Trashëgimi

Jeta publike në antikitet/Dy zbulime të rralla në Laodicea dhe Pergamoni

Nga Gazeta “SI”– Arkeologët kanë bërë dy zbulime të rëndësishme në qytetet antike të Laodiceas dhe Pergamonit, duke hedhur dritë mbi jetën publike dhe zakonet e spektatorëve në periudhën romake.

Në Laodicea, pranë qytetit modern të Denizlit, u zbulua një sallë asambleje e lashtë, e ruajtur në gjendje të shkëlqyer, që daton rreth 2,000 vjet më parë. Ndërtesa, e ndërtuar në stilin e një teatri me 17 radhë ulësesh, mund të priste deri në 800 pjesëmarrës. Ajo shërbente si qendër politike, gjyqësore dhe administrative e qytetit. Janë gjetur mbishkrime me emrat e zyrtarëve të lartë, ndërsa një statujë e ulur besohet të përfaqësojë kryegjyqtarin e Laodiceas. Ndërtesa ka një strukturë unike arkitektonike me mure pesëkëndëshe dhe brendësi gjashtëkëndëshe , një risi në Anadollin e lashtë.

Ndërkohë, në Pergamon, gjatë gërmimeve në amfiteatrin romak të shekullit II pas Krishtit, arkeologët nga Instituti Arkeologjik Gjerman dhe universitete europiane zbuluan dy blloqe ulësesh të gdhendura me emrat e spektatorëve të lashtë që përpiqeshin të “rezervonin” vendet më të mira në arenë. Ndryshe nga ulëset e zakonshme prej guri të bardhë tufa, këto ishin prej andeziti të errët dhe më komod.

Disa emra janë grekë, të tjerë romakë të shkruar me shkronja greke si Λυκιος për Lucius. Disa prej tyre janë të gdhendur thellë, duke sugjeruar se qytetarët mund të kenë paguar për të siguruar vendin e tyre. “Njerëzit përpiqeshin të rezervonin ulëset më të mira për veten dhe të afërmit,” thotë arkeologu Felix Pirson. “Pyetja është nëse të tjerët e pranonin këtë apo jo.”

Të dy zbulimet ofrojnë një pamje të gjallë të jetës publike në qytetet romake dhe tregojnë se edhe atëherë, si sot, njerëzit konkurronin për vendet më të mira , qoftë në arenën politike, qoftë në atë të spektaklit.

Burimi: Archaeology Magazine


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë