Ne rrjet

“Nuk luaj kurrë për skuadrën e Gjeneralit Franko”. Trashëgimia (e majtë) që la pas Johan Cruyff

“Unë nuk do të luaj kurrë për skuadrën e Gjeneralit Franko”. Këto ishin fjalët e Johan Cruyff gjatë periudhës kur shkëlqente në fushën e blertë me Barcelonën, kohë në të cilën doli hapur pavarësisë për katalanasit, e që tregoi shumë në lidhje me bindjet e tij politike.

Deri në moshën 12-vjeçare ai u rrit në lagjen Betondorp të Amsterdamit, një lagje e populluar nga klasa punëtore. Përveçse u shndërrua në futbollistin më të madh në viteve 1970, ai u bë i famshëm edhe për bindjet e tij politike të majta.

Cruyff ndërroi jetë dy vite më parë në moshën 68-vjeçare, por në lagjen e tij të lindjes, Betondorp trashëgimia e bindjeve të tij progresive për politikat shoqërore vazhdon të qëndrojë ende e fortë.

Shtëpia e tij e fëmijërisë, “Apartamenti 32” jepet së fundmi me qira, por jo kushdo mund ta marrë atë. Cruyff ka vendosur një kusht të fortë dhe në banesën e tij mund të jetojnë të gjithë ata që kanë më pak se 40 mijë euro të ardhura vjetore. Sa më pak të jenë të ardhurat vjetore, aq më të mëdha janë mundësitë që apartamenti të të jepet me qira. Shifra prej 40 mijë eurosh bën pjesë tek rrogat minimale në Holandë.

Apartamenti 32 zotërohet aktualisht nga shërbimi social i strehimit, të cilit Cruyff ja dhuroi kur ishte gjallë. Në vitet e fundit të jetës së tij pati përpjekje dhe oferta të mëdha për ta shndërruar banesën e lindjes së tij në një muze, por që të gjitha këto oferta besohet se janë refuzuar nga ish-lojtari.

Sa u takon banorëve të rinj që do të ofrohen për të marrë me qira 2+1 e lindjes së Johan, u duhet që të jenë tifozë të flaktë të tij. Dy dritaret e mëdha të banesës janë të mbuluar me postera dhe citime të famshme të lojtarit të Barcelonës dhe kombëtares holandeze.

Shtëpia e Johan Cruyff

“Kur isha fëmijë, më shumë qëndroja jashtë duke luajtur futboll. Fëmijët e sotëm luajnë me telefonët dhe kompjuterat e tyre. Për këtë shkak, sot më shumë fëmijë vuajnë nga obeziteti, ndërkohë që zgjidhja është e thjeshtë: mësojuni fëmijëve në shkolla sesi të lëvizin, sesi të luajnë, sesi të praktikojnë sportin. Me pak mund e zgjuarsi, ne mund të krijojmë kushtet dhe një program për të gjithë nxënësit holandezë që të kenë mundësi të luajnë jashtë shtëpisë së tyre. Kjo mund të realizohet vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë”, është njëri prej citimeve të vendosura në dritaren e banesës.

Shtëpia është rikonstruktuar pasi të atit të Cruyff i eci biznesi familjar i shitjes së fruta-perimeve. Megjithatë, babai, Hermanus Cornelis Cruyff do ta braktiste shpejt. Ai vdiq në vitin 1958 si pasojë e një ataku kardiak. Cruyff rrëfente më vonë se pasi mbushi 45 vjeç ka jetuar me ankthin se edhe ai do të vdiste i ri.

Pas tragjedisë, mamaja e tij u zhvendos disa lagje më tutje, ku nisi një punë si pastruese në klubin e Ajaksit. Në të njëjtën periudhë, djali i saj kishte nisur të shkëlqente me të rinjtë e skuadrës. Studentëve në këtë akademi u sigurohej strehimi falas për pesë vite me kushtin që të punonin në komunitet. Këtë bëri edhe Johan.

Ai ishte origjinal në stilin e tij të lojës, por po aq origjinal edhe në stilin e jetës, duke mbajtur mbi shpinë një ves të madh: duhanpirjen. Cruyff ishte një konsumues i rregullt dhe i shpeshtë i cigares, edhe gjatë kohës që luante futboll, ku nuk kanë qenë të pakta rastet kur e tymoste një mes dy pjesëve të lojës.

“Njerëzit fillimisht diskutonin futbollin e tij, më pas revolucionin që solli si trajner, ndërsa tani gjithë trashëgimia që la ai pas. Është e qartë se kur flitet për Cruyff, gjithmonë ka diçka për të folur e diskutuar”, thotë Jurryt van de Vooren, një gazetar e historian sportiv holandez.

Dy vite pasi është ndarë nga jeta, nderimet për të nuk kanë përfunduar. Ajaksi do të ndryshojë emrin e stadiumit nga “Amsterdam Arena” në “Johan Cruyff Arena” dhe stadiumi olimpik po aty pranë, nuk do të quhet më Stadionplein, por JohaCruijffplein.

Por jo të gjithë janë dakort. Së fundmi ka nisur një peticion që mbështet mbështet nderimin e Johan Cruyf, por thotë se ai do të nderohej më shumë nëse emri i stadiumit i jepej një sponsori dhe me paratë e blera të ringrihej Ajaksi që luante dikur në Europë.

Marrë nga The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë