Nga Gazeta ‘Si’ – Largimi i Josep Borrell si kreu i diplomacisë europiane dhe zëvendësimi i tij me Kaja Kallas, u pa si një ndryshim ‘në formacion’ që premtonte jo pak për dialogun Kosovë-Serbi i cili prej kohësh ka ngecur në qorrsokak.
Me një histori të gjatë angazhimi kundër agresionit rus dhe mbështetjes së të drejtave sovrane të vendeve më të vogla, ardhja e Kallasit, në fakt që në krye të herës nuk u prit me shumë entuziazëm nga Serbia.
Ndonëse nuk duhet marrë apriori një presion më i madh i mundshëm ndaj Serbisë, mediat serbe, prej se emri i saj nisi të diskutohej jo-zyrtarisht në korridoret diplomatike të BE-së, ngritën pikëpyetjet nëse Serbia ka arsye për t’u shqetësuar.
E konsideruar si “Zonja e Hekurt” Kallas e cila aktualisht është e kërkuar në Rusi, ka qenë një kritike e zëshme jo vetëm e agresionit rus ndaj Ukrainës por sakaq edhe e lidhjeve të ngushta të presidentit serb Aleksander Vuçiç me homologun rus, Vladimir Putin.
Nga ana tjetër, Kallas ka zhvilluar disa takime të mëhershme me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Si në 2022-shin, ashtu edhe në 2023-shin, emëruesi i përbashkët në dy takimet ishin falenderimet për rreshtimin e Kosovës përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë.
Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Estonia kanë të kaluar të ngjashme historike dhe se Kosova e shikon Estoninë si një model në shumë aspekte të shtetndërtimit.
Ndërsa nuk dihet ende mesiguri nëse Kallas do të emërojë një tjetër emisar për Ballkanin Perëndimor në vend të Miroslav Lajçak (mandati i të cilit mbaron këtë janar) apo do të marrë vetë ‘frerët’ e dialogut, është pak por e sigurt që në 2025 asaj do t’i duhet të adresojë disa sfida kyçe:
Sfida 1: Jo vetëm Banjska, por edhe Zubin-Potoku
Në një takim njëditor të zhvilluar më 3 dhjetor në Bruksel, Kallas pasi foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, i theksoi Vuçiçit zgjidhjen e çështjes për sulmin e Banjskës që Serbia kreu në 2023-shin.
Mirëpo, ndërsa prej dy vitesh ndaj Serbisë nuk janë marrë masa për sulmin e Bansjkës, një shpërthim me eksploziv i ndodhur në Zubin Potok, dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit duke lënë Kosovën pa ujë dhe energji elektrike.
Qeveria e Kosovës e konsideroi sulmin si terrorist dhe deklaroi se pas tij fshihej shteti serb.
Të dy këto sulme në veri, sipas kryeministrit Albin Kurti, janë pasqyrë e pasojave të një qasjeje të zbutur të Bashkimit Europian ndaj Serbisë.
Referuar deklaratave të tij, për vite me radhë, Serbia ka përfituar nga politika akomoduese e BE-së, duke përdorur taktika provokuese për të forcuar pozitat e saj në dialog, pa u përballur me pasoja të rëndësishme.
Këto ngjarje, ndërsa kanë ulur besimin e Kosovës në rolin ndërmjetësues të BE-së, kanë nxjerrë gjithashtu në pah nevojën për një ndryshim qasjeje.
Sfida 2: Ngërçi në dialog
Në harkun kohor të një viti, takimet e mbajtura në Bruksel në nivel kryenegociatorësh përfunduan të gjithë shterpë përpos të fundit, të mbajtur më 18 dhjetor, ku të dy palët ranë dakord për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Megjithatë, edhe kësaj here me rezerva.
Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviç tha se bashkëpunimi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e personave të zhdukur do të vazhdojë vetëm falë përpjekjeve të Beogradit. Ai deklaroi se Kosova nuk do që të hapë arkivat e UÇK-së.
Dialogu ka mbetur peng i shumë neneve të pazbatuara të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërsa Serbia kërkon nga Kosova Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova insiston për njohje reciproke.
Sfida 3: Nevoja për një ndërmjetësues të paanshëm
Gjatë takimeve që Kallasi zhvilloi me liderët e Kosovës dhe Serbisë në dhjetor, Miroslav Lajçak nuk ishte prezent, gjë që mund të interpretohet si një shenjë se BE-ja po shqyrton riorganizimin e rolit të saj ndërmjetësues.
Ndërsa Kallasi ka nevojë për një ekip për Ballkanin Perëndimor, ajo duhet të jetë shumë e kujdesshme me emërimin e emisarit të ri.
Kosova nuk ka qenë e kënaqur nga Lajçak dhe e ka sfiduar hapur punën e tij. Sipas Prishtinës zyrtare, Lajçak ka mbajtur anën e Serbisë dhe nëpërmjet politikës ‘shkopinj dhe karota’, ka favorizuar ngahera shtetin serb.
Ndonëse ende nuk dihet shumë, në tryezat diplomatike diskutohet për një emër i cili që në krye të herës ka konfirmuar dëshirën e tij për të pasuar Lajçakun si i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun: Borut Pahor, ish-presidenti slloven.
Ndryshe nga Sllovakia e Lajçak që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Sllovenia e Pahor e ka mbështetur fort atë dhe ka lobuar shpesh për forcimin e pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare diplomatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.