Trashëgimi

Pergamenat dhe tejkohësia e librit, nga mesjeta në kohët moderne

Nga Sokol Çunga – Çdo vizitor që viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe sheh dorëshkrimet bizantine dhe osmane që ruhen në koleksionet tona, habitet me përpikërinë e vendosjes së tekstit në fletë: gjithmonë brenda një kornize të mirëpërcaktuar, pavarësisht nëse teksti është në një apo më shumë kolona. Mirëpo, si ndodh kjo përpikmëri?

Kur kemi përpara ndonjë libër të periudhës bizantine apo osmane, pavarësisht gjuhës së tekstit, shohim se vendosja e tekstit në fletë është shumë e ngjashme me atë të librit bashkëkohor.

Po të vëzhgojmë me vëmendje, shpeshherë në skajet e fletës mund të hasim disa vrimëza të vogla. Kjo është dukuri e zakontë e librave të dorëshkruar në pergamenë dhe letër.

Këto vrimëza shërbenin si pika orientimi për vendosjen e vizores, e cila ndihmonte në krijimin e disa vijëzimeve thuajse të padukshme në sipërfaqen e fletës.

Vijat nuk krijoheshin me mjet shënues, me bojë apo diçka tjetër, por ishin thellime të lehta në sipërfaqen e pergamenës apo të letrës.

Synimi i këtij procesi ishte ta ndihmonte kopistin për të shkruar në radhë të drejta e të baraslarguara, por dhe të shkruante brenda një zone të caktuar, pa dalë nga kuadrati.

Në terminologjinë e shek. XX ky rregull u emërtua “mise-en-page” dhe “page layout”, kurse, duke iu referuar terminologjisë së tipografisë në shqip, i themi “faqosje”.

E, teksa vijëzimet janë lehtësisht të dallueshme për syrin e stërvitur, vrimëzat në skaje nuk i hasim gjithmonë, pasi libri i nënshtrohej, sikundër edhe sot, procesit të rriskimit, prerjes së tepricave anësore të fletëve.

Është interesante kur shohim se si rregullat e faqosjes në tipografinë dhe dizajnin bashkëkohor burojnë pikërisht nga rregullat e përdorura në librin mesjetar: proporcionet e kuadratit të shkruar dhe distancat nga buzët e fletës ndjekin të njëjtat parime estetike dhe teknike.

Pra, edhe një herë konstatojmë se, teksa kemi ndryshuar teknologjinë, parimet e punës janë të njëjta që prej mesjetës, deri sot. Kjo është tejkohësia e librit!

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë