Gazeta “SI”- “…Të dashur dhe të respektuar miq, të gjithë të gëzuar dhe mirë se na keni ardhur! Ne jemi jashtëzakonisht të nderuar nga pjesëmarrja juaj, ndaj në shenjë dashurie dhe respekti dua të ngre një dolli me disa shëndete: shëndetin e parë, në krye të herës, e kam për çiftin e të sapomartuarve, për sebepçinjtë”; “dua të ngre një shëndet të dytë për krushqit që sollën nusen”…
Vetëm para pak ditësh, Dollia u shpall si vlerë kombëtare e trashëgimisë. Ky ritual si një nga elementët më të rëndësishme të traditës sonë, ka qënë dhe mbetet një nga kulmet e sëndërtimit të asaj çka mund të thuhet skaletë e gëzimeve familjare shqiptare.
Ky ritual kaq popullor në shtëpitë e shqiptarëve, shpesh është tejkaluar edhe nga vëmendja e studiuesve apo kulturologëve të cilët janë marrë gjërësisht me traditat shqiptare, duke mbetur disi në hije.
Kjo ka qënë dhe spuntoja e cila e ka shtyrë profesor Sherif Bundon, të shkruajë një monografi studimore mbi rolin e dollisë në jetën shoqërore shqiptare.
Në lbrin e tij “Dollia shqiptare, Institucioni shpirtëror i mikpritjes” Bundo paraqet me qartësi elemëntët e dollisë, që nga rregullat dhe nderimet që kryhen nëpërmjet saj e deri te hierarkia dhe roli insitucionalizues.

Rregulli i dollisë
Rregulli i dollisë në sofër është një institucion që garanton dhe institucionalizon vendin e nderit dhe të respektit për mikun në shtëpi, për vizitorin apo për të ftuarit në përgjithësi.
Në çdo sofër/tavolinë, në çdo gosti, në çdo dasmë, në çdo dialog, ka gjithnjë dy palë: pala pritëse dhe pala e ftuar.
Sipas traditës, pala pritëse bën maksimumin e mundshëm që të ftuarve, apo miqve, t’u bëhen të gjitha nderimet dhe ata të ndihen sikur janë në shtëpinë e tyre. Respektin dhe nderimin maksimal ndaj mikut, tradita shqiptare e ka të kultivuar në gjenezën e saj, e ka çështje të gjenit dhe të vazhdimësisë, e ka brumin e filozofisë së ekzistencës”
Hierarkia e vlerave dhe përgjegjësive në sofër
Në një darkë, në një odë të pritjes së miqve, në një sofër, tavolinë, në një festë, në një ngjarje, në një dasmë apo në një tjetër gëzim të çdo natyre, jo të gjithë të pranishmit kanë të njëjtin status.
Vetë familja shqiptare ka qenë dhe mbështetet te dashuria, te mirëkuptimi, te barazia dhe te hierarkia e vlerave dhe e përgjegjësive.
Ka një kryefamiljar, të cilin e respektojnë të gjithë, që luan rolin e timonierit dhe të përgjegjësit kryesor të familjes. Të paktën kështu ka funksionuar familja tradicionale shqiptare.
Etimologjikisht, termi kryefamiljar shpjegohet me përgjegjësinë që ka një njeri për personat që ka në ngarkim dhe detyrohet të kujdeset për ta (kuptohet, familja moderne ka “kushtetutë moderne”).
Por, ka me radhë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të barabartë në të drejta, por me mosha të ndryshme, me gjini të ndryshme, me status civil të ndryshëm, me status arsimor dhe kulturor të ndryshëm, me status pasuror të ndryshëm.
Njerëzit janë të ndryshëm sepse lindin të tillë. Po kështu, brenda familjes jo të gjithë kanë talente të njëjta, janë njëlloj oratorë, janë njëlloj socialë apo njëlloj të ndjeshëm.
Ndërkohë që jeta, ndër vite dhe shekuj, ka diferencuar natyrshëm edhe personat me prirje, me talent, me aftësi fizike dhe trimërore të ndryshme apo me aftësi të mira dhe qëndrueshmëri të lartë rezistence, pse jo edhe ndaj alkoolit. Nga pala e të ftuarve, e miqve, ka gjithashtu një hierarki të nënkuptuar.

Ka një renditje, një prioritet vlerash, një protokoll të heshtur, jo zyrtar, të gjithëpranuar, ka një diferencim të individëve që përfaqësojnë palën e të ftuarve.
Kur bëhet fjala për dasmën, pala e të ftuarve janë krushqit që vijnë të marrin nusen. Po t’i referohemi traditës, krushqit përbënin një kompozim shumë mirë të menduar dhe të harmonizuar individësh, të cilët kishin një mision të caktuar dhe vetëm nëse do të kombinoheshin shumë mirë cilësitë dhe karakteristikat individuale të tyre në gjithë grupin dhe ai të funksiononte si një ekip, si një bashkim kompakt dhe unik, misioni përmbushej me sukses dhe me dinjitet.
Gjeografia e dollisë
“Për këto arsye, institucioni i dollisë ka funksionuar më mirë në ish-Principatën e Muzakajve, në periudhën mesjetare të Bizantit, të viteve 1280-1444 (qarqet e sotme Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë) apo në trojet e sotme të krahinave si: Skrapari, Dëshnica (Këlcyrë), Tomorrica, Turbohova dhe Potomi (rrethi i Skraparit); Cerja (Përmet); Dangëllia-Frashëri (Përmet); zona e Malëshovës (Këlcyrë), Zheperit dhe Çajupit apo Lunxhërisë (Gjirokastër) si dhe Opari, Kolonja, Leskoviku, Gramshi, Mbrakulla dhe Shpiragu (rrethi i Beratit); Mallakastra, Labëria, Bregu (i detit) si dhe Librazhdi e Pogradeci (Mokra, Gora) etj.
Sigurisht, elemente të dollisë hasen edhe në zona të tjera periferike të këtyre krahinave, por ato kanë qenë të pjesshme, sporadike, jorigoroze dhe në to dollia nuk ka funksionuar si institucion i mirëfilltë rregullator.
Në ngjarje të nivelit të lartë të mikpritjes, si dasmat, apo ceremonitë me pjesëmarrje në numër të madh të të ftuarve, dollia është përhapur si ritual që përdoret tashmë si traditë e mirë në të gjitha hapësirat shqiptare.
Dollia është pjesë e asaj etnokulture, e cila ka si tipar dallues unitetin kombëtar, të shprehur përmes diversitetit krahinor dhe lokal, të ngulitura kaq fort dhe të materializuara kaq mirë në ndërgjegjen e brezave, saqë krijojnë një atmosferë dhe emocion të paimagjinueshëm për cilindo që nuk e njeh dhe nuk e ka provuar atë”

Pushteti i dollisë: rotacioni dhe përkohshmëria
Si fillon apo çelet biseda në një sofër/tavolinë ku konsumohet ushqim dhe alkool? Paraprakisht shtrohet sofra, ulen të pranishmit sipas hierarkisë, vendosen mbi sofër pjatat me mezetë, shërbehen gotat e rakisë për secilin, gjendet vendi i përshtatshëm për sakun dhe gjithçka është gati.
Në fillim e merr fjalën kryefamiljari, apo personi që është ulur në krye të palës pritëse, Kryezoti. Ai prezanton shkurt të pranishmit, një për një, sipas hierarkisë dhe vendit ku janë ulur, apo ku ndodhen, duke përmendur me dy fjalë lidhjet e gjakut, karakteristikat, punën që bën, funksionin që mban, vendin ku banon, statusin i martuar apo jo, numrin e fëmijëve, vlerat dhe meritat e çdonjërit.
Kur e mbaron këtë prezantim fton Kryemikun të bëjë të njëjtën gjë. Palët duhet të njihen mirë me njëra-tjetrën. Të pranishmit duhet të njohin këdo që është ulur në tavolinë.
Në sofër/tavolinë nuk mund të ketë dhe nuk ka një person të ulur për të cilin nuk kemi asnjë lloj informacioni apo njohjeje. Kjo nuk mund të ndodhë.
Pastaj, pasi mbaron ky prezantim, ku të gjithë të pranishmit familjarizohen me mjedisin dhe mësojnë edhe hierarkinë e secilës palë, përsëri kryefamiljari i palës pritëse, Kryezoti, me një gotë të vogël të mbushur zakonisht me raki, u uron miqve mirëseardhjen, shpreh kënaqësinë që ata janë të ftuarit e nderit, uron për shëndetin e mirë të tyre dhe të familjarëve apo të afërmve të tyre dhe i fton të ndihen mirë, të sigurt, të qetë dhe të festojnë sikur të ishin në shtëpinë e tyre.
Në njëfarë mënyre, psikologjikisht kjo shërben për të shkrirë akujt që krijohen nga mosnjohja, nga distanca, nga takimi për herë të parë dhe nga prezenca e shumë personave.
Ka një hezitim të natyrshëm në çdo takim të ri. Pas një pauze të vogël, 4-5 minuta, fjala kalon në palën tjetër dhe me një gotë raki, Kryemiku përshëndet dhe uron palën pritëse, të zotët e shtëpisë, për pritjen e ngrohtë dhe u uron që jeta e tyre të pasojë vetëm me të mira dhe gëzime
Dollia, jo e pranueshme per të gjithë
“Ka njerëz që dollinë e përfytyrojnë në formën dhe versionin e saj më të deformuar dhe më të pasaktë, sepse nuk kanë pasur rastin të ndjekin një ceremoni të kompletuar në të gjithë elementet e saj, ku dollia të funksionojë si mekanizëm i plotë, si mekanizmat e sahateve zvicerane. Ka edhe një kategori tjetër të tipave njerëzorë, që nuk e pëlqejnë dollinë. Janë tipat introvertë, që nuk u pëlqen të dalin në skenë, nuk u pëlqen të evidentohen, nuk kanë dëshirë të bëjnë protagonistin, pëlqejnë të qëndruarit mbrapa perdes, të heshtur, edhe pse mund të jenë shumë të aftë dhe të saktë. Sigurisht, mund të mos kenë munguar rastet kur në sofra është abuzuar me konsumin e alkoolit. Por, pikërisht abuzimi me këtë të fundit ka ardhur prej mosnjohjes apo mosrespektimit të rregullave të dollisë”.

Institucion i respektit dhe mikpritjes
Rregulli i dollisë në sofër është një institucion që garanton dhe institucionalizon vendin e nderit dhe të respektit për mikun në shtëpi, për vizitorin apo për të ftuarit në përgjithësi.
Në çdo sofër/tavolinë, në çdo gosti, në çdo dasmë, në çdo dialog, ka gjithnjë dy palë: pala pritëse dhe pala e ftuar.
Sipas traditës, pala pritëse bën maksimumin e mundshëm që të ftuarve, apo miqve, t’u bëhen të gjitha nderimet dhe ata të ndihen sikur janë në shtëpinë e tyre.
Respektin dhe nderimin maksimal ndaj mikut, tradita shqiptare e ka të kultivuar në gjenezën e saj, e ka çështje të gjenit dhe të vazhdimësisë, e ka brumin e filozofisë së ekzistencës
–Marrë me shkurtime nga studimi monografik “ Dollia Shqiptare, Institucioni shpirtëror i mikpritjes” i prof. Sherif Bundo. Botim i shtëpisë botuese “MediaPrint”
–Sherif Bundo është Profesori i Financave në Universitetin e Tiranës, Profesor i Ftuar i Financave dhe Kontabilitetit Financiar në Universitetin e Poitiers (Puatje), Francë. U diplomua për Financë dhe Kontabilitet në Universitetin e Tiranës, në vitin 1980. Ai është drejtues i projekteve evropiane Erasmus Plus. Lektor në Universitetin Publik të Prishtinës, në Universitetin e Shkodrës, në Universitetin e Vlorës dhe në atë të Korçës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



