Treg

Biznesi do taksohet për të mbajtur karburant rezervë për raste rreziku

Sabina Veizaj – Qeveria ka vendosur të krijojë agjencinë për krijimin, mbatjejn dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Ministria e Energjetikës ka hartuar projektligjin, i cili ka dalë për të kaluar përgjatë procesit të diskutimit.

Në relacionin bashkëngjitur draftligjit, argumentohet se përpos se përafron pjesërisht direktivën e Parlamentit Europian dhe të Këshillit, rregullon gjithashtu procedurat e nevojshme për përdorimin e rezervave të sigurisë në rast të reduktimit te papritur deri në mungesë të furnizimit të tregut me nënprodukte të naftës bruto.
Por kjo bazë ligjore detyron shoqëritë tregtare që do të ruajnë produktet e tyre, të paguajnë një tarifë, e cila me siguri do të reflektojë tek konsumatori fundor që janë qytetarët.

“Me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve te saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim. Kjo tarifë do të jetë pjesë e çmimit të karburanteve, e cila do të paguhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.”- citohet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Vladimir Puka
menaxher në Tetra Oil

Eksperti Vladimir Puka, menaxher në Tetra Oil sqaron për gazetën “Si” se ky projektligj është i vonuar në aspektin e përafrimit të ligjeve me BE-në. “Është një kërkesë ligjore për mbajtjen e rezervës së sigurisë që nuk është respektuar deri më sot. Është toleruar përmes mendimit politik, tregtar, etj. Tani janë pjekur kushtet për ta bërë realitet.
Për ta realizuar ka dy mënyra; ose ta menaxhoj një institucion shqiptar i administratës, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ose të gjendet një aktor i jashtëm (privat). A do ta rrisë koston e produktit? Natyrisht që kostoja e produktit rritet për çdo lloj kostoje shtesë që kompanitë hidrokarbure mbajnë mbi kurriz.”- thotë eksperti Puka.
Për të nuk është kostoja thelbi i krijimit të Agjencisë, pasi, argumenton ai, “ndoshta edhe deri më tani çmimet e karburanteve kanë qenë abuzive. Se sa transparente do të jetë Agjencia dhe si do të zbatohet ligji është tjetër diskutim.”


Zef Preçi, Drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike

Në këndvështrimin ekonomik, eksperti Zef Preçi e konsideron të panevojshëm krijimin e kësaj agjencie. Për të, krijimi i këtij entiteti përbën një ndërhyrje në jetën e biznesit si dhe një taksim shtesë mbi konsumatorët.

“Problemi i rezervës së sigurimit është zgjidhur drejt mbi bazën e ligjit të vitit 1999, por një ligj sado i mirë, nëse nuk zbatohet me korrektesë, nuk sjell pasojat e pritshme, siç edhe ka ndodhur me këtë ligj. Me këtë dua të them se përsa kohë nuk janë të qarta raportet midis tregtimit me shumicë dhe atij me pakicë të tregut të karburanteve (janë fshirë dallimet midis tyre); për sa kohë që ky treg funksionon si një oligopol; për sa kohë që disa licensa si për markimin, e me sa duket edhe për matjen (që është në proces) janë thjesht krijim monopolesh me ligj duke ndëshkuar financiarisht konsumatorin; për sa kohë që mas-media përdoret si mjet për të zbatuar praktika anti-konkurrencë (ndaj tregjeve dhe fiksim/nivelim çmimesh); për sa kohë që qeveria “shpik” taksa ndëshkuese për konsumatorët, por edhe që zbehin aftësinë konkurruese të ekonomisë kombëtare; për sa kohë që vendit i mungojnë thuajse tërësisht politikat e zhvillimit të sektorit të naftës e gazit si dhe investimet në këtë sektor, jam pesimist se krijimi i kësaj agjencie mund të zgjidhë problemet komplekse të tij.”- thotë Preçi.

Ai e argumenton skepticizmin e tij me problemet që lidhen kryesisht me politikat e zhvillimit të sektorit brenda vendit, me harmonizimin e politikave fiskale dhe ato të mbrojtjes së mjedisit me vendet e rajonit, e mbi të gjitha me rregullimin e tregut.
Për Preçin, një problem më vete përbën mungesa e transparencës, korrupsioni i gjerë në administrimin e aseteve publike dhe të burimeve natyrore në këtë sektor, si dhe inkompetenca e inspektoratit përkatës.

Projektligji

Nenin 4 i draftligjit përcakton “Krijimin e rezervave të sigurisë” që duhet të jetë të paktën 90 ditë e sasive te importeve mesatare ditore neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë te konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Metoda e llogaritjes përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Në bazë të Urdhrave të Ministrit, të cilat u janë dërguar shoqërive të tregtimit me shumicë, sasitë e nënprodukteve për detyrimin për mbajtjen e rezervës së sigurisë gjatë vitit 2018 Rezervat në Ton


Përbërja e rezervave te sigurisë te naftës bruto dhe nënprodukteve te saj : a) naftë bruto b) gazoil (diezel) c) benzinë automjetesh d) lende djegëse për mjetet e fluturimit ajror reaktive (kerozene) përveç këtyre produkte kryesore energjetikë mund te përfshihen GLN, GNL, gazi i rafinerisë (jo i lëngshëm), etan, ëhite spirit, benzine avionësh (jet fuel), tipe te tjera kerozene, solar, bitum, vajra lubrifikantë, dyllë parafine dhe koks i naftës.
Neni 6 trajton çështjet e delegimit te rezervave. Rezerva e sigurisë mund të
mbulohet pjesërisht nga një marrëveshje me afat te caktuar, ku sipas të cilës një person tjetër juridik merr përsipër detyrimin e mbajtjes dhe menaxhimit te rezervave te sigurisë dhe fiton të drejtën për të blerë sasitë e rezervave te sigurisë të mbuluara nga marrëveshja. Marrëveshja për rezervat e deleguara nënshkruhet midis Agjencisë dhe personit juridik dhe/ose operatorit ekonomik dhe miratohet nga Ministri përgjegjës për hidrokarburet.
Neni 7 përcakton mënyrën e marrjes së të dhënave për llogaritjen e detyrimit të mbajtjes së rezervës të sigurisë. Për llogaritjen e mesatares ditore të importeve neto të produkteve energjetike hidrokarbure të kërkuar, Agjencia merr të dhëna nga Autoriteti Doganor. Për llogaritjen e mesatares ditore te konsumit të brendshëm të produkteve energjetike hidrokarbure te kërkuar, Agjencia merr të dhëna nga institucioni i ngarkuar për hartimin e bilancit energjetik kombëtar. Të dhënat vjetore te kërkuara do të vihen në dispozicion të Agjencisë jo më vonë se data 1 shkurt të çdo viti.
Neni 9 merret me llogaritjen e sasisë së rezervave të sigurisë. Agjencia i paraqet Ministrit
propozimin për sasinë e rezervave të sigurisë për vitin aktual, jo më vonë se data
1 mars të çdo viti. Propozimi për sasinë e rezervës se sigurisë përcakton: a) Sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure në ton, qe do të miratohen për t’u mbajtur si rezervë sigurie për vitin aktual. b) Struktura e rezervës se sigurisë për vitin aktual. Metodologjia dhe procedurat për llogaritjen e detyrimeve për rezervat e sigurisë përcaktohen me Udhëzim te Ministrit.
Neni 10 i draftligjit përcakton që rafineritë e përpunimit të naftes bruto dhe
nënprodukteve te saj dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe
nënprodukteve të saj duhet të raportojnë në Agjenci brenda datës 15 të muajit
aktual, të dhënat qe lidhen me rezervat e sigurisë dhe rezervat tregtare të cilat
janë mbajtur gjatë muajit paraardhës.
Gjithahstu projektligji parashikon se mbajtja e rezervave të sigurisë mund të bëhet edhe jashtë territorit shqiptar në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe / ose nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, në bazë të një marrëveshje paraprake dypalëshe midis Republikës se Shqipërisë dhe shtetit në të cilin rezervat e detyrueshme e sigurisë duhet të ruhen. Rezervat e sigurisë që janë në pronësi të Shtetit Shqiptar duhet të jenë te siguruara në çdo kohë.
Operatorët Ekonomikë, të kontraktuar për ruajtjen e rezervave të sigurisë në magazinën e tyre, janë të detyruar: a) të jenë të pajisur me lejen e duhur për tregtimin me shumicë te naftës bruto dhe nënprodukteve të te saj, b) të mirëmbajnë cilësinë e rezervave të sigurisë në përputhje me rregullat mbi cilësinë e këtyre produkteve në Republikën e Shqipërisë. c) të lejojnë inspektimin pa asnjë lloj pengese të Agjencisë dhe përfaqësuesve të autorizuar të saj. Përfaqësuesit e Agjencisë, në çdo kohë, bëjnë verifikimin e cilësisë dhe sasisë në objektet e magazinimit dhe sigurojnë dokumentacionin e plotë lidhur me rezervat e sigurisë. Agjencia dhe Operatorët Ekonomikë që mbajnë rezervat e sigurisë, janë të detyruar të lejojnë përfaqësuesit e autorizuar nga Ministria për të kontrolluar dokumentet që kanë të bëjnë me rezervat e sigurisë si dhe magazinat dhe vendet ku mbahen rezervat e sigurisë.
Agjencia parashikohet të financohet nga a) Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë qe aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetikë hidrokarbure, b) Kreditë, c) Të ardhurat nga shitja e rezervave d) Të ardhurat nga shitja e shërbimeve.
Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës së sigurisë do të arkëtohen nga Autoriteti
Doganor gjatë mbledhjes së detyrimit doganor të mallrave me akcizë dhe paguhen në llogarinë e Agjencisë. Paguesit e tarifës se sigurisë janë të detyruar në bazë të bazës ligjore, që brenda afatit prej 30 ditësh pas përfundimit të muajit kalendarik në të cilin bëhet pagesa e kësaj tarifë, të dorëzojnë të dhënat në lidhje me pagesën e realizuar pranë Agjencisë.
Krijimi dhe mbajtja e rezervave specifike ka efekt te paktën 1 (një) vit
kalendarik.
Në rast të ndërprerjes së furnizimit të tregut me nënproduktet e naftës bruto, Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit, merr vendim për përdorimin e rezervave te sigurisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit i cili duhet te përcaktojë elementet: a) Arsyeja për përdorimin e rezervave te sigurisë, b) Afatet për lëvrimin dhe furnizimin për shitje te rezervave te sigurisë, c) Kushtet për përdorimin e rezervave te sigurisë d) Lloji dhe sasia e nënprodukteve të naftës qe do te përdoret, e) Veprimet e nevojshme për zëvendësimin e rezervës se sigurisë qe do te përdoret Rregullat dhe procedurat e hartimit te Planit Kombëtar te Rregullimit, përfshirë përcaktimin e çmimit te hedhjes ne treg dhe mënyrën e përdorimit te rezervave te sigurisë, përcaktohen me vendim te Këshillit te Ministrave.
Projektligji parashikon edhe penalitete. Gjobë në shumë prej 7 deri 10 % të të ardhurave totale të vitit fiskal të mëparshëm përfshirë vitin e kryerjes së kundërvajtjes, ose 50% të totalit të të ardhurave të realizuara për një periudhë më të shkurtër të vitit paraardhës të kundërvajtjes. Gjobë në shumë prej 3 deri 7 % të të ardhurave totale të vitit fiskal të mëparshëm përfshirë vitin e kryerjes se kundërvajtjes, ose 50% të totalit të të ardhurave të realizuara për një periudhë më të shkurtër të vitit paraardhës te kundërvajtjes. Përveç gjobës për kundërvajtje, personi juridik i cili ka kryer dy ose më shumë kundërvajtje brenda një viti, mund ti vendoset dhe një ndalim i përkohshëm për kryerjen e një aktiviteti te caktuar për një periudhë prej tre deri gjashtë muaj, dhe personit përgjegjës të personit juridik për të njëjtën kundërvajtje. Gjobat e parashikuar ne ketë nen jepen nga Agjencia. Të ardhurat e përfituara nga gjobat e vëna kalojnë ne Buxhet të Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë