Politike

8 ligje të paketës fiskale të mërkurën në Kuvend, Bardhi: PS po shkel Kushtetutën!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, pasi ka futur në rendin e seancës së nesërme 8 ligje të paketës fiskale pa respektuar, sipas tij afatet për shqyrtimin e tyre.

Në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve, Bardhi tha se, deputetët i kanë marrë projektligjet më 14 nëntor dhe mazhoranca po kërkon t’i miratojë brenda 24 orëve, një praktikë që ai e cilësoi të papranueshme.

“Keni futur në kalendar 8 ligje të paketës fiskale. I keni futur për seancën e nesërme, në shkelje të plotë të Kushtetutës. Këto ligje u janë dhënë deputetëve në datën 14 nëntor dhe kërkoni t’i miratoni nesër. Kjo është e papranueshme dhe hedh në erë çdo procedurë parlamentare”, deklaroi Bardhi në Konferencën e Kryetarëve.

Ai paralajmëroi kryetarin e Kuvendit se do ta çojë këtë në Kushtetuese.

“T’u lini vetëm 24 orë kohë për të diskutuar 8 ligje mund ta bëni vetëm ju, dhe nuk e di, Kryetar, kush ju shtyn ta bëni këtë. Po jua them këtu se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë