Nga Liridon Mulaj- Ka një arsye gjithmonë pse Shpëtim Selmani shkruan, edhe pse këto arsye nuk gjenden shpesh, prandaj ai shkruan rrallë dhe shkurt.
E ka nisur me poezinë, mandej është diplomuar si aktor në Universitetin e Arteve të Prishtinës dhe është rikthyer te letërsia sërish me romanin e tij të parë “Libërthi i dashurisë”, i cili mori edhe çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2021. Si duket, kjo e vulosi përfundimisht (në publik) edhe profilin e tij prej shkrimtari.
Zakonisht ndodh që kur një shkrimtar fiton një çmim të rëndësishëm, ai dembeloset. Kur e pyetën Orhan Pamuk se me çfarë vepre do të dilte pas marrjes së çmimit Nobel në vitin 2006, një pyetje tendencioze e cila ngërthen në vetvete edhe dramën personale të një fame që arrin majën, ai u përgjigj se po punonte me një roman 600 faqësh, i cili do të ishte edhe më i mirë se të tjerët që kishte botuar.
Dhe në fakt, ashtu ndodhi.
“Muzeu i pafajësisë” u publikua një vit pas Nobelit dhe është një libër i cili ende sot mallëngjen miliona lexues në të gjithë botën.
Selmani nuk ka fituar Nobelin, por me Pamukun ngjason në atë ç’ka solli edhe ky pas çmimit: dy romane të njëpasnjëshme, “Balada e Buburrecit” dhe “Askush nuk e meriton zemërimin tim”, të cilët, për hir të së vërtetës, e tejkaluan sprovën e tij të parë duke e konsoliduar si një shkrimtar tragjik, brutal, rebel por edhe të ndjeshëm. Që revoltohet nëpërmjet shkrimit, por edhe kujton njerëzit e dashur të cilët kanë shënjuar jetën e tij.

Aktor në profesion Selmani rrëfën për GazetaSi.al thuajse për gjithçka, që nga familja, babai, jeta e tij në Prishtinë e deri te liria dhe vdekja si koncepte. Nga personalja e deri te e përgjithshmja, sepse fundja, siç thotë Georgi Gospodinov, që të jesh universal, mjafton të jesh personal.
Ka një tragjizëm në të gjithë veprat tuaja përfshirë dhe librin tënd më të fundit “ Askush nuk e meriton zemërimin tim” i sapo botuar nga Onufri në Tiranë. Në fakt është një tragjizëm real, i ëmbël e njëkohësisht brutal. Si do të ishte një botë ideale sipas Shpëtim Selmanit?
Se nuk ka asgjë më ekzotike se tragjizmi në letërsi e përgjithësisht në art. Në fakt arti përgjithësisht shërben për ta përballuar atë që në jetën reale nuk durohet, nuk përballohet. Prandaj rrjedhimisht ajo që më së shumti i ofrohet botës ideale ka të bëjë pikërisht me një vetëdije që dominon në kuadër të një çiltërsie, pafajësie e pastërtie fëmijërore. Nuk guxoj të mendoj në diçka që shkon përtej kësaj përderisa nuk jam ende i sigurtë nëse vetë unë jam ideal.
Shkrimtaria apo aktrimi? Cila përmasë cek thelbin tuaj?
Jam formësuar nga të dyjat. Ka diçka letrare në aktrim dhe ka shumë aktrim në letërsi. Një rol i mirë mundësohet nga një tekst i mirë që në thelb ka të bëj me letërsinë. Kemi drama jashtëzakonisht të arrira që janë tejet magjike. Jon Fosse është dëshmi. Apo Becketti që ende na mban peng me çështje të ngritura. Aktori e materializon letërsinë, teatri në përgjithësi bashkë me komponentet e tjerë. Se si e bëjmë këtë dhe në çfarë mënyre i qasen kësaj është një çështje tjetër. Por i shoh të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën por në një kuptim tjetër edhe të largëta. Ngase teatri është ekipor përderisa në letërsi duhet ta gërryejmë veten. Mua më pëlqen të jem vetëm ama edhe nevoja për bashkëpunim me të tjerët është e pranishme. Nuk ka më mirë se një bashkësi të aspirojë në një gjë fisnike dhe të ecin nëpër të njëjten rrugë. Duke i dhënë këtij procesi besimin dhe ndershmërinë.
Ju jeni fëmija i luftës, ndërkohë i rritur në post-luftë. Një periudhë e vështirë e cila reflektohet kudo në librat tuaj. A ndjeni se traumat tuaja personale pra të fëmijërisë nuk do të shërohen kurrë? Në përgjithësi a shërohen traumat e luftës?

Ne jemi para së gjithash ajo që shkruajmë. Kerouac-u donte të ishte poaq i bukur sa ishte poezia e tij. Dhe natyrisht trauma është prezente tek unë. I kam parë burrat në radhë për pushkatim. Babai im në mes tyre. Nuk ka diçka më të rëndë se një baba i poshtëruar para syve të fëmijëve te tij por mos të jemi dramatik. Dua ta arsyetoj traumën brenda meje. Natyrisht njerëzit e kanë pësuar edhe më keq dhe për këtë nuk dyshoj dhe ajo është brenda nesh. Ajo se çfarë nuk po shërohet në kuadër të shoqërisë ku përkas mbase është diçka tjetër, trauma nga të qenit i lirë. Është një luftë tjetër e pistë në mes nesh.
Ju jeni një shkrimtar që në një farë mënyrë i shpërbëni nacionalizmat, kufinjtë, dallimet por shpesh del në pah revolta juaj. Kam parasysh rastin e shkrimtarës serbe e cila mohoi gjenocidin serb në Serbrenicë dhe ju u revoltuat në lidhje Zoom me të. Çfarë mendoni në tërësi për serbët e sotëm?
Po mendoj se çdo konstrukt e rëndon qenien njerëzore. Ai për mua duhet të jetë i lirë dhe ta pësojë nga liria e vet nëse pësimi veç është një akt i pashmangshëm. Por një liri që pjell nga vullneti i tij. Ne megjithatë i përkasim një identiteti pavarësisht se në jetë ne edhe zgjedhim identitete të reja. Ginsbergu e mbështeste këtë gjë. Ajo mund të mos ishte serbe dhe ta mohonte ose të shprehtë opinione të paqarta në lidhje me Srebrenicën dhe unë do të reagoja në një mënyrë të tillë (më vonë më ka thënë se ishte keqkuptim në një letër të gjatë por jam marrë shumë me të dhe nuk dua të merrem më me të). Nuk më pëlqen ta shoh një flamur më të fuqishëm se një tjetër. Më pëlqen të mendoj në atë flamur që është i yni. I të gjithëve. Siç donte edhe Benedetti.

Keni fituar çmimin Europian të letërsisë, jeni përkthyer në gjermanisht, bullgarisht, frengjisht maqedonisht dhe italisht e ndërkohë keni qënë pjesë e shumë rezidencave të famshme letrare në Europë. A ndjen se letërsia ju ka shpërblyer?
Po në kuptimin shpirtëror më ka rritur. Kam njohur shumë njerëz të mrekullueshëm përmes letërsisë dhe artit në përgjithësi, kam bërë miq të mirë. Ja edhe ty. Kam parë vende të bukura. Natyrisht me vite përgjegjësitë shtohen dhe në një botë e cila është thellësisht materialiste e sheh veten me shpirt në duar, në kërkim te alterrnativave tjera të mbijetesës. Mua më vjen mirë kur marr një çmim për letërsi pastaj brenda dy ditësh e harroj. Pa dashje, pa asnjë qëllim. Thjesht duhet të gjarpëroj tutje mes shumësisë së çështjeve që e përbëjnë qenien njerëzore. Më e rëndësishmja mbetet dhe jeton brenda asaj që shkruajmë.
Si është jeta e Shpëtimit në përditshmëri? Prishtina është një dashuri dhe urrejtje njëkohësisht për ju. A keni menduar të largoheni ndonjëherë?
Unë jetoj thjeshtë. Më pëlqen të lexoj në mengjes. E çoj dhe e marr djalin nga shkolla, përpiqem t’i kuptojë problematikat që e shoqërojnë atë. Gruaja ime është artiste. Një kuratore fantastike që ka bërë dhe bën një punë të jashtëzakonshme në lidhje me kujtesën dhe dokumentimin e fakteve që ndihmojnë shoqërinë kosovare të ballafaqohet me të kaluarën e saj si një akt i domosdoshmëm për të ecur tutje. Kur kam prova në teatër jam aty. Kam miq. Pi kafe me ta. Nuk po pi aq shumë si dikur. Kam qenë përgjithësisht më i hareshëm se tash. Kam pasur shumë mundësi të largohem por gjithmonë e kam pasur të vështirë. E mendoj vazhdimisht edhe tash por e di se është vështirë.

Ndërkohë hera herës në librin tuaj të fundit ka edhe shumë fragmente prekëse, përshembull kur ju shkruani për babanë. A është Shpëtimi sot një prind i cili ka për model, babain e tij? Sa mbetet në ju ai? Në fakt po kërkoj të na rrëfeni pak për këtë marrëdhënie.
Babai im ka qenë pacifist. Njeri i ndershëm. Ishte poet. Ka një ditar mbi kohën sa ishte ushtar në ushtrinë e atëhershme jugosllave. Një poet që ma ha mendja se frymëzohej nga Filip Shiroka. Nervozohej shpejt dhe njeri që pendohej lehtësisht. Ndërkaq edhe unë mundohem të jem prind i mirë. Natyrisht fëmijët sot po rriten në një ambient krejtësisht tjetër nga ai i yni dhe kjo kërkon imagjinatë e reforma në prindërim. Por mundohem të jem edhe në rolin e shokut dhe në rolin e babait të tij. Humbja e babit për ne ishte një goditje e madhe. Na u desh ta rikonstruktojmë vetën si familje. Të kthehemi tek vetja. Dhe ta marrim veten në duar. Ka shumë për të thënë gjithmonë mes një raporti babë e bir. E kam kuptuar që vdekja e dikujt shpesh dëshmon për masën e pafundme të dashurisë që e kemi brenda nesh. Ende e kemi shtëpinë e vjetër ku kam fjetur si fëmijë. Një ditë qëndrova aty dhe dëgjoja pikat e shiut. Ndjeva se isha një fëmijë. Ndjeva një lumturi të paskajshme që u pasua nga një trishtim poashtu i pakufishëm. Ishte një ndjenjë si kristali për ta kuptuar jetën. Ishte vetë letërsia e cila aty për aty vinte si një libër i shformuar që kishte nevojë të modifikohej e ta merrte formën që e kërkonte. Fatmirësisht kemi njerëz që mund t’ia themi këtë ngacmim ende të paartikuluar që është esencial dhe ka njerëz që fatmirësisht e kuptojnë një gjë të tillë pa na tallur apo pa na hedhur ne pellgun e patetizmit. Sikurse Beni (Arben Idrizi). Keith Richards arratiset nga shtëpia në moshën 17 vjeçare. Pas një karriere të bujshme njëzet vjeçare kërkon të takohet me babain e tij. Tashmë si një burrë i rritur kishte frikë ta takonte. Për këtë arsye e kishte marrë me vete mikun e tij Ronnie Ëood. Kjo e shpjegon raportin shumë mirë. Ne jemi fëmijë përballë tyre. Gjithmonë. Dhe humbja e tyre na e prish këtë të vërtetë. Humbja e fëmijërisë është njëra nga gjërat më tragjike.

Jeni ndër të paktët artistë të paprofilizuar politikisht. E neverisni? Nuk është për ju? Apo mendoni se ajo shkaktarja e së keqes në botë? Nëse mendoni ndryshe mund ta thoni.
E kam menduar ndonjëherë të profilizohem. Kam pasur edhe biseda të tilla kur më është kërkuar një orientim politik. Po në përgjithësi neveritem nga politikanët. Janë njerëz të dehur nga pushteti që kanë dhe nuk arrijnë ta kontrollojnë atë që e ushtrojnë. Por mbase një ditë mund të bëhem edhe kryeministër. Jeta di të na tallë. Dhe vuan nga një dëshirë e zjarrtë që të na përgënjeshtrojë dhe në këtë mënyrë të na shpërbëjë. Megjithatë ja ku po e themi. Qartë dhe shkurt. Nuk i duroj dot.
Çfarë ju thoni lexuesve tuaj? Dy fjalë të fundit.
Ju them faleminderit shumë, që më rrini pranë dhe më mbështesni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



