Lexo me "Si"

‘Trauma nuk është ajo që ndodh me ty por ajo që ndodh brenda teje’

Nga Gazeta “SI”- Mjeku dhe autori kanadez Gabor Maté është sot një nga figurat më të njohura botërore në fushën e shëndetit mendor dhe vetëndihmës. Ai ka ndërtuar një reputacion unik përmes qasjes së tij të drejtpërdrejtë, shpesh të pakëndshme, por të ndershme, mbi traumën, varësinë, stresin dhe zhvillimin e hershëm të njeriut. Kur ai zhvilloi një bisedë publike me Princin Harry mbi dhimbjen dhe shërimin, emri i tij u bë pjesë e debatit ndërkombëtar, duke e vendosur edhe më shumë në qendër të vëmendjes.

Ajo që e dallon Maté nga shumë të tjerë nuk është thjesht ekspertiza e tij si mjek, por gatishmëria për të folur hapur mbi plagët e veta. Ai nuk e fsheh faktin se edhe në moshën 79-vjeçare, reagimet e tij shpesh mbeten të ngjyrosura nga përvoja traumatike e fëmijërisë. Ai kujton një episod të vogël me gruan e tij në aeroport, ku një keqkuptim i thjeshtë e ktheu në nervozizëm të tepërt. Për të, ky është një shembull i qartë se si trauma e hershme shpesh na “rrëmben” edhe kur besojmë se jemi të rritur e të pjekur.

Trauma personale dhe trashëgimia historike

Përvoja e Maté është e lidhur ngushtë me historinë dramatike të shekullit XX. Ai lindi në Hungari në vitin 1944, në kulmin e pushtimit nazist. Si foshnje u nda nga e ëma dhe iu la një të huaji për t’u kujdesur, një përvojë që ai e përjetoi si braktisje dhe që më vonë e përshkroi si plagën e parë të jetës së tij. Gjyshërit nga ana e nënës u vranë në kampet e Aushvicit. Këto përvoja, të ngulitura në ndërgjegjen e tij, u bënë më vonë baza e reflektimeve të tij mbi natyrën e traumës.

“Trauma nuk është ajo që ndodh me ty,” thotë ai. “Trauma është ajo që ndodh brenda teje, si pasojë e asaj që ndodhi.” Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja pse shërimi është i mundur. E kaluara nuk mund të ndryshohet, por bindjet e brendshme që formohen nga ajo,  ndjenja se nuk je i vlefshëm, se nuk je i dashur , mund të sfidohen dhe të shërohen në çdo moshë.

Maté bën një dallim mes “traumave të mëdha”, si abuzimi apo humbja e prindërve, dhe “traumave të vogla”, që lidhen me mungesën e mbështetjes emocionale të mjaftueshme në fëmijëri. Ai thekson se edhe prindërit më dashamirës, pa dashje, mund t’i shkaktojnë këto plagë. Dhe ashtu siç pranon, edhe ai vetë, ndonëse i vetëdijshëm për pasojat e traumës, ua ka përcjellë fëmijëve të tij pjesë të saj.

Trauma kolektive dhe ndërbreznore

Përtej përvojës individuale, Maté flet shpesh për dimensionin kolektiv të traumës. Ai përmend persekutimin e popujve indigjenë në Kanada dhe pasojat e tij, të cilat shfaqen në shkallë të lartë varësish, sëmundjesh dhe vetëvrasjesh. Po ashtu, kujton trashëgiminë e racizmit dhe skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. “Ne ua përcjellim fëmijëve tanë atë që nuk kemi shëruar brenda vetes,” thotë ai. Trauma, në këtë kuptim, udhëton përmes brezave, duke ndikuar në mënyrën si shohim botën dhe si ndërtojmë marrëdhënie.

Varësia: dhimbja pas sjelljes

Një nga temat ku Maté është më i drejtpërdrejtë është varësia. Për të, varësia nuk është as sëmundje, as karakteristikë personale, por një përgjigje ndaj dhimbjes së brendshme. Ajo mund të shfaqet përmes drogës dhe alkoolit, por edhe në forma më të përhapura: puna e tepërt, telefonat celularë, pornografia, sportet ekstreme. Pyetja thelbësore nuk është “pse varësia?”, por “pse dhimbja?”.

Për 12 vite me radhë, ai punoi në Downtown Eastside të Vankuverit, një nga zonat me përdorimin më të lartë të drogës në Amerikën e Veriut. Përvoja e tij i tregoi se pothuajse çdo grua që trajtonte, shumica indigjene dhe të përfshira në prostitucion, kishte kaluar abuzime seksuale në fëmijëri. Për Maté, kjo është një dëshmi e qartë e traumës ndërbreznore dhe e trashëgimisë së dhunshme koloniale.

Ai e pranon se ka pasur edhe vetë varësitë e tij, sidomos ndaj punës dhe blerjeve kompulsive. Ka gënjyer gruan për shpenzimet dhe madje ka lënë një grua në sallën e lindjes për të blerë një disk muzikor,  një shembull i dhimbshëm i pushtetit të varësisë. Por kjo, sipas tij, vetëm e forcon idenë se askush nuk është imun: “Ne të gjithë jemi si njëri-tjetri.”

Lidhja mendje–trup dhe kultura toksike

Një shtyllë tjetër e mendimit të tij është lidhja e pandashme mes mendjes dhe trupit. Ai kritikon mjekësinë moderne që shpesh i shikon sëmundjet vetëm në prizmin biologjik. Për të, sistemi nervor, hormonet, emocionet dhe imuniteti nuk janë të ndarë, por pjesë e të njëjtit mekanizëm. Kjo shpjegon, sipas tij, pse stresi kronik është faktor i drejtpërdrejtë në sëmundje si kanceri apo çrregullimet autoimune.

Në librin Miti i normales, ai përshkruan shoqërinë moderne si një kulturë toksike, ku ajo që konsiderohet “normale” është shpesh e dëmshme. Stresi i vazhdueshëm, presionet sociale, pabarazia, degradimi i mjedisit, varfëria dhe izolimi. Ai e krahason shoqërinë me gaforret që ngrohen ngadalë në një tenxhere me ujë, pa kuptuar se po digjen për së gjalli.

Pavarësisht kritikave që ka marrë qoftë për diagnozat e tij të debatueshme, qoftë për qëndrimet e hapura mbi konfliktin Izrael–Palestinë , Maté mbetet i qartë për misionin e tij: të ndihmojë njerëzit të çlirohen, politikisht dhe personalisht, nga traumat që i bëjnë peng të së kaluarës. Ai beson se vetëm duke u përballur me dhimbjen tonë mund të jetojmë të lirë.

Kudo që shkon, njerëzit e njohin dhe e falënderojnë. Ai pranon me humor se ka një ego të madhe, por shton se nuk e beson. Dhe pikërisht kjo vetëdije, e kombinuar me sinqeritetin e tij, është ndoshta arsyeja pse mesazhi i tij prek kaq shumë njerëz: një thirrje për dhembshuri, vetëkuptim dhe shërim në një botë që shpesh duket e helmuar nga vetë normaliteti i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë