Futboll

Dibala, ‘gladiatori’ që pason Mesin në majën e futbollit botëror

Ardit Hoxha – Në pamje të parë nga larg, Laguna Larga nuk dallon shumë nga qytetet e tjera të vogla të Argjentinës. Një qytet i rrethuar nga një peizazh agrikulturor, një shesh qendror, dy stacione karburanti, një shkollë, një muze dhe dy skuadra futbolli. Por ky qytet me shumë mundësi është i vetmi vend në Argjentinë, ku Lionel Mesi është futbollisti i dytë më i pëlqyer.

“Ky është qyteti i Paulos”- shkruhet në një tabelë gjigante në rrugën që kryqëzon tre qytetet më të mëdha të Argjentinës, Kordoba, Rozario dhe Bunos Aires. Kjo tabelë është vendosur aty dy vite më parë për datëlindjen e 23-të të sulmuesit të Juventusit, Paulo Dibala, që tregon kufijtë e mbretërisë së tij. Këtu, askush nuk e thërret sulmuesin 25-vjeçar nga mbiemri i tij.

Harta e qytetit Laguna Larga nga sateliti

Vetëm të ardhurit në këtë qytet ai është Dibala. Për 7,500 banorët e Laguna Larga, ai është thjesht Paulo. Ky është vendi ku ai u rrit, më i riu nga tre vëllezërit, në një qytet që më herët ishte i njohur për grabitjen e dështuar të një banke gjatë së cilës u morën 20 pengje.

Qyteti i lindjes dhe vdekja e babait

Laguna Larga, është një qytet i ndarë në dysh nga rrugë kryesore që ndajnë edhe dy klubet e futbollit të këtij qyteti njëra Sportivo dhe tjetra Njuell. Dibala i kishte prindërit nga të dyja anët e qytetit. Familja e nënës së tij ishte mbështetëse e Sportivo, ndërsa babai i tij, Adolfo dhe gjyshi, Boleslau, ishin tifozë të Njuell. Boleslau ishte një emigrant polak i cili ishte kapur dhe dërguar për të punuar në Gjermaninë naziste, por nuk gjeti punë kur u kthye në shtëpi pas Luftës së Dytë Botërore. Disa nga të afërmit e tij shkuan në Kanada. Ai zgjodhi Argjentinën, ku krijoi dhe familjen. Ai vdiq kur Paulo ishte vetëm katër vjeç. Paulo filloi të stërvitej që fëmijë me Sportivo, derisa mori një ofertë për t’u stërvitur me ekipin Instituto një nga klubet më të mëdhenj në Argjentinë, sigurisht jo në nivelin e Boka Xhunjors ose River Plejt. Babai i tij, Adolfo do ta dërgonte Paulon atje, të stërvitej dhe pastaj të kthehej prapa. Në total ishin 150 km rrugë që Dibala i bënte çdo ditë kushtuar ëndrrës së tij për futbollin. Kur Adolfo u diagnostikua me tumor, çdo gjë në jetën e tyre u shndërrua. Paulo, kur ishte 15 vjeç, organizoi një ndeshje bamirësie me Instituto në qytetin e tij në rrugën e Njuell, kështu që ai mund të qëndronte pranë babait të tij në ditët e tij të fundit.

Dibala me babain e tij

Karriera te Instituto

“Paulo ëndërronte që babai i tij do ta shikonte atë duke luajtur në nivelet më të mëdha botërore. Ishte një goditje e tmerrshme kur ai vdiq”, thotë Pablo Burzio, i cili debutoi së bashku me Dibala për Instituto në divizionin e dytë të Argjentinës. “Por ai vazhdoi të dilte dhe mori një vendim të vështirë që disa adoleshentë të tjerë nuk do të kishin qenë në gjendje ta merrnin nën ato rrethana: Të largohej nga mamaja dhe vëllezërit e tij për t’u stërvitur te Kordoba për të jetuar në akademinë rinore të Institutos”. Duke folur për revistën Vanity Fair, Dibala tha: “Vdekja e babait tim ishte një dhimbje e pabesueshme për mua. Unë gjithnjë mendoj për të dhe ia dedikoj të gjitha arritjet e mia atij, pasi shënoj gjithmonë e falënderoj, sepse jam i sigurt se ai është duke më parë. Është e pamundur të zëvendësohet babai.” Festimi me maskë që është bërë kaq shumë popullor tek të gjithë tifozët e Juventus, është një pasqyrim i atyre ditëve të vështira.

Dibala kur luante në Argjentinë te Instituto

“Si një tifoz i filmit The Gladiator, Paulo vendosi të mbante maskën e Maksimusit, për të provuar veten si një luftëtar dhe dikush që kurrë nuk do të dorëzohej”, thotë Markos Villalobo, autor i biografisë së Dibala. Ishte Vilalobo i cili i dha atij nofkën që ende mbetet sot – ‘La Joya’, e cila është titulli i biografisë së tij. “Ai ishte diamanti më i madh i akademisë së futbollit Instituto”, thotë Vilalobo. “E pyeta Paulon për këtë pseudonim një herë dhe ai qeshi dhe tha se i pëlqente.”

Si dy nga lojtarët më të mirë të klubit, Dibala dhe Burzio u strehuan nga një çift në të 70-tat e tyre, Faustina dhe Orlando, të cilët jetonin me mbesat e tyre. Ishte shumë më mirë se alternativat e tjera për të dy të rinjtë. “Ne ishim katër lojtarë në dy dhoma dhe morëm trajtim VIP me ushqim shtëpiak dhe ngrohtësi të familjes, krahasuar me akomodimin e klubit, ku duhej të flije në dhomat në e stadium”, thotë Burzio. “Sido që të jetë, Paulo ishte gati të bënte gjithçka për të përmbushur ëndrrën e tij dhe premtimin që i kishte bërë babait të tij.” 29 qershori i 2011-ës është një nga datat më të rëndësishme për Dibala. Filloi faza përgatitore me Instituto në kategorinë e dytë në Argjentinë. “Pablo Dyballa, datëlindja e vitit 1993, me numër njëmbëdhjetë”,- shkruante menaxheri Dario Franco në fletoren e tij, ndërsa përgatitej të shikonte lojtarët më të mirë të akademisë.

Dibala kur luante në Argjentinë te Instituto

Talenti i jashtëzakonshëm i Dibala ishte aq i qartë sa gabime të tilla të drejtshkrimit u korrigjuan shpejt. Dy muaj më vonë, sezonin që ishte gati për të filluar, Franko kishte probleme me përzgjedhjen e talenteve. Afrimi i një sulmuesi nuk u realizua, dy sulmues të ekipit të parë u lënduan. Franco, një mik i trajnerit të Lids Junajtid, Marselo Bielsa, u kthye tek i riu që e kishte impresionuar atë verë. Burzio, Nikolas Lopez Masri dhe një Dibala 17-vjeçar ishin përpara tij dhe ai duhet të zgjidhte njërin. Të gjithë ata, me flokë shumë të shkurtër, dukeshin si komando ushtarak. “Nuk ishte rastësi, por një ritual zakonor para fillimit të sezonit ku bëhej gjithmonë një prerje e tillë flokësh”, kujton Burzio. “Lopez Masri kishte gjithnjë flokë të shkurtër, por ishte paksa e vështirë një stil i tillë flokësh për mua dhe Paulon, që ishim mësuar të mbanim flokët shumë të gjatë dhe ato ditë na dukej vetja si të burgosur”.

Në sezonin, 2011-2012, të gjithë po e shihnin kategorinë e dytë, pasi për herë të parë në historinë e tij, ekipi legjendar argjentinas, River Plejt kishte rënë nga kategoria. Instituto e filloi shumë mirë atë kampionat. Mundën Hurakan 2-0 dhe Dibala luajti 71 minuta, duke marrë një karton të verdhë në debutimin e tij në futbollin profesional.

Por sidoqoftë, Dibala ishte gati ta merrte rolin e protagonistit.

Në atë sezon ai shënoi 17 herë në ligë. Ndër arritjet e tij më të mëdha ishin dy hat-tricks, një gjë që ishte arritur në një moshë më të re se vetë Diego Maradona. “Ai ishte një anësor i majtë natyror”, thotë Valter Saraço, trajneri i tij i parë në Instituto. “Ai ishte aq i shpejtë dhe aq i zoti në driblime saqë ai ia dilte që të mbante të njëjtin nivel si në ndeshjet brenda edhe në ato jashtë. Ai ishte një djalë i përulur, ai kurrë nuk ishte i pasjellshëm dhe u përball me presion natyrshëm, me një buzëqeshje. Disa lojtarë të talentuar, veçanërisht si fëmijë, janë gjithashtu rebelë, por rebelimi i Paulo dilte gjithmonë në fushë.”

Transferimi te Palermo

Interesi për Dibala sa vinte dhe rritej. Revista e futbollit “El Grafico” u përpoq të realizonte një reportazh të veçantë, të udhëtonte për në Laguna Larga për të mbledhur sa më shumë informacion, siç më herët kishin bërë në Rosario për Lionel Mesin. Vëllai i tij më i madh Mariano me respekt u tha gazetarëve se familja do të qëndronte larg nga dritat e medieve si fillim, sepse u shfaqja në kopertinën e një reviste kombëtare duke e krahasuar me Mesin ishte shumë për një fëmijë të ri që luante në kategorinë e dytë në Argjentinë. Por shumë shpejt bota e gjerë do të dëgjonte për këtë djalë shtatshkurtër. Instituto mori 3 milion euro kur e shitën Dibala një grupi privat investitorësh para përfundimit të sezonit. Në fillim u mendua se ata ishin një grup jo i besueshëm investitorësh, por në fund gjithçka u sqarua, pasi Palermo përfundoi duke paguar katër herë më shumë në prill të vitit 2012-të. Presidenti i këtij klubi Mauricio Zamparini pas blerjes pati thënë: “Ne kemi rrëmbyer Serxhio Aguerone ri nga duart e Interit, Paris Sënt Zhërem dhe Çelsit”.

Në sezonin e tij të parë në Itali, ekipi i tij, Palermo ra në Serinë B, por zhvillimi i tij nuk u ndal. Palermo do të rikthehej në Serinë A dhe do e mbyllte atë kampionat në vendin e 11-të. Nga kjo rënie në Serinë B, Dibala kishte mësuar se si të përballej me goditjet. Duke pasur ish-mesfushorin e Milanit, Xhenaro Gatuso si trajner e ndihmoi shumë argjentinasin edhe nëse metodat ishin jo shumë “korrekte”. “Ai do të më mësonte se si të shmangesha”, thotë Dibala në biografinë e tij “La Joya”. “Në seancat e stërvitjes, ndonjëherë ai do të më ndërhynte dhe do të më godiste kështu që të kuptoja se si të mbrohesha nga sulmet e mbrojtësve në Itali që janë shumë të ashpër.”

Shkëlqimi te Juventus

Dibala luajti ndeshjen e tij të fundit me Palermon më 25 maj 2015, si kapiten, dhe u hodh në ajër nga shokët e tij të skuadrës pas fishkëllimës përfundimtare. Juventusi kishte blerë kartonin e tij. Ata siguruan nënshkrimin me 21-vjeçarin për vetëm 32 milion euro dhe për “La Joya” do të fillonte një kapitull i ri. Në Torino, numri 21 ishte në dispozicion pas largimit të Andrea Pirlos për në SHBA. Dibala e mori atë. Më pas, me ikjen e Pol Pogba në Mançester Junajtid në vitin 2017, i dha shansin Dybalës që të mbante numrin 10. Një shans për të ndjekur gjurmët e atyre që e kishin veshur më herët këtë fanellë, si Mishel Platini, Roberto Baxhio apo dhe Alesandro del Piero. Dhe Dibala nuk zhgënjeu. Me llojin e lojës së tij si organizator, Dibala e ndihmoi Juventusin që të fitonte titullin e radhës.
Vetëm lojtarët më të talentuar dhe me mendje të ftohtë janë në gjendje të manovrojnë me topin në atë lloj forme siç e bën Dibala. Ai luan me topin, sikur ai të ishte një patate e nxehtë. Këtë aftësi të Dybalës, ish-shoku i ekipit të Njuell dhe miku Lorenzo Kortiano mund ta shpjegojë më mirë. “Një natë, ishim jashtë në fshat, kishim gatuar diçka në zgarë” thotë ai. “Ne gjetëm një top të vjetër dhe e spërkatën me vajguri, e vendosëm në zjarr dhe filluam të luanim. Me Paulo-n ne i bënim ato gjëra. Topi përfundoi duke shpërthyer, por ishte fiks në kohë që ne të hanim mishin në zgarë që u poq. Shumë njerëz më kanë thënë se Dibala i ka ndihmuar, por ai u ka kërkua atyre që mos të thonë asgjë, sepse ai nuk po e bën atë për publicitet” shton Vilalobo.

“Kjo gjë ne nuk na habit, sepse Paulo ishte gjithmonë kështu, nëse ai blinte një tortë, ai do të ndante me të gjithë ne. Kishte shumë raste kur ai i jepte këpucët për fëmijët e vegjël. Ky lloj karakteri nuk ndryshon kurrë, pavarësisht se sa i famshëm mund të bëhesh”, shtoi ai. Zërat e fundit të merkatos atë e kanë lidhur me Real Madridin, Mançester Junajtid, Sitin dhe Bajernin e Mynihut dhe vlera e tij llogaritet që të ketë shkuar 130 milion euro. Një shifër e tillë për shumë pak futbollistë mund të paguhet dhe Dibala mund të kalohet nga “yje” si Mesi, Ronaldo, Nejmar apo Kutinjo.

Roli si lider në kombëtaren e Argjentinës

Por nëse në klube i ka shkuar shumë mbarë, me kombëtaren për Dibala ka qenë pak më e vështirë. Për të shënuar golin e tij të parë ndërkombëtar, 25-vjeçari do duhej të priste nëntorin e kaluar kundër Meksikës, që erdhi pas 18 ndeshje me Argjentinën nën tre menaxherë të ndryshëm. Por nëse kjo statistikë mund t’ju duket e çuditshme, deklarata e mëposhtme mund të lërë shumë vend për të kuptuar mirë se çfarë ka ndodhur. “Mund tingëllojë pak e çuditshme, por është pak e vështirë të luash me Mesin, sepse ne të dy luajmë në të njëjtin pozicion”, tha Dibala në shtator të vitit 2017, përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. “Unë përpiqem t’i jap atij hapësirën, dhe unë jam i sigurt se jam unë që duhet t’i përshtatet atij, për ta bërë atë të ndihet mirë”.
Thashethemet se Barcelona po përpiqej ta nënshkruante me të ndikuan shumë psikologjikisht te Dibala. Ai nuk figuroi më në planet e trajnerëve Edgardo Bauza dhe Horge Sampaoli që pothuajse e la atë jashtë skuadrës në Kupën Botërore “Rusi 2018”. Në sesionet e stërvitjes para ndeshjes së Argjentinës kundër Islandës në Rusi, Sampaoli provoi 21 formacione të ndryshme të mundshme, por Dibala nuk ishte në asnjë prej tyre.
Ai do të shfaqej vetëm në ndeshjen finale të grupit kundër Nigerisë, kur Argjentina u shpëtoi nga eliminimi falë golit dramatik të Marko Rohos në minutën e fundit. Dibala nuk luajti sërish, edhe kur Argjentina u mund nga Franca në çerekfinale.

Pasi Mesi vendosi të ketë një pushim nga ekipi kombëtar dhe erdhi koha për rindërtimin e Argjentinës. Dibala ka marrë në rolin e liderit të brezit të ardhshëm, së bashku me sulmuesin 25-vjeçar të Interit, Mauro Ikardi. Nën drejtimin e trajnerit Lionel Skaloni, Argjentina po përgatitet për Kupën e Amerikës në Brazil në qershor nën barrën e rëndë të një periudhe 26-vjeçare mungese të titullit dhe ka humbur gjashtë finale në turnetë e mëdha që nga viti 1993. Edhe një herë topi do të jetë si një patate e nxehtë, por Dibala di shumë mirë ta luaj atë lojë të rrezikshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë