjenjnë vetën përballë një sërë ndryshimesh dhe sfidash.

Themelet më të thella të rendit liberal janë gjithashtu në rrezik, si nga jashtë ashtu edhe brenda. Shumë qytetarë perëndimorë janë të zhgënjyer nga forma demokratike e qeverisjes. Ndërkohë, Kina shfaqet mjaft krenare me alternativën e saj "kapitaliste autoritare" ndaj modelit amerikan. Kina është gjithashtu në prag të zëvendësimit të Shteteve të Bashkuara si ekonomia më e madhe në botë dhe së shpejti do të ketë aftësinë për të sfiduar dominancën ushtarake rajonale (por jo globale) të SHBA-së. Kina gjithashtu po krijon institucione shumëpalëshe, siç është Banka Aziatike për Investime në Infrastrukturë dhe vazhdon të zgjerojë shtrirjen strategjike dhe ekonomike në Evropë dhe Azi. Presidenti Xi e ka bërë të qartë se nuk e sheh Kinës thjesht si zëvëndësuese të Amerikës në udhëheqje e rendin ndërkombëtar liberal.

Kina ka thënë vazhdimisht vazhdimisht se rendi aktual është krijuar nga fuqitë perëndimore që kanë qenë fitueses kryesore të Luftës së Dytë Botërore. Por nuk është e qartë çfarë ndryshimesh specifike do të imponojë Kina për të tjetërsuar sistemin e rendit ndërkombëtar në të ardhmen. Shpresa e Kinës është që rendi i ardhshëm të jetë më i përshtatshëm për interesat dhe vlerat e saj kombëtare për shkak të përplasjeve me rendin e tanishëm ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut, të ankoruara në tre traktatet ndërkombëtare dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

Kina do të implikohet në rendin e ardhshëm ekonomik ndërkombëtar, duke përfshirë edhe OBT-në, veçanërisht çdo lufte tregtare të zhvilluar me Shtetet e Bashkuara. Sa i përket rendit të ardhshëm të sigurisë ndërkombëtare, ndodhemi në një terren tërësisht të pasigurt, i cili formësohet nga konturet e ardhshme të politikës së brendshme amerikane dhe asaj kineze. A do të dëshirojnë Shtetet e Bashkuara të mbeten polici global i zgjidhjes së fundit? Dhe a do të kishte Kina ndonjë interes për ta bërë të vetin këtë rol? Provat e deritanishme janë se Pekini nuk do.

E ardhmja e politikës së jashtme kineze

Trendet e Kinës nën udhëheqjen e Presidentit Xi po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Në shumë aspekte, ato janë rezultat i drejtpërdrejtë i strategjisë së Kinës për të përmbushuar aspiratën e saj shekullore për të fituar pasuri dhe fuqi kombëtare, duke u kthyer në ditët e fundit të dinastisë Qing. Në atë kohë, interesi i vetëm kombëtar i Kinës ishte ruajta e integritetit të saj territorial dhe sovranitetit politik kundër valëve të pushtuesve të huaj. Megjithatë, Kina nuk ka një shkrim historik nga i cili mund të mësojë se si të shfrytëzojë pasurinë dhe fuqinë e sapo krijuar për të udhëhequr rendin botëror. Ne sapo kemi hyrë në periudhën e tretë të njohjes së Kinës si fuqi globale, e cila nisi nga revolucioni kombëtar i Mao-s, vazhdoi me modernizimin ekonomik të Deng-it dhe mbërriti tek vizionin i Presidentit Xi./ForeingAffairs/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë