Sabina Veizaj- Në tetor të 2018-ës kryeministri Edi Rama do të zbulonte në rubrikën e tij “Përgjigjja Ime”, se vendimin për ndalimin e Lojërave të Fatit duhet ta kishte marrë më parë siç kishte premtuar, por ishte penguar në mandatin e parë të tij qeverisës nga koalicioni i atëhershëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“A e di sa janë punësuar nga janari në shtator? 26 mijë vetë dhe për këta nuk ka një X po ka një emër e mbiemër në Republikën e Shqipërisë. 240 mijë është paga më e ulët sot në vend, marrin ata që s’kanë zanat dhe as kualifikim. Kush i ka këto, merr shumë më shumë. Qindra miliona euro në vit që u merren familjeve do i shkojnë ekonomisë shtëpiake, s’do i marrë lumi. Do doja ta bëja më parë siç e kisha premtuar, por s’mundja dot se rezistenca ishte e madhe. Në mandatin e parë kisha rezistencë si pasojë e koalicionit qeverisës”, do ti përgjigjej kreu i qeverisë shqetësimit të një komentuesi për papunësinë që do të sillte mbyllja e pikave të basteve.
Ligji për ndalimin e lojërave të fatit u miratua të enjten e 25 tetorit me vetëm 75 votat e maxhorancës.
Sipas ligjit nga 1 janari 2019 duhet të mbylleshin të gjitha pikat e basteve, lojërat elektronike, si dhe kazinotë në qendrat e banuara.

“Tashmë nuk ka më asnjë ekuivok dhe 1 Janari 2019 është në këtë industri një epokë e re dhe jo vetëm në këtë industri, por është një epokë e re sociale… Nuk ka kthim mbrapa, në 1 janar këto kategori nuk do të ekzistojnë më në industrinë e lojërave të fatit. Pas datës 31 dhjetor 2018, asnjë shoqëri nuk mund të vendosë apo afrojë lojëra fati sipas konceptit VLT, përveç rasteve të kazinove në hotele me 5 yje. Këtu mbyllen të gjitha mundësitë”, do të thoshte nga salla e parlamentit Ministri i Financave i aso kohe Arben Ahmetaj.
Kryeministri Rama duke qenë i bindur se vendimin për mbylljen e lojërave të fatit e mbështeste mbi 70 për qind e popullsisë dhe 92 për qind e grave shqiptare, do ta konsideronte atë ditë këtë ligj, si një i tillë që shkon përtej të gjitha dallimeve të politikës dhe debatit të përditshëm politik apo shoqëror në Shqipëri.
Por menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, faktet po tregojnë se vesi i kumarit, ashtu si çdo ves tjetër, (siç do ta përkufizonte Aristoteli në epokën e antikitetit; “rrobë e së keqes”) e cila po u pat premisa të vishet, zor se ikën edhe me vdekjen.
Që prej një janarit kur ligji hyri në fuqi, policia ka raportuar të paktën 11 persona që janë proceduar penalisht.
Policia e Shtetit më 8 janar do të evidentonte 4 raste ; në Korçë, në Tropojë, në Berat dhe në Sarandë ku organizoheshin lojëra fati.
7 shtetas do të procedoheshin penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, si dhe do të sekuestroheshin në cilësinë e provës materiale 3 tavolina të përshtatura për lojëra fati, 5 njësi kompjuterike me 5 monitorë, pajisje elektronike, një tavolinë pokeri etj., të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Korçë do të procedoheshin 4 shtetas të cilët u kapën duke luajtur lojëra fati.
Në Tropojë do të procedohej penalisht një 36 vjeçar, pasi në lokalin e tij u konstatua një pajisje elektronike.
Në Sarandë do të procedohej penalisht një 50 vjeçare pasi nga kontrolli në mjediset e lokalit të saj, do të gjendeshin 5 njësi kompjuterike me monitorë, të cilat u dyshuan të përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Berat u procedua penalisht një 32 vjeçar, pasi në subjektin e tij do të konstatohej një tavolinë pokeri.
Policia gjatë kontrollit nëpër Shqipëri do të evidentonte më datën 18 janar 3 raste; në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.
Në Tiranë në biznesin e një 28 vjeçari do të gjendeshin dy tavolina pokeri dhe një valixhe me çipsa.
Në Elbasan në lokalin e një 26 vjeçari, do të konstatohej prej policisë që ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale do të bllokoheshin katër aparatura dhe një njësi kompjuterike, të cilat përdoreshin për lojëra fati.
Kurse në Vlorë, në lokalin e një 25 vjeçari do të gjendeshin dy pajisje kompjuterike pa dokumentacion, të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Policia e Elbasanit do të procedonte penalisht do ditë më parë një 53-vjeçar në kuadër të vijimit të zbatimit të planit të masave për evidentimin e rasteve të ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit.
53 vjeçari akuzohej për veprën penale të fshehjes së të ardhurave dhe organizim të veprimtarive të lotarive të palejuara.
Në cilësinë e provës materiale do ti sekuestroheshin një monitor dhe sende të tjera të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme.
Pasi janë proceduar penalisht personat në mjediset e biznesit të të cilëve janë gjendur edhe tavolina pokeri, Policia e Shtetit nuk është e qartë nëse pokeri klasifikohet si Lojë Fati apo si sport.
Burime konfidenciale për Gazetën Si thonë se pranë Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve ka mbërritur një shkresë zyrtare për përdorim të kufizuar me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili kërkon të dijë nëse pokeri klasifikohet si lojë fati apo si sport.
Kjo, pasi nga inspektimet në qarqet e vendit, citon shkresa, është identifikuar një fenomen i ri pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon aktivitetin e lojërave të fatit në vend, tavolinat e pokerit. Sipas shkresës së Policisë së shtetit që ka mbërritur në Ministrinë e Arsimit janë identifikuar gjashtë kafene me tavolina pokeri ku luajnë qytetarët; 3 në Berat, 2 në Tiranë dhe një në Fushë Krujë.
Sipas Ligjit Nr. 79/2017 PËR SPORTIN, pika 19 e nenit 1 citon se, “Sport” është tërësia e veprimeve psiko-fizike, që synojnë zhvillimin e ushtruesve, argëtimin, edukimin, ruajtjen dhe forcimin e shëndetit, përmirësimin e mirëqenies së gjithanshme të tyre dhe arritjen e suksesit në garat sportive.
Kurse pika 20 e të njëjtit nen citon se, “Sportist” është individi, ushtrues i një sporti në forma të ndryshme, i anëtarësuar në një organizatë sportive.
Pokeri i përshtatet kësaj kategorie, me përjashtim të aktivitetit fizik. Megjithatë nuk është pranuar si sport.
Me poker universalisht njihet emri i përbashkët nën të cilin përfshihen një numër lojërash me letra, ku lojtarët vënë baste mbi fuqinë e letrave që ata mbajnë në duar.
Në Poker bastet e të gjithë lojtarëve përfshihen në një “pjatë” të përbashkët, e cila i jepet lojtarit që mban kombinimin e letrave të rangut më të lartë në fund të një dore, ose vë një bast që kundërshtarët nuk janë të gatshëm ta barazojnë. Të gjitha lojrat e pokerit fillojë me disa baste të detyruara. Këto baste të detyruara janë “small blind” dhe “big blind” (dhe nganjëherë edhe ante). Në çdo lojë pokeri, lojtarët përdorin në mënyrë strategjike një sërë veprimesh në dispozicion të tyre.
Besohet gjerësisht se një lojë e ngjashme me pokerin është luajtur diku nga vitet 969 p.k në Kinë, ku në bazë të gojëdhënave perandori Mu-tsung e ka luajtur në natën e ndërrimit të viteve me bashkëshorten e tij.
Pokeri është i lejuar në botë, madje përtej kufirit organizohen edhe kampionate.
Në 2017-ën shqiptari Toni Sinishtaj ka fituar kampionatin e pokerit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mbi 600 mijë dollarë.

“Kjo ishte një fushë e vështirë drejt, poshtë, shtrirje, por kam marrë kartat e duhura, pak me fat pak, pak pafat. Në fund të ditës ka ndodhur ashtu siç kam menduar dhe kam dashur unë të ndodhë dhe kam dalë në krye”, do të thoshte Toni pas fitores.
Një budist, lojtar pokeri, Scott Wellenbach do të fitonte do kohë më parë vendin e tretë
në një turne pokeri në Bahamas me një shumë 671.240 dollarë. Të gjitha të ardhurat që fitoi ai do të thoshte se do ti dhuronte për bamirësi, ndërsa është konsideruar nga njerëzit si ‘hero’.

“Duke qenë praktikues i budizmit, ne ulemi dhe meditojmë shumë, kjo është falas”-do të thoshte ai pas fitores.
Kur nuk luan poker, Wellenbach punon si përkthyes i teksteve budiste tibetiane dhe sanskrite për një organizatë jo-fitimprurëse fetare.
Në Shqipëri ekziston një shoqatë pokeri e cila quhet Albania Poker Sport Assosiation, e cila në llogarinë e saj në facebook ka publikuar për herë të fundit video nga protesta e studnetëve në mesdhjetor.
Vihet re në postimet e shoqatës kundërshtia ndaj ligjit për mbylljen e lojërave të fatit dhe mbështetja ndaj protestave të ndryshme të organizuara në vend përgjatë vitit që lamë pas.
Ne nuk e dimë se ç’përgjigjje do ti kthejë Ministria e Arismit Rinisë dhe Sporteve, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por ajo që dimë me siguri është që vesi bëhet akoma më kryeneç, atëherë kur ndalohet më fort.
Historia e Shqipërisë me kumarin
Historia nuk është e vonë. Qysh herët bixhozi është konsideruar si plagë sociale.
Në një shkrim arkivor për TV Scan, gazetari Kreshnik Kuçaj rrëfen se, pas shpalljes së Pavarësisë në 1912, rezulton se kafenetë kanë qenë kryesisht vendet ku zhvillohej më shumë kjo veprimtari, por nuk kanë munguar rastet kur personazhe të pushtetshëm të asaj periudhe i kishin kthyer shtëpitë në “kazino” shumë të frekuentuara.
Kjo problematikë është evidentuar shpesh edhe në shtypin e kohës.
Dhe si pasojë nuk kanë munguar as përpjekjet e vazhdueshme për frenimin e këtij fenomeni në Shqipëri. “Përpjekjet e atyre viteve kanë qenë në dy drejtime; nga njëra anë ka pasur tentativa për ndalimin e bixhozit e nga ana tjetër për vendosjen e tij nën kontroll”- citohet në shkrim.
Ndër përpjekjet e para për të ndaluar bixhozin në Shqipëri është ajo e vitit 1914 nga forcat ushtarake holandeze që ishin në Shqipëri për ruajtjen e rendit publik dhe riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare që solli princ Vidin në drejtimin e vendit. Referuar raportimeve gazetareske të kohës, bixhozi në këtë periudhë ishte kthyer në një problematikë serioze dhe nëpër kafene luaj aq shumë bixhoz sa gdhihej gjithë natën.
Gjatë kësaj periudhe, rezulton se ligjërisht u ndalua plotësisht bixhozi në vendet publike e për shkelje të ligjit, ndëshkimi ishte burgosja.
Bixhozi vijoi të ushtrohej në vitet e mëvonshme. Ajo që diskutohej në vitet pasardhëse do të ishte më shumë vendosja nën kontroll e shitblerjes së letrave të bixhozit.
Në vitin 1922 do të miratohej vendosja e monopolit shtetëror për letrat e shkrepëset, duke përfshirë në këtë ligj edhe letrat e lojës apo të bixhozit.
Më pas tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme nëpër kafene e mjedise të tjera publike do të kthehej sërish në një problematikë serioze, aq sa në parlament do të shkonte një propozim konkret për ndalimin e të gjitha lojërave, të paktën në orarin e punës.
Propozues i nismës do të ishte deputeti Hiqmet Delvina, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Bilbili i Zogut”.
Projektligji parashikonte dy ndëshkime; burgun dhe gjobën.
Në një prej seancave të mbajtura në nëntor të 1933 do të diskutohej një projektmarrëveshje që ishte nënshkruar mes ministrit të Financave dhe një tregtari me banim në Durrës për ngritjen e një hotel të rangut të parë me kapacitet 100 dhoma fjetje me të gjithë kushtet e nevojshme, brenda të cilit të kishte një kazino të madhe, salla dëfrimi për ballo, një bar, një teatër dhe kinema.
Projekt koncesioni ishte lidhur mes zotit Kristaq Zagoridhi (tregtar) dhe ministrit të Financave Abdurrahman Dibra. Projekti ishte ambicioz e parashikonte ndërtimin e një resorti të ngjashëm me ato në MonteCarlo apo edhe SanRemo.
Marrëveshja në fjalë parashikonte se qeveria shqiptare merrte përsipër që t’i akordonte koncesionarit të drejtë ekskluzive të ushtrimit të lojërave të fatit për një afat 33 vjeçar e të mos jepte asnjë koncesion e leje të tjera për këtë qëllim.
Mbi të ardhrat bruto të përvitshme të kazinosë koncesionari detyrohej të pagunte 10 % të të ardhurave.
Në vitin 1937, kryeministria do të vlerësonte nismën e Ministrisë së Brendshme për ndalimin e plotë të bixhozit për popullatën dhe nëpunësit. E në këto kushte, kryeministria shqiptare do t’u drejtonte një qarkore të gjitha ministrive dhe drejtorive të rëndësishme, deri edhe drejtorisë së Reformës Agrare,me të cilën kërkonte që t’i jepej urdhër i prerë të gjithë nëpunësve që kishin në varësi që të mos luanin më bixhoz pasi po u kapën duke luajtur do të hetoheshin, nxirreshin para gjyqit e ndëshkoheshin sikurse parashikonte ligji.
Gjatë periudhës së pushtimit kundra bixhozit rezulton se nuk janë marrë masa ndëshkuese dhe se veprimtaria është ushtruar lirisht, madje edhe në qendër të kryeqytetit.
Gjatë regjimit komunist, bixhozi ishte i ndaluar rreptësisht, por sërish nuk kanë munguar bastet ilegale apo lojëra të tjera të cilat në rastet që janë evidentuar, kanë sjellë burgosje afatgjata me këtë akuzë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




