Nga Gëzim Tushi- Historia e ndryshimit suksesiv dhe e rishfaqjes në forma herë autentike e herë të ndryshuara të traditave dhe zakoneve në shoqëri është në thelbin human dhe natyrën e dyfishtë: krijuese, rikrijuese dhe imituese të gjërave që koha i ka afirmuar si vlera koherente e të qëndrueshme.
Pra, në pikëpamje sociologjike, procesi i raporteve të njeriut me sistemet e vlerave, zakoneve e traditave në sjelljen sociale, veshje dhe modë, ka treguar se në këto tre dekada e gjysmë jetuam kohën më të vrullshme të rishikimit të sistemit të vlerave sociale, morale, estetike e formave të sjelljeve komunitare, të cilat u shoqëruan me një proces të shpërbërjes së shumë traditave të koracuara, zakoneve të “ndryshkura” si paradigma të vjetra zakonore.
Diskutimi për vlerat, traditat e zakonet duhet bërë duke pasur parasysh që fenomenet dhe vlerat sociale nuk janë statike, por dinamike, të paqëndrueshme, sepse shoqëria moderne nuk është e rrafshët dhe me ecuri të njëtrajtshme, por e vendosur në një plan të pjerrët, të lëvizshëm, dinamik. Densitete të reja fizike, zakonore e sociale po bëhen matrica të veprimit njerëzor.
Sociologët e postmodernitetit me të drejtë evidentojnë faktin që sot jetojmë në një shoqëri autonome, shoqëri vërtet demokratike, e cila vë në pikëpyetje çdo gjë që është e paravendosur dhe me këtë çliron krijimin e kuptimeve të reja. Në një shoqëri të tillë, gjithë individët janë të lirë të krijojnë për jetën e tyre kuptimet që duan. Iku koha e shoqërisë së dikurshme me zakone të standardizuara dhe pritmëri të njohura.
Sociologët e modernitetit theksojnë se “zakonet kanë kuptim dhe ato kuptohen brenda një bote historike dhe shoqërore të përcaktuar. Kush nuk e dallon këtë, ai nuk numërohet ndër njerëzit e brezit të tij. Ai mbetet një idiot, një sharlatan ose pedant”.
Praktikisht, shoqëria jonë është në kushtet e reja të modernitetit, të një shoqërie me dimension social më të kufizuar në emër të zgjerimit të individualizmit dhe vlerave unike personale.
Në këto kushte, disa zakone kanë pësuar ruptura degraduese, disa janë në proces likuidimi social. Por për të mos qenë nihilist, duhet të kuptojmë se në kohën e shoqërisë likuide, jo të gjitha vlerat ekzistenciale të së kaluarës duhet të zhduken.
Përkundrazi, sipas mendimit tim, fakti që kohët e fundit ka një rikthim në disa nga vlerat e konfirmuara e solide, me vlerë koherente dhe ndikim në mbrojtjen e koracës sociale të marrëdhënieve njerëzore dhe mbrojtjen e tyre nga vetmia dhe copëtimi social, mendoj se duhet vlerësuar si tregues i një procesi social që do ta quaja “koha e kurbacionit” dhe vlerësimit real e dialektik të tyre.

Është krejt me natyrë kuptimplotë filozofike, sociale e morale ideja se “zakonet kanë specifikën e tyre të dallueshme në fazën ‘solide’ ashtu dhe në atë ‘fluide’. Ky kalim është plot me konflikte zakonore të pazgjidhura.” (Zygmunt Bauman, “Moderniteti i lëngët”, f. 219)
Edhe në shoqërinë tonë, koha ka sjellë efekte nën peshën rrafshuese të “rulit të globalizmit”, të cilat kanë zbehur konceptualisht idenë se zakonet e mira dhe vlerat pozitive të trashëguara janë të domosdoshme, mjet me rëndësi sociale që plotëson nevojat njerëzore për afërsi, mbështetje dhe komunitet.
Në shoqërinë tonë, shoqëria dhe njeriu po formatohen në mënyrë moderne, por kjo nuk mohon faktin që njeriu është produkt i një kulture, një epoke, një tradite humaniste e kombëtare.
Fakti që këto kohët e fundit shoqëria dhe njerëzit tanë kanë një proces rishikimi dhe rikthimi të disa vlerave të traditës sonë në eventet e tyre private apo komunitare tregon se jemi në një moment me rëndësi historike, që ka të bëjë me një ndalje të vrullit nihilist dhe transvlerësim të kujdesshëm të disa vlerave, traditave dhe zakoneve të së kaluarës.
Një rishikim i sistemit të vlerave e zakoneve të së kaluarës është reflektim i faktit që shoqëria jonë po përjeton kriza të reja të ndërtimit të zakoneve adekuate, të cilat janë një nga faktorët socialë që e kanë bërë kohën të vështirë për t’u jetuar.
Revolucioni i jetës morale në Shqipëri ka bërë kapërcimin e duhur nga “prangat” e mbingarkuara tipike për shoqërinë tradicionale, duke braktisur “besnikëritë sociale hipokrite, perverse dhe antihumane”, ideologjikisht dhe moralisht unike, duke kaluar në një sistem vlerash e zakonesh heterogjene, që, ndryshe nga trajtat e ngurta të zakoneve dhe traditave të së kaluarës, kanë marrë trajtën e “besnikërive e zakoneve të përçara”, tipike të natyrës së jetës postmoderne.
Ka një të vërtetë universale që mendoj se është kompatible edhe me zhvillimet sociale në shoqërinë shqiptare, sipas së cilës edhe tek ne koha dhe shoqëria kanë pasur – dhe megjithë tronditjet e jetës turbulente postmoderne – një paketë vlerash dhe zakonesh që i përshtaten asaj.
Koha moderne ka sjellë aftësi të ndryshuara të traditës dhe vlera të reja që ndryshojnë nga ato të së kaluarës, por pa rënë në nihilizëm dhe mohimin metafizik të çdo gjëje të trashëguar nga e kaluara. Jeta nuk është një shkretëtirë vlerash morale e zakonesh sociale; përkundrazi, është një “rreth ciklik”, por i seleksionuar dhe në përputhje me tingullin e kohës dhe imperativat e përbashkëta të jetës postmoderne.
A mund të ketë shoqëri pa një sens konservator ruajtës, mbrojtës dhe kultivues të disa zakoneve pozitive, traditave me vlera të konfirmuara, që, pavarësisht plotësimit të tyre me një sistem koherent të vlerave të reja, të marra së bashku dhe secila në rolin e vet, të shërbejnë si bazë për ndërtimin e “busullës morale” të shoqërisë?
Problemi nuk është i thjeshtë dhe as nuk zgjidhet me mjete mekanike e ideologjike, sidomos për një shoqëri si kjo e jona, e cila tashmë është në kapërcyell midis nihilimit dhe afirmimit të vlerave të duhura, një shoqëri që deri tre dekada e gjysmë më parë ishte e “sigurt” në sistemin e saj të vlerave dhe zakoneve të siguruara me “armën e ideologjisë”, dhe tani në një shoqëri pa busull morale.

Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk ka qenë e “bardhë” apo e zhveshur nga sistemet e vlerave të qëndrueshme.
Përkundrazi, në këtë proces që shoqërohet me një rivlerësim dhe rishikim të sistemit të vlerave dhe zakoneve të së kaluarës, shpesh të goditura en bloc nën ndikimet e jetës postmoderne dhe të shoqërisë liberale e individualiste, dhe nën efektet e një lloj imperializmi të vlerave postmoderne, qytetërimi ynë i lashtë dhe modern ka qenë dhe po tregon se, duke mos qenë konservator, në çdo sferë të jetës private e publike ka ecur duke krijuar një koherencë dhe sistem dialektik (të ndryshueshëm) të zakoneve dhe traditave me vlerë sociale normative, edhe kur janë mohuar nga ndikimet natyrale apo nën efektet e censurës morale, apo edhe kur janë rikthyer nën ndikimin kritik të jetës moderne.
Është e vërtetë që shumë tradita të mira, norma të sjelljes morale, të formave të solidaritetit dhe socialitetit në jetën personale, familjare e komunitare kanë një tendencë rikthimi, por në asnjë mënyrë kjo nuk ndikon në paradigmën e qëndrimit konservator ndaj tyre.
Përkundrazi, rikthimi i shumë prej tyre në kohën e sotme është i shoqëruar me një proces koherent me kohën dhe krijues në raport me traditën.
Sepse jeta postmoderne, duam apo nuk duam, është një realitet social me ndikim thelbësor e shumëdimensional, që ka ndikuar në shpërbërjen e shumë paradigmave themelore zakonore.
Por qëndrimi nihilist dhe mohimi metafizik i disa zakoneve dhe traditave të mira, humane e rezistente ndaj “agresionit nihilist”, është shpesh nën një patologji që nuk mund të mos interferonte edhe në sistemin tonë socio-moral nën influencën e “cipës sipërfaqësore” të qytetërimit modern.
Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare në këtë fushë ka qenë shpeshherë në gjendje kaotike e turbulente, duke mos pasur të sigurt orientimin social, “busullën vlerore” dhe ekuilibrin e natyrshëm midis asaj që duhej mohuar dhe asaj që duhet pohuar dhe afirmuar si vlerë e qytetërimit tonë, në dilemën e qëndrimit të natyrshëm dhe vlerësimit objektiv të dallimit midis atyre që janë zakone të vjetra nga njëra anë, por edhe vigjilencës për të dalluar lustrën e zakoneve moderne.
Pikërisht është koha moderne që po jetojmë, e cila edhe në jetën e shoqërisë shqiptare po imponon shpejtësi në ndryshimin e “marsheve” të makinës sociale tradicionale e zakonore.
Por me një kusht, sepse në fund të fundit “… përpara se njerëzit të fillojnë të vrasin individualisht mendjet për të përpiluar kodin më të mirë të bashkëjetesës të konceptuar nga arsyeja e tyre, ata kanë një histori kolektive dhe zakone që i ndjekin kolektivisht” (Zygmunt Bauman, po aty, f. 234).
Kjo do të thotë që duhen dalluar ato tradita e zakone që kanë vetëm vlerë të kufizuar ornamentale dhe arkaike, nga ato vlera që janë themeltare, të qëndrueshme e të gjithanshme.

Për fat të keq, shoqëria është nën goditjet masive dhe sulmin agresiv e patologjik, i cili bën presion që të pranohet çdo gjë (vlerë, zakon i paseleksionuar), dhe kjo ka sjellë situatën e pazakontë të shfaqjes së një hemorragjie nënvleftësuese të vlerave të trashëguara, që kanë krijuar një boshllëk ekzistencial, madje deri në nivelin e përhapjes si “leuçemi vlerash” të shumë antivlerave e zakoneve banale, konceptualisht dhe realisht tipike të konceptimit simplist të jetës moderne.
Koha kërkon një qëndrim të kujdesshëm, duke qenë në të njëjtën kohë e papranueshme kjo hemorragji e panseleksionuar e traditës, zakoneve dhe vlerave pozitive të trashëguara, ashtu sikurse po aq e papranueshme është çdo tentativë konservatore apo mbivlerësimi i “magjepsjes retro” ndaj zakoneve e parimeve të jetës së përmbysur.
Gëzim Tushi është sociolog dhe ka botuar mbi 1500 artikuj profesionalë mbi çështje psikosociale në shtypin e ditës dhe 20 vëllime në fushën e politologjisë dhe sociologjisë. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



