Politike

PS mbledh ‘Integrimin’ e vjetër, opozita mungon: Është antikushtetuese!

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni për Çështjet Europiane është mbledhur paraditen e së premtes për të shqyrtuar projekt pozicionin negociues për Grupkapitullin e V-të për negociatat me BE-në.

Opozita ka bojkotuar mbledhjen që u drejtua nga zëvendës kryetarja Etilda Gjonaj, me pretendimin se po zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila e drejtoi këtë komision në legjislaturën që po mbyllet, ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar mbledhjen si antikushtetuese.

Sipas saj, deputetët e thirrur sot nuk janë rizgjedhur për një tjetër mandat në Kuvend, dhe nuk e kanë legjitimitetin që të thërrasin mbledhje.

“I sqarova qeverisë që mbledhja e komisionit jashtë sesioni është antikushtetuese! Për një jave fillon sesioni ri parlamentar dhe opozita e ka prioritet procesin e integrimit dhe do te beje çdo gjë ne dore te saj ashtu si ka bere ne çdo rast për këtë proces! Ofrova disa zgjidhje praktike si mund ta kalonim këtë ngërç por qeveria vazhdoi ne mënyre te njëanshme!”, shprehet Tabaku.

Më tej ajo nënvizon se “asnjë nga deputetët që sot kanë thirrur mbledhjen nuk janë të rizgjedhur dhe nuk e kanë legjitimitetin të thërrasin mbledhje jashtë sesioni”.

Ndërkohë, Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka vlerësoi se “Shqipëria po ecën me hapa të sigurt dhe sistematik në procesin e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë