Bledar Hoti-Shqipëria gjatë kësaj periudhe po i kushtohet marrëdhënieve me vendet e Lindjes dhe kjo si shihet si një busull e re politikës së jashtme që po ndjek Tirana zyrtare. Në kohën kur vendi po synon realizimin e reformave në drejtësi që lidhen edhe si pjesë e garancisë së investimeve të huaja, kryeministri, njëherësh edhe ministër i Jashtëm duket se po kërkon ndihmë drejt shteteve të Lindje së Mesme. Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu në intervistën e dhënë për Gazetën SI e sheh këtë lëvizje të kreu të qeverisë shqiptare që vjen si pasojë e një izolimi që shtetet të BE-së po i bëjnë Tiranës zyrtare. Gjithashtu ai thekson se Shqipëria duhet të ketë kujdes dhe me vendimet apo qëndrimet që mban si anëtare e Konferencës Islamike, pasi ato po bien ndesh me aleatin kryesor, SHBA-të. Të dëmshme Shehu e cilëson edhe qëndrimet në lidhje me ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, pasi kjo do të destabilizonte rajonin e Ballkanit.
Z.Shehu, Rama e nisi vizitën e tij si kryediplomat me një takim në Arabinë Saudite. Si e shihni ju një vizitë të tillë në raport me politikën e jashtme që duhet të ndjekë Shqipëria?
Unë nuk kam asgjë kundër vizitave, por e para këto janë të gjitha që kryeministri i realizon krejtësisht të pashpallura nga agjendat, objektivat dhe realisht edhe rezultatet. Dua të them këtë gjë që fatkeqësisht Shqipëria ka kohë që duket sikur ka një izolim nga vendet tona aleate, partnere kryesore të BE-së, ka një mungesë kontaktesh me këto vende. Aq më shumë që Rama ka zgjedhur dhe po zgjedh kohët e fundit që në momentet më të vështira të tij udhëtojë drejt vendeve të Lindjes dhe jo drejt Perëndimit, ku duhet të shkojë dhe të këshillohet dhe të marrë ato ide, të cilat përputhen me idetë demokratike europiane që janë në një linjë me vendin tonë. Ndërsa elementi tjetër që mua më shqetëson më shume është mungesa e plotë e investimeve nga Perëndimit drejt Shqipërisë, gjë që të gjithë këto bashkë flasim për një mbyllje dyersh që Perëndimi po i bën Ramës dhe politikës së tij. Kjo është një diçka shumë shqetësuese që shqiptarët duhet ta dinë mirë dhe ta llogarisin mirë dhe të reagojnë sepse ndryshe pastaj rrezikohet e ardhmja perëndimore dhe evropiane e Shqipërisë.
Mungesa e këtyre investimeve Perëndimore dhe ky izolacion që ju flisni është shkaku që po e detyron Ramën që të trokasë drejt vendeve të Lindjes?
Duhet të jemi realistë që kjo është një mbyllje dyersh qe Perëndimi i ka bërë Ramës dhe kjo vjen si pasojë e probleme të mëdha që janë ne vendin tonë me korrupsionin e lartë, me trafiqet, me dëmtimin e rregullave të demokracisë në Shqipëri, si edhe me ato të politikave të gabuara fiskale dhe me mungesën e së drejtës ndaj investimeve, me çështjet që lidhen me mos plotësimin e angazhimeve nga ana e Qeverisë shqiptare përpara investitorëve, gjë që ka bërë jo vetëm të mos ketë investitorë perëndimorë në këtë periudhë, por edhe ata që janë po dëshirojnë të largohen nga vendi ynë.
Z.Shehu, sa herë zhvillohen vizita të tilla nga ana e zyrtarëve shqiptarë ndaj vendeve të Lindjes, në Shqipëri hapet debati i pranisë së shtetit tonë në Konferencën Islamike. Shpeshherë është komentuar se Shqipëria nuk duhet të jetë anëtare e këtij organizmi…
Çështja nuk është e qenies ose jo anëtare në Konferencën Islamike. Çështja është se ne si shtet nuk duhet të jemi bashkautorë dhe të miratojmë vendime sa herë që mund të marrë kjo Konferencë në kundërshtim me interesat e partnerëve tanë kryesorë që janë SHBA dhe BE-së. Unë do të përmend këtu gabimin e madh të qeverisë shqiptare, e cila votoi dhe miratoi një rezolutë për çështjet e Lindjes së Mesme që godiste SHBA-të në dhjetorin e vitit të kaluar, gjë që ishte krejt e gabuar për ne dhe nuk kemi pse të përzihemi, përkundrazi qëndrimi jonë duhet të jetë gjithmonë në ndjekje të SHBA-së për çështjet e mëdha të politikës dhe sigurisë globale.
Po sa i përket linjës që duhet të mbajë Tirana zyrtare përpara faktorit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës sa i përket marrëveshjes me Serbinë dhe debatit për rishikimin e kufijve. Kemi dy qëndrime nga ana e drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar, kryeministri Edi Rama është në të njëjtën linjë me atë që po mban presidenti Hashim Thaçi për rishikim të kufijve. Ndërsa
Presidenti Meta shfaqet kundër kësaj ideje. Si e mendoni ju cili duhet të jetë qëndrimi i shtetit shqiptar në këtë çështje sensitive për rajonin e Ballkanit?
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm dhe duhet të shtyjë detyrimisht në njohjen reciproke të të dy vendeve. Dialogu midis të barabartëve për të zgjidhur problemet dhe për t’i hapur rrugë një të ardhme krejt perëndimore dhe evropiane në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Absolutisht ne mbështesim këtë dialog të plotë Serbi-Kosovë.
Ndërsa lidhur me konceptimin e kufijve, unë e gjykoj dhe konceptoj se kufijtë kanë një të ardhme ndryshme në rajonin tonë. Sepse kufijtë vetë në procesin e integrimit evropian zhvlerësohen për t’u zeruar pastaj kur vendet tona do të jenë anëtare të BE-së.
Të hapësh në këto momente idetë, konceptet e ndryshimit të kufijve padyshim që është një diçka që mund të çojë në një destabilizim të madh të rajonit. Është njëlloj sikur të hapësh “Kutinë e Pandorës” për rajonin tonë dhe asnjë nuk e di pastaj se kur do të përfundojë një gjë e tillë.
Pra në çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohen në zgjidhjet e problemit në mes dy vendeve, në çështjet e njohjes reciproke, në ato që ndihmojnë në integrim europian dhe në NATO mes tyre. Të kërkosh të kthehesh sot në konceptin e shteteve etnike është e gabuar dhe shumë e rrezikshme
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.