Nga Sokol Çunga – Sa kohë duhet për të udhëtuar nga Tirana në Pekin kur ke në dorë një çantë me dy kodikë mesjetarë që transportohen në fshehtësi, pa i deklaruar? Një udhëtim i tillë do të ngjante si skenar i denjë për ndonjë film të Agjentit 007, do të ishte i pagjasë ditëve të sotshme, por jo në motin e largët 1971.
“Nisja nga Tirana për në Kinë u bë më datën 18 mars 1971, bashkë me 30 shqiptarë, që edhe ata udhëtonin për në Kinë, duke ndjekur itinerarin Tiranë-Beograd. Këtu qëndruam vetëm një gjysmë ore, sa u furnizua avioni me karburant. Çanta nuk u lëshua asnjë çast nga dora. Nga Beogradi udhëtuam për në Budapest. Këtu fjetëm një natë në hotelin e aeroportit, meqë ishim tranzit. Këtu erdhën shokët e ambasadës sonë për t’u interesuar për fjetjen. Në hotel fjeta në një dhomë bashkë me një shok shqiptar.

Të nesërmen u nisëm përsëri me avion për në Moskë. Në aeroportin e Moskës qëndruam 8 orë. Në asnjë vend ku kalova nuk më kontrolluan dhe as dyshuan çfarë kisha brenda. Nga Moska u nisëm për në Omsk. Në aeroport qëndruam vetëm një gjysmë ore dhe përsëri udhëtojmë për Irkutsk, ku fjetëm një natë.
Të nesërmen u nisëm për në Pekin, ku mbërritëm më datën 21 mars në ora 11 paradite. Kishin dalë për të na pritur këshilltari i ambasadës tonë dhe shokë të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës dhe të Institutit Arkeologjik, kryetari i degës së punëve të jashtme pranë Akademisë së Shkencave, përfaqësuesi i ushtrisë pranë Institutit Arkeologjik, përgjegjësi i Institutit Arkeologjik dhe punonjës shkencorë të tij, si dhe përkthyesi. Çantën me kodikët e dorëzuam në ambasadë për ta ruajtur.”
Teksti i mësipërm është raporti i arkivistëveit Reshat Alia, restaurator i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i cili udhëtoi drejt Pekinit, bashkë me kolegen e tij, Sanije Mara, ngarkuar me detyrën e transportit dhe restaurimit të kodikëve Beratinus 1 dhe 2.

Të shumëpërmendurit kodikët të Beratit nr. 1 dhe nr. 2, ose të referuar edhe si Codex Beratinus Purpureus dhe Codex Aureus Anthimi, u zbuluan, pas një periudhe të gjatë fshehjeje, më 12 gusht 1968 në kishën katedrale të Fjetjes së Shën Marisë në Berat (sot Muzeu “Onufri”) dhe u morën në dorëzim nga oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit.
Më 21 gusht të po atij viti kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Ministria e Arsimit. Për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishin pësuar, kodikët kishin nevojë të menjëhershme për restaurim, gjë e cila nuk ndodhi shpejt në kohë, por vetëm më 1971.
Restaurimi kaloi në disa procese. Procesi i parë ishte shkëputja e fletëve të ngjitura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe futjen e avullit brenda arkës. Në arkë u vendos një barometër, për të vëzhguar temperaturën dhe lagështinë, duke i lënë fletët në atë mjedis për 3 orë. Gjatë këtij procesi u bë dhe numërimi i fletëve.
Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipitimet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë, dhe duke i vendosur nën pesha.
Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike dhe u lidhën në vëllime. 190 fletët e Beratinus 1 u vendosën në 9 vëllime, kurse 420 fletët e Beratinus 2 u vendosën në 21 vëllime.

Krahas restaurimit u bë edhe një punë e madhe, e kushtueshme financiarisht dhe mjaft e gjatë në kohë, për përgatitjen e kopjeve të dy kodikëve dhe të maketeve të tyre. Për të prodhuar kopjen e kodikut Beratinus 2, Instituti i Arkeologjisë së Kinës tërhoqi nga Banka Kombëtare e Pekinit 50 gram ar për shkrimin, si dhe u therën 119 kokë dhi për të prodhuar 420 fletët e pergamenës.
Më 6 nëntor 1971, 3 arkat në të cilët ishin vendosur kodikët edhe materialet e tjera, u ngarkuan në vaporin “Vlora” dhe u nisën për në Shqipëri. Vapori mbërriti në Portin e Durrësit më 31 dhjetor të atij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i mori në dorëzim arkat e kodikëve më 6 janar 1972, kur vapori “Vlora” u fut në Portin e Durrësit.
Më 15 janar 1972 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve.
Të pranishëm në ceremoni ishin:
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Skënder Hajro, Këshilltari Ambasadës së R.P. të Kinës, Sia Sin Fën, dhe personaliteteve të shkencës: prof. Androkli Kostallari, prof. Stefanaq Pollo, prof. Aleks Buda, prof. Gani Strazimiri, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Marika Vogli, e të tjerë.

Prej asaj date, kodikët e restauruar ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, në shërbim të publikut të specializuar dhe të përgjithshëm.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



