Politike

A do kandidojë për Bashkinë e Tiranës? Paloka: Pse jo?!

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, kërkoi që deklarata e tij të mos shfrytëzohej si lajm edhe pse në përgjigjen e tij la shumëcka për t’u trajtuar si e tillë, kur u pyet nëse ai do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.

“Nuk dua të bëj lajm këtë, sepse nuk e kam menduar realisht, por nëse do të ishte e domosdoshme, pse jo?! Po nuk dua të bëhet lajm, sepse nuk e kam menduar dhe praktikisht nuk kam ndërmend të kandidoj për momentin, por çdo gjë mund të llogaritet për një qëllim më të madh e kam fjalën. Erion Veliaj duhet zhdukur sepse është apendiksi i Ramës në Tiranë, është ai që mbledh gjithë qelbësirat e Ramës. Mblidhen tek ky që është kryetar i bashkisë në Tiranë…”, tha Paloka.

Ai nënvizoi gjithashtu se fuqia më e madhe e PD-së është bashkimi me aleatët.

“Gjithnjë sidomos Sali Berisha ka qenë i bindur se aleancat janë fuqia e PD-së, edhe ato aleanca me ato parti që dikujt mund t’i duken të parëndësishme, unë këtë e kam nga bashkëpunimi me Berishën gjatë gjithë këtyre viteve, ai gjithnjë ka këmbëngulur  se edhe një individ sikur të afrohet jashtë PD-së, është e nevojshme dhe duhet të bashkohemi. Pra, nuk diskutohet bashkëpunimi as me Partinë e Lirisë dhe as me aleatët tanë tradicionalë që ishin në koalicion me ne edhe në zgjedhjet e fundit. Kjo është më shumë se e domosdoshme. Por ne synojmë përveç kësaj, me atë që tashmë është krijuar, me Frontin e Shpëtimit Kombëtar, të afrojmë rreth vetes të gjithë ata që janë kundër kësaj qeverie. Mund të kemi pikësynime të ndryshme politike, ideologji të ndryshme, qëndrime të ndryshme…

Edhe aty ku ka përplasje sigurisht, sepse ne qoftë se kemi të gjithë një qëllim të përbashkët, ne e shohim që për të gjithë qëllimet tona kemi një pengesë, kemi një të  keqe përballë që është Edi Rama. Pa u përmbysur kjo e keqe, asnjë nga këto grupime, asnjë nga këta individë, nuk do të arrijë ta gjejë veten. Pra, le të heqim këtë të keqe të madhe, t’u krijojmë mundësinë shqiptarëve të votojnë dhe pastaj të votojnë për kë të duan. Nga gjithë ky grupim, le të votojnë po deshën majtas, le të votojnë djathtas, të votojnë konservatorë, liberalë, kë të duan”, tha Paloka për Syri.net


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë