Në një hangar të një ferme shpezësh, në të dalë të Kolçesterit, në Anglinë juglindore, mijëra pula qëndrojnë mbi pirgjet e jashtëqitjeve të tyre. Facilitetet nuk do të pastrohen derisa shpendët të jenë vrarë, që do të thotë se ata vuajnë nga djegiet e amoniakut dhe kanë vështirësi në rritjen e puplave. Milingonat dhe krimbat zvarriten mbi trupat e atyre, që nuk ia kanë dalë dot deri te therja. Industria e pulave është biznes i pistë, por edhe shumë fitimprurës. Në OECD, një klub i përbërë kryesisht nga shtete të pasur, konsumi i mishit të derrit dhe të lopës ka mbetur i pandryshuar, që prej viteve 1990. Konsumi i pulave është rritur me 70 përqind . Njerëzit gëlltitin aq shumë pula, sa shpendët tani kapin shifrën 23 miliardë, prej 30 miliardë kafshëve të tokës, që jetojnë në ferma.
Sipas një studimi të kohëve të fundit nga Carys Bennett, në Universitetin e Leiçesterit, masa totale e pulave të fermave e tejkalon atë të shpendëve të tjerë, të kombinuar së bashku, në planet. Në Londër, afro 80 kilometra në perëndim të Kolçesterit, dyqanet me pula të pjekura janë të kudogjendura. Shumica janë emërtuar sipas shteteve amerikane, si Kansas, Montana e Kentaki. Por fëmijëve të shkollave dhe festuesve të netëve të vona, emrat nuk u bëjnë përshtypje. As nuk shqetësohen se nga u vjen vakti. E përse duhet fundja? Pula është e lirë dhe e shijshme. Pesëqind gramë mish shpeze në Amerikë, tani kushton 1.92 dollarë, një rënie me 1.71 dollarë, qysh prej viteve ’60 (pas rregullimeve për inflacionin). Ndërkohë, çmimi i mishit të lopës ka rënë me 1.17 dollarë gjysmë kile, në 5.80 dollarë. Ithtarët e pulës së lirë duhet të falënderojnë mbarështimin përzgjedhës. Në vitet ’40, Amerika prezantoi një seri konkursesh për fermerët, të njohur si “Pulat e së Nesërmes”.

Synimi, siç përshkruhej nga një gazetë e kohës, ishte të prodhohej “një shpend mjaftueshëm i majmë për të gjithë familjen – një pulë me mish gjoksi aq të trashë sa mund ta ndaje në feta, me minimumin e kockës të zhytur në shtresat e mishit të shijshëm e të errët dhe e gjitha kjo, që të kushtonte më pak. Rezultati ishte diçka në kufijtë e zogut modern të pulës. Që atëherë, pulat vetëm janë bërë gjithnjë e më të mëdha. Një studim, nga Martin Zuidhof i Universitetit të Albertas, e dokumentoi këtë ndryshim duke krahasuar pulat që ishin mbarështuar në mënyrë përzgjedhëse, më 1975, 1978 dhe 2005-ën.
Autorët zbuluan se kur ishin 56 ditëshe tre shpendët kishin peshë mesatare përkatësisht 900 gramë, 1.8 kilogramë dhe 4.2 kilogramë. Duke qenë se rritja e një shpendi të madh është më efektiv sesa rritja e dy të vegjëlve, tani fermerëve u duhet vetëm 1.3 kilogramë drithë për të prodhuar 1 kg pulë, shumë më pas se 2.5 kilogramë drithë, që shpenzohej më 1985-ën. Përdorimi i vazhdueshëm i antibiotikëve do të thotë se, fermerëve nuk u duhet të shpenzojnë më shumë kohë të shqetësohen rreth mirëqenies së pulave. Përpara Luftës së Dytë Botërore, shumica e shpendëve rritej në ngastra të vogla. Fermerët mbanin pulat për vezët dhe e shisnin mishin e tyre, kur ato vjetroheshin dhe nuk ngrohnin më vezë. Por profilaktikët u kanë lejuar fermerëve t’i paketojnë pulat në kushte, që dikur konsideroheshin tejet të ngushta e të pista. Shpezët e rritur në zona më të dendura nuk lëvizin shumë dhe hanë më pak.

Fermerët kanë përfituar gjithashtu nga reputacioni i shëndetshëm i pulës. Në vitet 1980, mjekët ngritën shqetësimin se duke ngrënë shumë mish lope dhe derri, njerëzit gëlltisnin shumë yndyrna të ngopura, që atëherë mendohej se rriste rreziqet e sëmundjeve të zemrës. Këto frikëra janë zbehur prej asaj kohe, por prova të reja tregojnë se mishi i kuq mund të rritë mundësitë për kancer të zorrës së trashë, tek njerëzit. Krejt në të kundërt, imazhi i shpezëve si mish i shëndetshëm ka mbijetuar i pacenuar.
Çaponj dhe pupla
Nuk janë vetëm ngrënësit e zhurmshëm të Perëndimit që parapëlqejnë gjithnjë e më shumë pulën. Të ardhurat në rritje tregojnë se kërkesa për mish po rritet edhe më shpejt, në vendet e varfra. Si rezultat, pulat janë tanimë mishi më i tregtuar në botë. Në terma ekonomikë, janë në fakt, e kundërta e makinave. Ato prodhohen të plota. Por vlera e tyre, maksimizohet kur ndahen. Ndërsa perëndimorët preferojnë mishin e bardhë, pa dhjamë, shumë në Azi dhe Afrikë parapëlqejnë mishin e errët, që përfshin këmbët dhe kofshët. Këto parapëlqime pasqyrohen tek çmimet vendase: në Amerikë gjokset janë 88 përqind më të kushtueshme sesa këmbët; në Indonezi janë 12 përqind më të lira. Dallimet në çmimin e këmbëve të pulës janë edhe më të ngurta. Mendimi i të ngrënit të çaponjve është e neveritshme për shumë perëndimorë, por shpesh përdoren për receta kantoneze. Kina importon 300 mijë tonë “kthetra feniksi” çdo vit.
Fakti se vende të ndryshme janë të specializuar në lloje të ndryshëm prodhimi, gjithashtu e forcon tregtinë. Amerika dhe Brazili, dy eksportuesit më të mëdhenj të pulave në botë, janë centrale agrikulturorë, që rrisin sasi të mëdha të ushqimit, kostoja kryesore e prodhimit të shpezëve. Tajlanda dhe Kina, në dallim, dominojnë tregun e mishit të përpunuar që kërkon krah pune të lirë dhe të aftë. Rusia dhe Ukraina, dikur importues të pastër të pulës, janë bërë eksportues të pastër, me rritjen e industrisë së drithit. Prodhuesit që e shesin mishin jashtë vendit, e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve. Pulat kanë qenë një pikë e nxehtë në marrëveshjet tregtare. Kina i ngarkoi tarifa shpendëve amerikanë më 2010-ën dhe më pas ndaloi të gjitha importet, më 2015-ën, menjëherë pas një shpërthimi të gripit të shpendëve. Vëzhguesit e industrisë janë pesimistë se kjo ndalesë do të ngrihet, më shumë për frikën e fermerëve amerikanë që do të donin të paguanin më shumë për 20 miliardë këmbët e pulave që prodhojnë çdo vit, që aktualisht bëhen ushqim për kafshët.

Ngjashëm, Bashkimi Europian ndaloi importin e pulave amerikane të klorinuara, më 1997-ën, për shkak të shqetësimit se larja me klor lejon standarde më të ulëta higjiene në ferma. Argumentet mbi pulat e klorinuara gjithashtu tregoi një bllok të madh pengues në marrëveshjet për Tregtinë Transatlantike dhe Partneritetin e Investimit, një marrëveshje tregtie tashmë e dështuar, mes Amerikës dhe BE-së. Disa britanikë druhen se nëse e lënë BE-në, çdo lloj marrëveshje tregtie e nënshkruar me Amerikën do t’u kërkojë të pranojnë importin e pulave të tilla. Megjithëse bumi i pulave ka qenë i mirë për konsumatorët, avokatët e mirëqenies së kafshëve shqetësohen se masa e uljeve së kostove në industrinë e mishit, janë marrë në kurriz të shpendëve. Vicky Bond e “Humane League”, një grup fushate mbi mirëqenien e kafshëve, thotë se përmasa e pulave moderne është shkaku i problemeve më të këqija. Zogjtë kanë muskuj gjoksi, shumë të mëdha për t’u mbajtur nga kockat e tyre, duke çuar në çalim. Në Kolçester, pulat janë aq jo reaguese ndaj njerëzve sa ngjajnë si mumie. Në fakt, pulat moderne janë bërë aq të mëdha, sa muskujt ua ndalojnë të ngjiten mbi njëri-tjetrin për t’u çiftuar ( që do të thotë se duhet të jenë të uritur, përpara se të marrin në konsideratë romancën.)

Pjesërisht, për shkak të advokimit nga fondacionet për mirëqenien e kafshëve dhe pjesërisht për shkak se mishi është bërë aq i përballueshëm, shumë konsumatorë janë të gatshëm të paguajnë për mish, të rritur në kushte më të mira. Shitjet e pulave të rritura në fusha dhe ato organike, që – ndryshe nga shumica e zogjve – kanë liridalje në mjedisin e jashtëm, po rriten. Në Holandë, një protestë publike e kohëve të fundit mbi një “plofkip” gjigant ( që përkthehet si “pula të shpërthyera”) ishte aq i madh sa shitësit me pakicë u drejtuan në turma tek pulat e rritur më ngadalë. Aksionet e Plofkip në tregun holandez ranë nga 60 përqind më 2015-ën, në 5 përqind më 2017-ën. Në Britani, shitjet e vezëve të fshatit i kanë tejkaluar ato të pularive. Shqetësimet rreth shëndetit të gjësë së gjallë ka bërë që, BE-në të kalojë disa nga ligjet më të forta në botë, për mirëqenien e kafshëve. Kafazet në seri, për pulat që vënë vezë u ndaluan më 2012-ën, për shembull. Reformat legjislative kanë qenë më të vështira për të mbërritur në Amerikë, veçanërisht në nivelin federal.
Avokatët e mirëqenies së kafshëve ankohen për sistemin me kongres të vendit, u që jep pushtet të shpërpjesëtuar shteteve rurale. E megjithatë, një ndryshim i rrallë por domethënës, në nivel shteti, ndodhi nëntorin e shkuar, kur kalifornianët votuan kalimin e Propozimit 12, që do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e derrit, viçit dhe vezëve nga kafshët e mbajtura në kafaze, duke i çuar ligjet e shtetit në një linjë me ato të BE-së. Ndryshimi prek të gjithë prodhuesit e mishit, që duan të shesin në shtetin më të madh të Amerikës, duke ushtruar presion për ndryshimin e praktikave të tyre blegtorale. Kompanitë publike janë qenë më reaguese sesa ligjvënësit, rreth shqetësimeve të mirëqenies së kafshëve. Aktivistët kanë korrur sukses domethënës në vitet e fundit, duke i kërcënuar kompanitë me publikimin e imazheve aspak mikluese dhe videove që tregojnë sesi prodhohet ushqimi i tyre. Kërkimi nga “Open Philanthropy Project”, një grup që financon aktivistët e mirëqenies së kafshëve, sheh se fushatat tilla kanë shtyrë më shumë se 200 kompani amerikane – përfshi McDonald’s, Burger King dhe Walmart—të mos blejnë më vezë nga pula të rritura në kafaze serie, që prej vitit 2015.

Një ide po klloçit
Fermerët shfaqin më shumë interes në përmirësimin e jetës, së shpendëve të tyre. Richard Swartzentruber ka në pronësi dy hangarë me pula në Grinud, një qytezë në Delauer. Kompania Perdue Farms”, e cila furnizohet prej tij, “nuk i përdor më antibiotikët. Hangarët e pulave të z.Swartzentruber kanë plot dritare dhe dyer që hapen drejt fushës me bar, të gardhuar, sa herë që moti ua lejon. Kjo vjen edhe me anë të tjera: pulat mund të pëlqejnë të hipin në pemë, por ashtu bëjnë edhe skifterët. Brenda hangarëve, dengje kashte, kuti druri dhe platforma plastike shpërndahen për të argëtuar pulat. Këto masa e kanë ndihmuar të fitojë një certifikatë si fermer i mirë nga Partneriteti Global i Kafshëve, një organizatë bamirëse.
Bruce Stewart-Brown, një shkencëtar i sigurisë ushqimore në “Perdue Farms”, thotë se kompania e tij do të dëshironte të rriste më shumë pula organike. Aftësia e tij, për të siguruar mish organik të mirëqenies së lartë, shtrëngohet së fundi nga forcat e tregut, qëkur ushqimi i kërkuar ligjërisht kushton më shumë. Megjithëse shifra të mëdha njerëzish mund të donin të paguanin më shumë për produkte organike apo të rritura në gjendje të lirë, shumica preferojnë ende atë që është më e lira. Dhe, pavarësisht rritjes së interesit në vegjetarianizëm dhe veganizëm, vëzhgimet tregojnë pak fakte se, shumë njerëz në botën e pasur po kthehen në bimëngrënës. Njerëzit mund të pëlqejnë të flirtojnë me dietat me bazë bimore. Por ajo çka duan vërtet është pula.
*The Economist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




