Nga Liridon Mulaj- Ajo ka lindur në Shqipëri dhe i përket minoritetit grek. Në moshën 13-vjeçare viziton për herë të parë Greqinë, në vendin amë për tu zhvendosur më pas atje. Është si ligji që herët a vonë gjithsecili kthehet në shtratin e vet. Por, siç duket, jeta e saj ishte e destinuar të ishte një udhëtim me disa stacione.
Greqishtja e saj vjen autentike, e gjallë, ashtu si edhe shqipja. Dhe nëse këto dy vende lidhen me kujtimet dhe formimin e saj, Brukseli është qyteti dhe vendi që i ka falur qetësinë dhe paqen. Për një ballkanase, paqja mbetet gjithmonë një utopi, por, siç duket, ajo, edhe pse me “tensione” të brendshme të mbartura ndër vite ka arritur t’i afrohet kësaj paqeje.
Eleana Zhako është diplomuar për Studime Europiane e Ndërkombëtare në Universitetin Panteion të Shkencave Sociale e Politike të Athinës dhe për Gjuhë shqipe e Letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo është specializuar për të Drejtën e Mjedisit e të Energjisë nga Universiteti Katolik i Leuven-it në Belgjikë dhe për Pedagogji Teatri nga Universiteti i Hapur i Qipros.
Ajo është përkthyese e dhjetëra librave nga shqipja në greqisht dhe anasjelltas. Gjithashtu shkruan poezi dhe prozë. Së fundmi, në Greqi është botuar libri i saj me poezi “Ekstromitrio”, çka në njëfarë mënyre vërteton edhe atë që ajo vetë shpreh: se Greqia është vendi i saj, vendi amë.
Në këtë intervistë për GazetaSi.al, Eleana Zhako rrëfen gjithçka: për “statusin” e të qenit minoritare në një vend si Shqipëria, por edhe për rikthimin e saj në Greqi, fillimisht ende si e huaj. Flet për përkthimet e saj që kanë lënë gjurmë te lexuesi, për përkatësinë kombëtare, por mbi të gjitha për atë shpirtërore, e cila për një poete dhe përkthyese të letërsisë është vendprehja , pasaporta e saj shpirtërore.
Ju keni lindur në Shqipëri, jeni nga minoriteti grek i Shqipërisë, ndërkohë jeta juaj ndahet mes Brukselit, Athinës dhe Tiranës. Gjithmonë kozmopolitizmi është avantazh, por në aspektin e shtëpisë dhe vendit , pra vendi që ju i përkisni, ku riktheheni gjithmonë kur kërkoni të gjeni veten, të sistemoni veten për një rinisje të re?
Po të ma drejtonit këtë pyetje vite më parë, do të thosha Athina, por pas 16 vitesh qëndrimi në Bruksel, besoj se i përkas më tepër Brukselit, jo vetëm në aspektin e kohëzgjatjes, por ngaqë gjithmonë kur kthehem nga aeroporti për në Bruksel, sapo i afrohem qytetit, gjithçka për mua merr trajta shumë familjare. Në çdo stinë. Por, besoj se kjo lidhet edhe me faktin, që asnjëra nga shtëpitë, as shtëpia ku banoj në Athinë dhe as shtëpia e mëvonshme e prindërve në Shqipëri, nuk kam mundur t’i jetoj gjatë dhe t’i ndiej plotësisht si të miat. Për sa kohë jetoja në Shqipëri, më shoqëronte gjithmonë ndjenja e përkohshmërisë në qytetin ku banonim dhe, që e vogël isha e ndarë mes dy botëve, asaj shqipfolëse dhe greqishtfolëse të Dropullit, ku kalova fëmijërinë dhe krejt pushimet shkollore. Për më tepër në Bruksel, lindi ime bijë, ajo tani është në klasë të gjashtë, dhe kam përvoja dhe ndijime më të prekshme. Ndonëse frëngjishten nuk e zotëroj si vendasit, kam shumë pak miq mirëfilli belgj, nuk i ndjek rregullisht lajmet dhe shtypin belg, kjo përkatësi brenda mospërkatësisë, më ndihmon të zbuloj anë të ndryshme të vetvetes dhe të njoh njerëz e gjuhë, që në Shqipëri e Greqi do ta kisha të pamundur.

Në Bruksel zbulova bukurinë e natyrës brenda në qytet, të shëtitjeve kuturu, të ndërtesave dhe shtëpive thuajse pa perde, ku mund të depërtosh me sy e mendje brenda dekorit të salloneve, gati si te filmi “Rear window” i Hitckock. Në Shqipëri dhe në Greqi ngarkesa psikologjike dhe emocionale që ndiej është shumëfish më e madhe, ndaj dhe për mua Brukseli është një lloj arratisjeje nga “rëndesa e papërballueshme e qenies”. Te njëra nga poezitë e mia, Itaka kthehet në numrin shumës dhe bëhet Itakat, por se cila Itakë do të mbizotërojë, këtë do ta tregojë koha dhe rrethanat.
Në ç’gjuhë ju ka ardhur të shkruani vargjet tuaja të para? Dhe kur them vargjet e para, kam parasysh mendimin tuaj të parë që doje ta shkruaje, ato vargje që lindën në nënvetëdije dhe më pas u konkretizuan.
Përçapjet e para në prozën e shkurtër, diku rreth të gjashtëmbëdhjetave, i kam bërë në shqip, por edhe ajo ishte më afër prozës poetike, jo tregimit të mirëfilltë. Ndërkohë që shoqet e mia shkruanin poezi, dhe poezi mjaft të mira, unë kisha bindjen absolute që s’më jepej për poezi. Poezi fillova të shkruaj krejt papritmas, dy vjet pas lindjes së vajzës në Bruksel, dhe vargjet e para që më erdhën, qenë në greqisht. Poezia e parë është autobiografike, nisur nga një përvojë personale dhe i kushtohet Gjigantit të Madh të Mirë të Roald Dahl, që në poezi shndërrohet në heroin e një djaloshi nëntëvjeçar. Është ndër të paktat libra që kanë mbijetuar nga fëmijëria ime dhe ka qenë dhuratë e gjyshit tim të ndjerë. Një pjesë e madhe e poezive të mia u kushtohet gjyshërve dhe në veçanti gjyshes, sepse ajo jetoi më gjatë dhe e jetova edhe si e rritur, edhe si nënë me fëmijë. Isha mbesa e fundit që arrita ta bëja stërgjyshe të një stërmbese më tepër. Jo më kot iu referova gjyshërve, pasi besoj që “mikrobin e letërsisë” e kam fituar falë viteve të fëmijërisë me ta, që në përfytyrimin tim ishin të magjishme.
Ka një raport të tendosur mes shoqërive tona, perceptimeve, mendimeve, retorikave, dogmatizmave, të cilat shpesh krijojnë një amulli mes marrëdhënieve Shqipëri–Greqi dhe anasjelltas. Si ndihet dikush që në gjak ka helenizimin, por në kujtimet e saj ka edhe Shqipërinë, të cilën e bart jo vetëm si vendlindje, por edhe si gjuhë?
Një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë jashtë apo që prindërit e tyre kanë kombësi të ndryshme, gati automatikisht kalojnë nga një vetëdije kombëtare e gjuhësore në tjetrën, duke i parë si plotësuese mes tyre, jo si përjashtuese. Kur jetoja në Shqipëri, e kisha më të lehtë të mbartja helenizmin si diçka të dallueshme, sepse në qytetin ku jetoja, njerëzit si unë përbënin pakicë. Asokohe helenizmi për mua reduktohej kryesisht në pjesën gjuhësore të të folurit greqisht në shtëpi dhe me të afërmit. Por, ama kur ndodhesha jashtë isha njësoj me gjithë të tjerët. Me largimin në Athinë, kjo ndryshoi kryekëput, sepse aty shumica e shqiptarëve të brezave të rinj, duke përfshirë edhe minoritarët, e flisnin greqishten më mirë se unë, aq sa nuk dalloheshin nga grekët. Lehtësimi më i madh për mua dhe familjet e tjera minoritare ka qenë fakti, që nuk na u desh të kalonim nga e njëjta procedurë dokumentash si shqiptarët që s’kishin kombësi greke, përndryshe për grekun e zakonshëm nuk kishte ndonjë rëndësi ndryshimi shqiptar-minoritar grek. Të gjithë i përkisnim një kategorie – asaj të emigrantit ekonomik. Nuk e di si do të ishte po të kisha jetuar në Janinë, ku ndryshimet janë më të vogla mes minoritarëve dhe janjiotëve në aspektin gjuhësor dhe zakonor, por në shumë raste sa më të mëdha janë ngjashmëritë, aq më e madhe është prirja diferencuese. Si konstrukt social ndihem më afër shqiptarëve, por në një kuptim më vetjak, jam më tepër greke, kjo për faktin se greqishtja dhe të vetëndjerit greke nuk janë të përftuara nga rrethana, si emigrimi i detyruar apo vullnetar, por janë pjesë e trashëgimisë familjare.
Krejt ndryshe nga reagimi masiv, kultura është një korsi që është krejt më vete. Këngët dhe letërsia greke janë adhuruar nga shqiptarët shumë e shumë vite më parë, e deri në ditët e sotme, ku edhe arti komercial grek i sotëm e gjen publikun shqiptar krahëhapur. Si mendoni se qëndrojnë këto dy vende në këtë raport? A është, sipas jush, arti ende në një gjendje transi në shoqëri, e cila na bën të harrojmë mëritë?
Arti na bën të harrojmë mëritë përkohësisht, funksionon si pompa e zjarrëfikëses. Shuhet një zjarr, ndizet një tjetër, rreziku i zjarrit është përherë aty. Në Shqipëri, arti dhe letërsia greke janë pritur me entuziazëm, pavarësisht se grekët shumë herë perceptohen si europianë të kategorisë së dytë në krahasim me vendet e tjera të Europës komunitare. Në Greqi, dekadën e fundit kryesisht, shumë artistë dhe më pak shkrimtarë me origjinë nga Shqipëria kanë bërë emër, çka solli një ndryshim të ndjeshëm në perceptimin kolektiv të imazhit të shqiptarit. Këta artistë e shkrimtarë, kanë mundur të afirmohen jo thjesht si individë me origjinë shqiptare, por përmes veprës së tyre kanë nxjerrë në pah tiparet, vlerat dhe origjinalitetin e kulturës shqiptare, kanë nxitur reagimin dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërisë greke në problematikat e tyre. Në fushën e letërsisë, për shkak të natyrës më specifike të saj, sepse nuk bën pjesë në kategorinë e arteve vizuale dhe performative, ky dallim cilësor bëhet më i vështirë, por edhe në letërsi, shkrimtarë të brezit të dytë të shqiptarëve, bashkërenditen krahas emrave të njohur grekë të brezit të ri. Për shkrimtarët shqiptarë që përkthehen në greqisht, vështirësia është më e madhe, sepse mekanizmat aktualë të promovimit të tyre nuk mjaftojnë, duhet një përpjekje e shumëfishtë.

Nuk është vetëm çështje steriotipesh, por lidhet kryesisht me mënyrën e funksionimit të tregut të librit. Në Greqi ka një prodhimtari shumë të lartë shkrimtarësh e studiuesish vendas dhe përkthimesh autorësh të huaj, ku sikurse edhe në Shqipëri përparësi kanë veprat e nominuara dhe ato që janë bërë të njohura ndërkombëtarisht.
Jam kurioz, duke qenë se ju i përkisni minoritetit grek në Shqipëri. Kjo pjesë e shoqërisë greke e mbetur jashtë kufijve, si është parë dhe gjykuar në Greqi, në shoqërinë atje? Cilat ishin mbresat tuaja të para kur shkuat për të studiuar në vendin amë?
Minoritarëve sikurse edhe shqiptarëve, u është dashur të minimizojnë lidhjen e tyre me Shqipërinë, sepse as greqishtja e tyre, as vetëdija e tyre greke ishin të mjaftueshme për t’u pranuar si të njëjtë nga shoqëria greke. Për më tepër, edhe ata i përkisnin kategorisë së emigrantit ekonomik dhe kjo kategori ndesh vështirësi integrimi e pranimi qoftë dhe në vende me traditë më të konsoliduar politikash emigracioni, jo më në një vend si Greqia, që pavarësisht anës perëndimore, ka një karakter të theksuar ballkanik. Siç e përmenda dhe në një nga pyetjet më sipër, e vetmja anë pozitive për ne ishte pajisja me leje qëndrimi, diçka që ne e konsideronim si detyrim të atdheut apo mëmëdheut tonë ndaj nesh. Por, për shkak të mungesës së nënshtetësisë greke, mundësitë tona për një vend më të mirë pune në sektorin privat ishin shumë të kufizuara, ndërsa në administratën publike akoma më pak, gati inekzistente deri vonë. Në Greqi kam shkuar për herë të parë në moshën 13 vjeçare si vizitore, sepse për familjen time ishte e paimagjinueshme të emigronim në Greqi si punëtorë krahu. Rrethana të tjera na shtynë ta linim Shqipërinë. Selaniku ishte qyteti i parë që kam parë në Greqi, dhe jo Janina, siç do pritej për shkak të afërsisë. Atëherë kontrastet ekonomike mes dy vendeve ishin të jashtëzakonshme në të gjitha kuptimet. Mbaj mend që një gazetare më pyeti se po të fillonte lufta mes dy vendeve, cilën anë do të mbaja. Unë isha thuajse fëmijë, sa trashanike dhe jo-profesionale nga ana e saj! Athinën m’u desh kohë që ta ndieja timen, por tashmë ndihem shumë e lidhur shpirtërisht me Athinën. Kam pasur plot episode të pakëndshme, por për mua Greqia ishte vendi im, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Ju së fundmi keni botuar në Greqi një libër me poezi. Pse keni preferuar të mos e prezantoni më shumë? Për këdo, një botim në Greqi, edhe për ju që jeni greke do të ishte një ngjarje për t’u gëzuar. Si vazhdon për lexuesin shqiptar tashmë ky konkretizim?
Nuk jam gati ende për një prezantim më të gjerë, kjo do vijë gradualisht. Vetë fakti që u botua nga një shtëpi me traditë të njohur në botimet poetike, më jep kënaqësi të brendshme. Për mua ka rëndësi në këtë fazë, që disa prej atyre që do e lexojnë librin, t’u shijojë poezia ime dhe ta vlerësojnë, qoftë në formë private, qoftë publike. Disa herë mbireklamimi mund të ketë efekt të kundërt, kur nuk mbështetet nga një grup i sprovuar lexuesish dhe kritikësh me ndikim në rrjetet sociale dhe në gazetat a revistat përkatëse. Duke qenë se jetoj në Bruksel prej shumë vitesh dhe qëndrimet e mia në Athinë janë të shkurtra, nuk kam mundësi që t’i ndjek nga afër zhvillimet letrare e kulturore të vendit.

Kjo vetvetiu më kufizon disi. Nuk mjaftojnë vetëm rrjetet sociale, janë një sërë faktorësh që duhet të bashkëveprojnë për të dalluar sadopak në morinë e poetëve vendas dhe atyre të përkthyer. Përsa i përket mundësisë së përkthimit e botimit të librit në shqip, vetëm një pjesë të tyre do mundesha të përktheja, sepse disa poezi janë language-poetry dhe më shumë se përkthimit, sjellja e tyre në shqip i shërben rikrijimit.
Pse “Ekstromitrio”? Çfarë nënkupton ky titull?
Eksomitrio është fjalë e përbërë dhe term mjekësor, që do të thotë “jashtë mitre”, “extra utero” në latinisht. Nuk kisha menduar këtë si titull fillestar, por tituj më të zakonshëm, si “Genesis” (që do të thotë lindje), “Terr i lagësht”, etj., por kur përpos titujve të tjerë, i dërgova “Eksomitrio” botuesit, ai zgjodhi këtë. I referohet shtatzanisë jashtë mitre, fetusi nuk zhvillohet brenda mitrës sipas procesit biologjik, dhe rrjedhimisht është e pamundur të mbijetojë, edhe ai, edhe nëna. Libri e merr titullin nga një poezi brenda librit me të njëjtin titull, ku flitet për poezinë e tretë të pashkruar të trilogjisë mbi një pemë, e cila dështoi, sepse u ngjiz jashtë mitrës (poetike). Kisha shkruar dy poezi paarardhëse mbi pemët në raport me njeriun, por që nuk i përfshiva në librin përfundimtar, ndaj dhe në njëfarë mënyre kjo poezi e pangjizur është homazh ndaj dy poezive të mëparshme të ngjizura. Libri përbëhet nga dyzetë e pesë poezi, të shkruara gjatë periudhës 2016- 2020 dhe shumë prej poezive të papërfshira mbetën në shënimet e mia ose humbën, por kjo nuk më trishton.
Edhe pse ju keni qenë krijuese që më herët, për ambientin publik shqiptar njiheni si përkthyese, mbase ndër të vetmet që kanë aftësinë të përkthejnë nga të dyja gjuhët. A ka qenë kjo që në krye të herës rruga që keni dashur të vini drejt lexuesit ose publikut për një masë më të gjerë?
Ndër të paktat tashmë, por jo ndër të vetmet sepse jam më e re në raport me përkthyes të tjerë, që prej shumë vitesh përkthejnë nga të dyja gjuhët, si: Arqile Garo, Andrea Zarballa, Petro Çerkezi, Telemak Koça, Niko Kacalidha, Stavri Dajo, Aristotel Spiro, Vangjel Zafirati, etj. E vërteta është se si profeson, përkthimi hyri disi aksidentalisht në jetën time, ngaqë studimet e mia bazë i përkasin disiplinave të tjera. Ishte nevoja për të mbajtur gjallë në formë aktive marrëdhënien time me letërsinë dhe të dyja vendet, Shqipërinë e Greqinë, që më shtyu drejt përkthimit. Ndoshta po të mos jetoja në Belgjikë dhe të vazhdoja të isha në Greqi, mos t’i isha futur rrugës së përkthimit dhe as të shkruaja poezi, të merresha më tepër me fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë kohës që isha studente në Athinë, kur studioja në bibliotekë, frymën e mbaja te letërsia; edhe kur blija gazeta, rubrika e parë që lexoja ishte ajo e kulturës. Herët a vonë, qoftë edhe si lexuese e ethshme, do drejtohesha kah letërsisë. Po të mos studioja disiplina të tjera dhe po të mos mbaja ndezur flakën e letërsisë, dyshoj se do isha bërë përkthyese në të dyja gjuhët.
Sa e vështirë është për një autor shqiptar të botojë në greqisht? Si është perceptimi i botuesve grekë për autorët shqiptarë? A ka një marrëdhënie metafizike që e krijon, deri diku, letërsia, apo ata e shohin ende si ekzotike?
Vështirësia nuk qëndron aq te botimi që mund të financohet edhe me mjete të pjesshme, sesa te promovimi i autorëve shqiptarë. Shumë botues grekë mund të jenë të interesuar të botojnë autorë shqiptarë, por duhet të marrin parasysh dështimin a suksesin relativ të kësaj ndërmarrjeje. Pyetja që shtrohet në këtë rast është a ia vlen të botohet një libër, qoftë edhe nëse e lexojnë njëzetë lexues? Roli i Institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore që mbështesin financiarisht kulturën, është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim dhe nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin financiar, që është shumë modest në shumicën e rasteve, por në bashkëpunim me shtëpitë e huaja botuese dhe ambasadat përkatëse, të angazhohen edhe në promovimin e autorëve, të cilët kanë nevojë për mbështetje më të gjerë. Shumë autorë shqiptarë janë botuar në greqisht, por përtej ndonjë jehone sporadike, letërsia shqiptare në Greqi, vazhdon të jetë kryesisht kadareane.

Ndërkohë ju shkruani edhe prozë të shkurtër, edhe poezi, siç e cekëm. Gjithashtu përktheni. Keni studiuar edhe teatër. Zotëroni disa gjuhë. Ku gjendet Eleana e plotë dhe vetja ?
Për momentin do desha të përktheja më pak dhe të lexoja më shumë, e kam shumë nevojë. Shumë herë përfytyroj udhëtime të gjata me tren, shumorëshe, që të kem mundësi të lexoj e të përfundoj librat që dua dhe që janë bërë aq shumë sa më duket sikur do më zënë përposhtë. Sepse përkthyesi do s’do, është i detyruar t’u kthehet e t’u rikthehet disa herë librave që përkthen dhe ka detyrime kontraktuale dhe shumë herë nuk arrin të lexojë në kohë reale prurjet e reja apo pengje të vjetra. Bëhet lexuesi ideal i librave që përkthen, sepse duhet të përkujdeset për detajin më të vogë në lexim e përkthim. Idealisht do desha të eksploroja më shumë botën e teatrit, të ndiqja më tepër shfaqje dhe zhvillimet rreth teatrit, por më kufizon edhe koha, edhe detyrimet e tjera profesoniale dhe familjare. Poezitë në greqisht, i kam nisur gjatë kohës që fillova masterin e teatrit. Leximet dhe papers që duhej të dorëzonim gjatë vitit, krijuan një terren frymëzues dhe e kam shijuar shumë periudhën e fillimit. E plotë nuk gjendem askund, plotësohem nga bashkimi i interesave dhe angazhimeve të ndryshme. Por, tundimi t’i lë të gjitha e të merrem me diçka më neutrale, shumë herë ngre krye.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



