Nga Liridon Mulaj- Pas një periudhe tranzicioni prej thuajse tre dekadash, shqiptarët duken sikur janë rikthyer te vetvetja. Që nga kultura e importuar e viteve ’90, që kryesisht dominonte skena italiane, e më pas përgjatë viteve 2000, kur importi i kulturës në muzikë, letërsi por edhe stil jetese orientonte nga perëndimi por dhe lindja si një përshtatje e imponuar, në vitet e fundit vihet re një autenticitet në mënyrën sesi shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, e perceptojnë kulturën e tyre.
Që nga festat kombëtare të cilat shndërrohen në një shesh të madh shfaqjesh nga shkollat e deri te institucionet private, me koncerte, valle dhe dominim të elementëve kombëtarë, e deri te paradat e futbollit në shtetet ku kombëtarja jonë luan, na bën të besojmë se kemi hyrë tashmë në fazën e rikthimit tek vetja, duke tejkaluar në një mënyrë të gjithë mish-mashin kulturor të imponuar në gati tridhjetë vite, duke e vendosur tashmë fokusin te identiteti kombëtar.
Gëzim Tushi: Shoqëria shqiptare, edhe pse nën goditjet masive dhe sulmin agresiv e patologjik, po rivlerëson traditat dhe vlerat e trashëgimisë si të domosdoshme.
Rikthimi te këto vlera të trashëgimisë sonë jo vetëm kulturore por dhe sociale, ka kaluar nëpër një terren të vështirë në një kohë të gjatë thuajse tridhjetëvjeçare. Kohë e cila la gjurmët e saj dhe në të njëjtën kohë davariti thuajse elementët zakonorë, duke e shndërruar shoqërinë tonë në një shoqëri me qasje nihiliste ndaj këtyre vlerave. Sociologu Prof. Gëzim Tushi e shpjegon këtë fenomen për GazetaSi.al duke theksuar se ndikimi i tre dekadave ishte determinant në këtë proces.
“Historia e ndryshimit dhe e rishfaqjes në forma herë autentike e herë të ndryshuara të traditave dhe zakoneve në shoqëri është në thelbin human dhe natyrën dypolare: krijuese, rikrijuese dhe imituese të gjërave që koha i ka afirmuar si vlera koherente e të qëndrueshme. Pra në pikëpamje sociologjike, procesi i raporteve të njeriut me sistemet e vlerave, zakoneve, traditave në sjelljen sociale, veshje dhe modë ka treguar se në këto tre dekada e gjysmë jetuam kohën më të vrullshme të rishikimit të sistemit të vlerave sociale, morale, estetike e formave të sjelljeve komunitare, të cilat u shoqëruan me një proces të shpërbërjes së shumë traditave të koracuar, zakoneve të “ndryshkura” si paradigma të vjetra zakonore.”
Tushi thotë se rikthimi dhe rivlerësimi i disa vlerave të konfirmuara solide në shoqërinë tonë është një lajm i mirë, sepse po kryhet, siç thekson, vlerësimi i tyre real. Gjithashtu ai e përcakton këtë periudhë si një kohë në të cilën shoqëria jonë e ka kapërcyer periudhën e tranzicionit, duke mos lejuar më receptimin e çdo vlere të përgjithshme e cila servohet pa filtra.
“Për të mos qenë nihilistë duhet të kuptojmë se në kohën e shoqërisë likuide, jo të gjitha vlerat ekzistenciale të së kaluarës duhet të zhduken. Përkundrazi, fakti që kohët e fundit ka një rikthim në disa nga vlerat e konfirmuara e solide me vlerë koherente dhe ndikim në mbrojtjen e koracës sociale të marrëdhënieve njerëzore dhe mbrojtjen e tyre nga vetmia dhe copëtimi social, duhet vlerësuar si tregues i një procesi social që do ta quaja “koha e kurbacionit” dhe vlerësimit real e dialektik të tyre.
Ne duhet t’i njohim dhe t’i pranojmë të vërtetat tona dhe faktin që traditat dhe zakonet nën presionin e jetës moderne, standardeve humane të shoqërisë liberale e individualiste, do t’i nënshtroheshin një debati ndryshues midis relativizmit, të vërtetës dhe subjektivitetit të përzgjedhjes. Jeta postmoderne shqiptare e ka përfunduar tranzicionin dhe tashmë është përtej narrativave të vjetra morale, sepse siç ka thënë François Lyotard: Jetojmë në kohën kur shoqëritë i kanë kapërcyer “tregimet e kota” morale si esencializmat zakonorë dogmatikë.”

Sociologu Gëzim Tushi i ndan veçmas vlerat që vlejnë të trashëgohen nga zakonet anakronike të cilat meritojnë të filtrohen dhe seleksionohen. Sipas tij, ky është një proces i domosdoshëm të cilin shoqëria shqiptare po e kryen mjaft mirë, pavarësisht “bombardimeve” të jashtme me lloj-lloj kulturash të importuara.
“Në shoqërinë tonë, shoqëria dhe njeriu po formatohen në mënyrë moderne, por kjo nuk mohon faktin që njeriu është produkt i një kulture, një epoke, një tradite humaniste e kombëtare. Fakti që kohët e fundit shoqëria dhe njerëzit tanë kanë një proces rishikimi dhe rikthimi të disa vlerave të traditës sonë në eventet e tyre private apo komunitare tregon se jemi në një moment me rëndësi historike që ka të bëjë me një ndalje të vrullit nihilist dhe transvlerësim të kujdesshëm.
Padyshim ka një të vërtetë universale që është e përputhshme edhe me zhvillimet sociale në shoqërinë shqiptare, sipas së cilës, edhe tek ne, koha dhe shoqëria kanë pasur, pavarësisht tronditjeve të jetës turbulente postmoderne, një paketë vlerash dhe zakonesh që i përshtaten asaj”
Pyetja që ngrihet nga Tushi është se a vlen restaurimi logjik i disa vlerave, duke mos rënë në një lloj nostalgjie e cila na bën të pavetëdijshëm në rivlerësim. Sipas tij, asimilimi i disa traditave dhe zakoneve krejtësisht të padobishme është një proces pozitiv i cili e ndihmon shoqërinë tonë të fokusohet te vlerat më të shëndosha.
“Për fat të keq shoqëria është nën goditjet massive dhe sulmin agresiv e patologjik, e cila bën presion që të pranohet çdo gjë (vlerë, zakon i paseleksionuar) dhe kjo ka sjellë situatën e pazakontë të shfaqjes së një hemorragjie nënvleftësuese e vlerave të trashëguara.
Pyetja që mund të shtrohet, nëse këtë proces të rishikimit të vlerave dhe traditave e zakoneve të mira të së kaluarës, është: A është i logjikshëm një proces “restaurimi” i disa traditave dhe zakoneve që koha në mënyrë metafizike, artificiale e kaotike padrejtësisht i ka mohuar dhe përmbysur? A mos rishikimi i disa traditave e vlerave morale, sociale e kulturore të së kaluarës, nuk duhet ngatërruar me elementët e konservatorizmit dhe nostalgjisë për gjërat e kaluara?
Padyshim, duke rishikuar sistemin e vlerave pozitive që të kaluarës së shoqërisë tonë nuk i mungojnë, nga ana tjetër nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi, në emër të ruajtjes së traditës me një enumeracion zakonesh e sjelljesh sociale arkaike që shfaqen si të papranueshme dhe anakronike në jetën e përditshme. Koha edhe në shoqërinë tonë ka ecur shumë shpejt dhe për pasojë ka sjellë një proces të dekompozimit të shumë vlerave, traditave dhe zakoneve të së kaluarës. Ky është fakt. Madje shumë pozitiv.”
Në fund sociologu Gëzim Tushi thotë se koha moderne në të cilën jetojmë, nuk e përjashton shoqërinë shqiptare nga imponimi që sjell dinamika e ndryshimeve të shpejta globale.
“Qëndrimi nihilist dhe mohimi metafizik i disa zakoneve dhe traditave të mira, humane e rezistente ndaj “agresionit nihilist” është shpesh nën një patologji që nuk mund të mos interferonte edhe në sistemin tonë socio-moral nën influencën e “cipës sipërfaqore” të qytetërimit modern. Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare në këtë fushë ka qenë shpesh herë në gjendje kaotike e turbulente, duke mos patur të sigurt orientimin social dhe ekuilibrin e natyrshëm midis asaj që duhej mohuar dhe asaj që duhet pohuar dhe afirmuar si vlerë e qytetërimit tonë. Pikërisht është koha moderne që po jetojmë, e cila edhe në jetën e shoqërisë shqiptare po imponon shpejtësi në ndryshimin e “marsheve” të makinës sociale tradicionale e zakonore.”
Prof. Dr. Vasil Tole: E shkuara mbetet një udhërrëfyes i ditëve të sotme, sepse nëpërmjet saj kuptojmë se kush jemi
Rikthimi i shoqërisë drejt vlerave tradicionale, nuk është vetëm një proces shoqëror por edhe thellësisht kulturor. Etnomuzikologu dhe zv. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Vasil Tole thotë për GazetaSi.al se ky rikthim vjen për shkak se shoqëria shqiptare e ka mbyllur tashmë periudhën e ballafaqimit me të ndryshmen.

“Ne si shoqëri e kemi të mbyllur fazën e ballafaqimit me të ndryshmet, e kalimit nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur dhe në këtë aspekt shoqëria është kthyer në një proces auto-reflektimi duke ballafaquar ato elemente të rëndësishme që bëjnë thelbin e saj, pra trashëgimia kulturore që fillon nga gjuha me të gjithë elementët e saj, dhe vlerat ose antivlerat me të cilat është përballur në këto 35 vite.
Elementi i dytë është se shoqëria po reflekton pozitivisht duke e rikthyer vëmendjen ndaj vlerave të së shkuarës, lidhur sigurisht edhe me disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me lartësimin e disa vlerave që ne kemi pasur si komb. Kjo përfshin figura të jashtëzakonshme të nivelit botëror që ne kemi pasur, si Gjergj Kastrioti, Nëna Tereza apo Ismail Kadare. Për të vazhduar më tej me disa konfirmime ndërkombëtare të disa vlerave tona si popull nga veriu në jug, të cilat njihen ndryshe si ato pasuritë që janë regjistruar në UNESCO, vlera materiale si Butrinti, kalaja e Beratit, kodikët e Beratit e deri te vlerat e trashëgimisë jo materiale si Polifonia, Kcimi i Tropojës, Xhubleta etj.
Të gjithë këta elementë kanë bërë që shoqëria shqiptare të orientohet drejt vlerave tona, pas ballafaqimit të kulturës sonë me ato globale, duke seleksionuar vlerat më të mira që burojnë nga ky kontakt”.
Tole thekson se e shkuara rikthehet shpesh herë e modernizuar dhe e ndryshuar si dëshmi e një identiteti kulturor, i cili me brezat krijon shtresa, nënshtresa dhe kuptime të reja.
“ Trashëgimia kulturore e bën të shkuarën të rrijë mes nesh si diçka konstante dhe e gjallë. Në format e dukshme nëpërmjet monumenteve, ritualeve, gjuhës që nuk na vijnë vetëm si dëshmi muzeore por si dëshmi që komunitetet kuptojnë vetveten. Dihet që çdo përbërës i trashëgimisë kulturore ka shtresa, nënshtresa, që kalojnë nga brezi në brez duke e shndërruar të shkuarën në një realitet paralel.
Për fat e shkuara nuk është e ngrirë dhe kjo është vlera e kapjes së komuniteteve të së shkuarës sepse ata e rindërtojnë atë, dhe rindërtimi ka element të fortë pohues të vlerave por gjithashtu edhe rimodelues. Prandaj mund të them se e shkuara mbetet një udhërrëfyes i ditëve të sotme sepse nëpërmjet saj kuptojmë se kush jemi dhe futemi në një ekuacion se cilët duhet të jemi”.
Irena Myzeqari: Rikthimi në traditë është përpjekja e një gjenerate për të rigjetur veten
Mënyra sesi demonstrohet ky rikthim te tradita, është një veçanti e cila sipas pedagoges së shkencave të komunikimit, Irena Myzeqari, rrëfen për një dëshirë dhe nevojë për të gjetur veten. Një proces i cili po ndodh kryesisht për merita të brezit millennials.
“Rikthimi në traditë është përpjekja e një gjenerate për të rigjetur veten. Pas endjes midis për t’i shpëtuar rrënjëve të traditës, të cilat për shumë kohë shiheshin si limite, millennials janë pikërisht ata që po ndërthurin më shumë se kushdo tjetër identitetin kombëtar në praktikat e tyre sociale. Dasmat, festimet e shtuara gjatë festave kombëtare, janë po ashtu edhe përqafim i një identiteti të sigurt, që lidhet me kombin, gjuhën, të cilat përpos patriotizëm, janë edhe përpjekje për të treguar përkatësi, nevoja për diçka e cila nuk ka nevojë për diskutim. Dhe kjo lloj sigurie është shumë përmbushëse dhe po ashtu qetësuese, në kohëra të pasigurta si këto në të cilat jetojmë” thotë për GazetaSi.al Myzeqari.
Përtej ndikimit të padiskutueshëm të një kulture të huaj, e cila e transformoi shoqërinë tonë jo domosdoshmërisht për mirë, më në fund duket sikur shqiptarët e kanë gjetur motivin për të qenë krenarë dhe për të mos u fshehur më pas identiteteve të shteteve pritëse.

Kostumet popullore në dasma, festimet me flamur për secilën fitore në futboll apo edhe dëshira e madhe për të pasur së paku një element të trashëgimisë sonë materiale në shtëpi, janë vetëm disa prej elementëve që dëshmojnë se shqiptarët kanë nisur rikthimin drejt vetes, duke lënë pas zakonet e imponuara shpesh ideologjike dhe duke përqafuar traditat të cilat na identifikojnë kombëtarisht e për rrjedhojë edhe globalisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



