Shkencë

Ata që kanë ankthe të shpeshta jetojnë më pak

Po ashtu, plaken më shpejt se ata që i përjetojnë herë pas here, sipas një studimi të madh mbi një nga përvojat më të rrëfyera njerëzore

Gazeta Si – Ëndrrat që përsëriten shpesh janë ëndrra të këqija. Ne ëndërrojmë sikur nuk kemi studiuar për një provim ose një fjalim, sikur jemi vonë diku, sikur po na bien dhëmbët ose sikur dikush po na ndjek.

Herë të tjera, ëndrrat e këqija nuk kanë një temë të përsëritur, por ato janë prapëseprapë shqetësuese dhe ne i quajmë ankthe.

Në të dyja rastet, t’i kesh shumë shpesh, mund të jetë një shenjë e problemeve që mund të ndikojnë në jetëgjatësi.

Një grup neuroshkencëtarësh në “Imperial College London”, të udhëhequr nga neurologu Abidemi Otaiku, zbuluan se njerëzit që kanë ankthe çdo javë, kanë më shumë gjasa të vdesin para kohe dhe të kenë plakje qelizore më të shpejtë, sesa ata që kanë ankthe herë pas here.

Studimi u prezantua në takimin vjetor të Akademisë Evropiane të Neurologjisë në Helsinki, Finlandë dhe është i pari që i trajton ankthet si një shënues (tregues) të vdekshmërisë së parakohshme, pra para moshës 70 vjeç.

Neuroshkencëtarët analizuan të dhëna nga mbi 183,000 të rritur të moshës 26 deri në 86 vjeç dhe mbi 2,400 fëmijë të moshës 8 deri në 10 vjeç, të studiuar për një periudhë pak a shumë të gjatë (nga një minimum prej 18 muajsh deri në një maksimum prej 19 vjetësh). Të gjithë pjesëmarrësit, ose prindërit e tyre në rastin e fëmijëve, u pyetën se sa shpesh kishin ankthe.

Rezultatet treguan se ata që kishin ankthe rregullisht, të paktën një në javë, kishin tre herë më shumë gjasa të vdisnin para moshës 70 vjeç sesa ata që kishin ankthe rrallë ose kurrë. Pati gjithsej 227 vdekje të parakohshme gjatë periudhës së vëzhgimit.

Ekipi i hulumtimit zbuloi gjithashtu se njerëzit që raportuan se kishin të paktën një makth çdo javë, përfshirë fëmijët, kishin “telomere” më të shkurtra: këto janë pjesë të vogla të ADN-së që gjenden në fund të kromozomeve dhe shkurtohen me çdo dyfishim qelizor.

Mendohet se ato luajnë një rol themelor në plakjen e indeve: gjenomet më të shkurtra shoqërohen me plakje më të shpejtë qelizore.

Korrelacioni midis anktheve të shpeshta dhe plakjes më të shpejtë qelizore, ishte i vlefshëm pavarësisht nga mosha, seksi, etnia dhe gjendja e shëndetit mendor të pjesëmarrësve.

Një hipotezë që Otaiku ka propozuar për të shpjeguar korrelacionin, është se ankthet ndërhyjnë në efektet normale, restauruese të gjumit.

Ato gjithashtu mund të ndryshojnë nivelet e kortizolit, një hormon përgjegjës për shumë procese metabolike, rritja e të cilit është e lidhur me plakjen qelizore, ndër të tjera.

Ne shpesh zgjohemi nga ankthet e këqija duke djersitur dhe me zemrën  që rreh fort, dhe “kjo përgjigje ndaj stresit mund të jetë më intensive se çdo gjë që përjetojmë ndërsa jemi zgjuar”, tha Otaiku në një deklaratë.

Hulumtimi nuk vërteton se ankthet e këqija janë një shkak i drejtpërdrejtë i vdekjes së parakohshme ose plakjes qelizore, por lidhja që gjetën neuro-shkencëtarët ishte ende shumë e qartë.

Të kesh ankthe të shpeshta, zbuluan ata, është më fort e lidhur me vdekjen e parakohshme sesa faktorët e rrezikut të përcaktuar si pirja e duhanit, mbipesha, dieta e dobët ose mungesa e aktivitetit fizik.

“Është një gjetje interesante me shumë besueshmëri biologjike”, tha neurologu, Guy Leschziner për revistën “New Scientist”, por do të nevojiten më shumë studime për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje shkasore.

Ankthet mund të jenë një efekt indirekt i sëmundjeve të ndryshme themelore ose ilaçeve të marra për t’i trajtuar ato, veçanërisht tek të moshuarit dhe nuk është e lehtë të përjashtohet ndikimi i këtyre faktorëve në kërkime. Ekziston gjithashtu një lidhje e njohur midis anktheve të këqija dhe sëmundjeve neurodegjenerative.

Një studim i vitit 2023, i kryer nga vetë Otaiku, kishte treguar se fëmijët që rregullisht shohin ëndrra të këqija midis moshës 7 dhe 11 vjeç kanë më shumë gjasa të zhvillojnë përkeqësim njohës dhe të diagnostikohen me sëmundjen e Parkinsonit deri në moshën 50 vjeç.

Sipas Otaikut, lidhjet midis anktheve të këqija dhe vdekjes së parakohshme dhe midis anktheve të këqija dhe sëmundjeve neurodegjenerative, nuk duhet të konsiderohen zbulime alarmante, por përkundrazi sinjalizojnë mundësinë për të ndërhyrë dhe për të zvogëluar një sërë rreziqesh.

Ata që kanë ankthe shumë të shpeshta kanë disa mënyra për të përmirësuar gjendjen dhe jetëgjatësinë e tyre, siç është trajtimi i çdo çrregullimi të gjumit ose mendor që lidhet me ankthet e këqija.

Për më tepër, shumica dërrmuese e njerëzve nuk shohin shpesh ëndrra të këqija; të kesh disa herë pas here është plotësisht normale.

Të shohësh të paktën një ëndërr të përsëritur, është e zakonshme në mesin e 75 përqind të popullsisë dhe dy të tretat e ëndrrave të përsëritura, janë makthe.

Edhe nëse përsëriten, ato janë ende relativisht të rralla dhe ndryshojnë pak herë pas here, ndryshe nga makthet e shoqëruara me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), në të cilin njerëzit përjetojnë kujtime specifike traumatike nga jeta e tyre në gjumë, pa ndonjë ndryshim të konsiderueshëm.

Duke lënë mënjanë rastet patologjike, arsyeja pse normalisht kemi ëndrra të këqija dhe pse këto ëndrra janë kaq të përsëritura, nuk është plotësisht e qartë për shkencëtarët që i studiojnë ato.

Një hipotezë është se ëndrrat amplifikojnë ndjesitë dhe dramatizojnë ngjarjet dhe situatat që përjetojmë kur jemi zgjuar, megjithëse lidhja me realitetin nuk është gjithmonë e dukshme ose e drejtpërdrejtë.

Paragjykimi negativ, tendenca njerëzore për t’i kushtuar më shumë vëmendje stimujve negativë sesa atyre neutralë ose pozitivë, mund të luajë gjithashtu një rol, pjesërisht për arsye evolucionare.

Kjo tendencë për t’u përqendruar në situata negative që kërcënojnë mbijetesën mund të jetë më aktive gjatë gjumit, për shkak të një dobësimi të njëkohshëm të zonave të trurit të lidhura me logjikën lineare.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë