Nga Gazeta “SI” – Deklarata e gjuhëtarit Bardh Rugova nga Akademia e Shkencave e Kosovës i cili tha se Kosova nuk ishte pyetur dhe as ka qenë pjesë e hartimit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, shkaktoi një sërë reagimesh.
Edhe pse në hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe është përfshirë Instituti Albanologjik i Prishtinës, drejtpërdrejt si bashkëhartues, por edhe në bashkëpunim me universitetet publike të Kosovës ,deklarata e tij krijoi një amulli në këtë proces.
Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, profesor Naim Berisha, ka sqaruar për GazetaSi.al procesin, duke hedhur poshtë edhe pretendimin se Kosova nuk është përfshirë në këtë projekt, edhe pse pranon se ky projekt fillimisht është nisur si i përbashkët mes dy akademive, për t’u ndarë mandej rrugës.
“Sa i përket pyetjes suaj nëse është përfshirë Kosova dhe nëse ky projekt konsiderohet i njëanshëm, kjo nuk qëndron. Instituti Albanologjik i Prishtinës (institucioni më me traditë në vend dhe më gjerë, i themeluar në vitin 1953, para AShAK-ut dhe UP-së) ka qenë një nga institucionet hartuese. Krahas nesh, pjesë e projektit kanë qenë edhe profesorë nga dy universitete në Kosovë dhe një përfaqësues nga AShAK-u.
Sa i përket pyetjes pse është anashkaluar Akademia e Kosovës në këtë rast, unë nuk mund të flas në emër të akademive. Ajo që mund të konfirmoj është fakti se ky projekt ka filluar si projekt i përbashkët i dy akademive, i mbështetur edhe nga dy kryeministrat tanë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Pse AShAK-u nuk është pjesë në vazhdimin e projektit nuk e di, përveç faktit se Ali Caka nga AShAK-u ka marrë pjesë vetëm në një takim pune në Institutin Albanologjik.”
Ai ka sqaruar edhe procesin e pjesëmarrjes në hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, duke theksuar se pala e Kosovës ka qenë jo vetëm bashkëhartuese, por edhe iniciuese e këtij botimi.
“Instituti Albanologjik i Prishtinës, më datë 10.6.2021, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo marrëveshje formalizoi fillimin e bashkëpunimit institucional për projektet madhore të albanologjisë: ‘Historia e shqiptarëve’, ‘Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe’, ‘Enciklopedia shqiptare’ etj. Për projektin ‘Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe’, pas nënshkrimit të marrëveshjes është formuar grupi i bashkëpunëtorëve profesionalë nga Kosova me përbërje: Shefkije Islamaj, Qemal Murati, Naim Berisha, Shpresa Ismajli, Abdurrahim Maxhuni, Sejdi Gashi, Afërdita Abdullahi Dermaku, Adelinë Selmani (të gjithë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës), Begzad Baliu (Universiteti i Prishtinës), Bahtijar Kryeziu (Universiteti i Gjilanit), Ali Caka (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës). Kjo përbërje ka mbajtur vetëm një takim pune, sepse në takimet e tjera, që kanë qenë të shumta, Ali Caka nga AShAK-u nuk ka marrë pjesë; është tërhequr pa asnjë sqarim. Puna ka vazhduar pa pengesa dhe në mënyrë të rregullt.”
Berisha thekson se në fjalor janë përfshirë shumë materiale leksikore, kryesisht nga leksiku dialektor i të folmeve të Kosovës, duke vënë në dukje se bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ka qenë shumë korrekt.

“Në fazën e parë të këtij projekti, në Institutin Albanologjik është ngritur Kartoteka e Leksikut të Shqipes për Fjalorin, të cilën e kam udhëhequr unë. Kjo kartotekë është pasuruar me shumë materiale leksikore, kryesisht nga leksiku dialektor i të folmeve të Kosovës, por edhe nga të folmet shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Janë ofruar si materiale të gjitha botimet e Institutit: fjalorë dialektorë, fjalorë terminologjikë, leksik dialektor i botuar në organet shkencore të Institutit, botime monografike për të folmet verilindore të shqipes që shtrihen në Kosovë dhe më gjerë, kompleti i veprave të Rexhep Qosjes, kompleti i veprave të Anton Çettës dhe të gjitha materialet që janë vlerësuar si të rëndësishme për këtë projekt.
Në fazën e dytë të projektit, kur janë formuar grupet e hartuesve, Shefkije Islamaj është zgjedhur anëtare e redaksisë dhe hartuese, Naim Berisha është zgjedhur redaktor dhe ka vazhduar punën si përgjegjës i Kartotekës së Leksikut, ndërsa Abdurrahim Maxhuni dhe Sejdi Gashi janë zgjedhur redaktorë. Secili nga redaktorët ka pasur së paku një shkronjë që ka hartuar. Takimet e punës në Prishtinë dhe në Tiranë kanë qenë të rregullta dhe të shpeshta.”
Në fund, Berisha sqaron edhe funksionin e Këshillit Ndërakademik.
“Sa i përket Këshillit Ndërakademik për Gjuhën, unë jam pjesë e këtij Këshilli që nga viti 2020. Ky Këshill, nga pala e Prishtinës, ka mbajtur vetëm një takim themelues me përbërjen e re dhe asnjë çështje nuk është diskutuar”, përmbyll prononcimin drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Refuzimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës
Sipas burimeve të GazetaSi.al, brenda AshAK, me gjithë dakordësimin dhe bashkëpunimin ndërmjet ASHSH-së dhe AShAK-ut për të qenë palë të barabarta në këtë projekt, edhe pas kërkesës që Akademia e Kosovës t’i dërgojë asaj të Shqipërisë, propozimet për bashkëpunëtorë, redaktorë dhe anëtarë të redaksisë, ato nuk janë dërguar.
Arsyetimi ka qenë se “ne jemi akademi honorifike, jo profesionale dhe nuk kemi kuadrin e nevojshëm për këtë projekt”.
Edhe pas kësaj, si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim dhe në emër të projektit të përbashkët, Bardh Rugova është përfshirë në projekt në funksion të këtij bashkëpunimi, por ai më vonë ka dërguar një email refuzues, duke akuzuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë se emri i tij është përfshirë pa u pyetur.
Po ashtu, të njëjtat burime brenda ASHSH-së thonë për GazetaSi.al se është e pakuptimtë të konsiderohet projekti i njëanshëm dhe të pretendohet se AShAK-u është përjashtuar, kur në të njëjtën kohë është duke vazhduar projekti i përbashkët i të dy akademive për “Enciklopedinë Shqiptare”. Pra, sa herë që AShAK-u ka qenë i gatshëm për bashkëpunim dhe ka pasur mundësi reale për bashkëpunim, ASHSH-ja ka qenë fleksibile dhe bashkëpunuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



