Lexo me "Si"

Shqipëria komuniste në sytë e një fotografi francez

Nga Michel Setboun-Historia e Shqipërisë më prek thellë sepse “Vendi i shqiponjave” është një përmbledhje e historisë së botës. Është historia e Europës, e luftës, e nazizmit, e luftës së ftohtë, e çlirimit, e idealeve që trazuan botën gjatë shekullit të njëzetë, e “njeriut të ri”, e lirisë, e pavarësisë, por është gjithashtu edhe historia e komunizmit, e maoizmit, e stalinizmit, e diktaturës, e ateizmit, e gulagut, e nënshtrimit, e paranojës… më pas e rilindjes, e luftës së pafundme për demokraci, e rikthimit të vështirë drejt lirisë. Historia e botës e kondensuar në një territor shumë të vogël.

Në vitin 1981, e vetmja mënyrë për të udhëtuar në Shqipëri ishte duke iu bashkuar një grupi miqësor marksist-leninist. Në grupin tonë të “simpatizantëve”, ishim dy gazetarë incognito. Nuk kishte fluturime të rregullta për në Tiranë. Vendi ishte i shkëputur nga bota. Në verë, një herë në javë, shoqatat evropiane të miqësisë marksiste-leniniste organizonin bashkarisht një çarter nga Këlni për në Tiranë, të mbushur me “turistë miq”. Në aeroport, një komitet mirëseardhjeje, disa guida dhe një berber na prisnin: flokët e gjatë, mjekrat dhe minifundet ishin të ndaluara!

Foto: Michel Setboun

Shqipëria ishte për mua fillimisht një vend epik dhe romantik. Isha i zhytur në romanet e Ismail Kadaresë, veçanërisht “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Isha gjithashtu i ndikuar nga Syldavia e “Skeptrit të Ottokarit”, nga Shqipëria e pullave të mia postare dhe nga mbretëria e “Goto, ishulli i dashurisë”, filmi i panjohur por i mrekullueshëm i Walerian Borowczyk, ku Claude Brasseur luan rolin e një diktatori ikonoklast.

Isha gjithashtu kurioz të shihja këtë socializëm në lëvizje, edhe pse nuk ushqeja iluzione. I përkisja së majtës, isha i ndjeshëm ndaj ideve socialiste; me pak fjalë, ky vend i vogël, sa dy departamente franceze, ishte një mozaik kontradiktash dhe izolimi i tij më ngjallte kureshtje.

Foto: Michel Setboun

Duhet kujtuar edhe konteksti ndërkombëtar. Disa muaj më parë, isha në Afganistan gjatë pushtimit rus, dhe kisha mbuluar revolucionin islamik në Iran. Për mua, koha e revolucioneve sapo kishte nisur. Në mbrëmje, gjatë netëve në hotelin tonë në Durrës, larg qytetit dhe popullsisë, na shfaqeshin filma për luftën kundër nazizmit, dhe zhvillonim debate me tema si: “A mund të ndërtohet komunizmi pa e ndryshuar Njeriun?”

“Jo”, përgjigjeshin miqtë tanë shqiptarë, “Duhet të ndryshohet gjithçka”.

Dhe këtë po përpiqeshin ta bënin. Nën Enver Hoxhën, që në moshë të vogël, bëhej përpjekje për të çrrënjosur bazat e “individualizmit, supersticionit”. Kujdesi për fëmijët fillonte që në çerdhe. Feja ishte zëvendësuar me mësime morali socialist. Grupi social jepte ndëshkime dhe shpërblime. Kritika kolektive, autokritika, kritika masive, kujtonin disi revolucionin kulturor, i aplikuar te fëmijët.

Foto: Michel Setboun

Njeriu i ri është para së gjithash ushtar.

Fëmijët shqiptarë që të vegjël merrnin pushkë prej druri. Ata nuk mjaftoheshin vetëm duke luajtur, por ruanin vërtet kampet e pionierëve. Në Perëndim, këto lojëra ushtarake zakonisht kundërshtohen, atje ishte e kundërta.

Fëmijët duhet të mësohen me luftën. Një grup udhëheqësish të një kampi pushimi më treguan se kishin pasur shumë vështirësi për të organizuar një betejë “klasike” mes gjermanëve dhe partizanëve shqiptarë.

Fëmijët qanin: nuk donin të luanin rolin e gjermanëve: “Nuk dua të jem gjerman, babi im është partizan!” Për ta, kjo nuk ishte një lojë.

Ky edukim ushtarak vazhdon gjatë gjithë jetës. Gratë, “sot të barabarta me burrat”, nuk përjashtohen.

Studimi është shtylla e dytë e këtij edukimi socialist dhe puna produktive, e treta. Të rinjtë punojnë falas, të paktën një muaj në vit, për komunitetin. Adoleshentët “aksionistët” ndërtuan thuajse të gjitha hekurudhat shqiptare (të braktisura sot).

Foto: Michel Setboun

Ata gjithashtu dërgoheshin në fusha, për projekte të mëdha: ujitje, hapje tokash etj. Përpara fillimit të studimeve të larta, ata duhej të ktheheshin në prodhim. Adoleshenti duhej të tregonte jo vetëm aftësitë shkollore, por mbi të gjitha bindjet politike, vetmohimin, dëshirën për ti shërbyer shoqërisë. Ishte grupi i punëtorëve që vendoste nëse ai/ajo duhej të vazhdonte studimet. Pasi përfundonin shkollën, dërgoheshin në fabrikë ose kooperativë, aty ku kishte nevojë. Gjatë gjithë jetës, punëtori duhej ti shërbente shoqërisë. Kur të rinjtë martoheshin, mund të dërgoheshin larg familjes, aty ku i thërriste detyra.

Gjatë debateve me miqtë tanë shqiptarë, duhej të duronim këtë propagandë. Sigurisht, nuk flitej për gulagët, burgjet dhe pyetjet për fenë ishin të papëlqyera. Shqiptarët thjesht ishin “çliruar” nga “opiumi i popullit”…

Foto: Michel Setboun

Shqipëria e përgjumur jetonte “jashtë kohës”. Nuk mund të lëvizje veçmas dhe të fotografuarit ishte gjithmonë e dyshimtë. Vizitoheshin vetëm vendet turistike dhe disa fabrika model, muzeu i arritjeve socialiste ku ekspozoheshin traktorë kinezë, galeria e artit realist, dhe më pas ktheheshim në hotelin tonë, larg gjithçkaje, sidomos popullsisë. Nuk lejohej përzierja!

Posterat e propagandës të zbehur mbulonin muret, rrugët ishin bosh pa makina, por plot me karroca me kuaj. “Banda e pesëshes”: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Mao, ishte bërë katërshe. Mao ishte zhdukur nga posterat në vitin 1968 pas prishjes me vëllain e madh kinez, pikërisht kur maoistët francezë dhe evropianë marshonin me librin e kuq duke brohoritur “Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Mao”.

Foto: Michel Setboun

Në vitin 1968, Shqipëria ishte plotësisht e izoluar nga bota. Tregtia zhvillohej përmes shkëmbimit. Biznesmeni francez, Julien Roche, shkëmbente pajisje telekomunikacioni franceze për erëza ose dele. Në fund të diktaturës, ai themeloi kompaninë e parë ajrore shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë