Pas tërmetit të fortë që tronditi mbrëmjen e së premtes Jugun e Shqipërisë, vendi ynë është goditur edhe nga dy lëkundje të tjera. E para ka qenë pak minuta më pas në orën 20:39 me orën lokale me magnitudë 4 dhe thellësi 44 km dhe është regjistruar pranë epiqendrës në detin Jon.
Lëkundja e dytë ka qenë në orën 04:12 të mëngjesit, 4 km në lindje të Borshit me thellësi 19 km.
Sizmiologu Rexhep Koçi sqaron për gazetën “Si” se lëkundjet sizimiologjike në jug të vendit janë aktivitete normale, pasi i gjithë territori i Shqipërisë preket nga tërmetet.

“Pjesa perëndimore duke nisur që nga Shkodra deri në Sarandë e më poshtë, Konispol deri në pjesën e jashtme joniane adriatike, është me aktivitet sizmik. Ka pasur periudha me aktivitet të lartë, periudha me aktivitet të vogël, të shpërndarë në mënyrë sporadike pa ndonjë rregull. Dhe kjo ngjarje që ka ndodhur dje është në vazhdën e këtyrë ngjarjeve të nivelit mesatar, të moderuar përsa i përket fortësisë. Se nuk e ka kapur manjitudën 5. Është 4,7.”- shpjegon eksperti Koçi.
Ai thotë se çdo ngjarje me manjitud mbi katër, shoqërohet gjithmonë më pas me goditje. “Fatmirësisht nuk ka patur shumë goditje. Sepse lëkundjet nuk kanë qenë të forta. Është normale që një aktivitet sizmologjik të shoqërohet me pasgoditje. Ka pasur raste që një tërmet i fortë të jetë shoqëruar me para goditje. Në rastin tonë nuk e kemi atë lloj trendi, por janë regjistruar disa pas goditje të vogla dhe të rralla në numër.”
Sizmiologu Koçi thotë se nuk është i mundur parashikimi nëse do të ketë aktivitete të tjera sizmologjike në vazhdim, por gjendja është në monitorim të vazhdueshëm. “ Kur ngjarje të tilla regjistrohen, lajmërojmë tek emergjencat civile. Që edhe ata të jenë në dijeni të aktivitetit sizmik”.
Tërmeti i ditës së shtunë me lëkundje prej 4.8 ballësh shkaktoi dëme në disa shtëpi. Ka pasur 4 banesa të dëmtuara lehtë si dhe një shtëpi e dëmtuar rëndë në fshatin Kuç. Epiqendra e tërmetit ka qenë 6 km në lindje të Himarës. Tërmeti është ndier edhe në Vlorë, Sarandë e Gjirokastër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




