Ne rrjet

‘Jo vrasës, por të gjendur në momentin e gabuar’/ Çfarë nuk kuptojmë rreth dhunës së përditshme

Nga Malcolm Gladwell– Një incident tragjik në një fast food në Çikago, ku një grindje banale mes një burri dhe një gruaje përfundoi me një vrasje, ka ngjallur sërish pyetje të thella mbi mënyrën se si ne e kuptojmë dhunën. Në qendër të debatit është ideja se shumica e vrasjeve në SHBA nuk janë akte të ftohta, të planifikuara, por reagime emocionale që ndodhin brenda disa sekondave , shpërthime të çastit, pa vetëdije apo qëllim të qartë.

Është pikërisht kjo tezë që ekonomisti dhe studiuesi i politikave të sigurisë publike, Jens Ludwig, shtjellon në librin e tij më të fundit ‘Unforgiving Places’, dhe që Malcolm Gladwell e analizon në një ese të zgjeruar për The New Yorker.

Ngjarja në fjalë është e thjeshtë në dukje, por e tmerrshme në pasojë. Një koment i keqkuptuar, një kërcënim, një grusht, një djalë i ri që sheh nënën e tij të rrihet para syve dhe që më pas, në çast paniku dhe zemërimi, shtie me armë. Ngjarja përshkruhet si një shembull i pastër i asaj që Ludwig quan “dhunë shprehëse”  jo e drejtuar nga një qëllim kriminal, por nga një përplasje impulsive që del jashtë kontrollit.

Statistikat i mbështesin këto vëzhgime. Sipas të dhënave të FBI-së në dy dekadat e fundit, vetëm 23 për qind e vrasjeve në SHBA janë “instrumentale” pra që ndodhin gjatë një grabitjeje, për përfitim financiar apo hakmarrje të paramenduar. Pjesa tjetër, 77 për qind, janë të natyrës emocionale. Njësoj si në vitet ’60 në Hjuston, apo sot në Filadelfia, Çikago dhe Milëaukee shumica e krimeve të dhunshme nisin nga grindje për çështje personale , tradhti, para, kujdestari fëmijësh, fjalë fyese, ose thjesht një keqkuptim në rradhën e një restoranti.

Pavarësisht kësaj, sistemi amerikan i drejtësisë penale e trajton dhunën sikur të ishte gjithnjë një zgjedhje e vetëdijshme. Politikat e burgosjeve të gjata, të ndërtuara mbi idenë e “parandalimit përmes ndëshkimit”, supozojnë se individët peshojnë rreziqet përpara se të veprojnë , një kalkulim racional që realiteti i përgënjeshtron vazhdimisht. Askush në ngjarjen e Maxwell Street Express nuk ishte duke bërë llogari të stilit “Bayes”. Ata vepruan në një “modalitet zjarri” ose Sistemi 1, siç quhet në psikologji: i shpejtë, instinktiv, emocional.

Ludwig e sheh këtë si dështim themelor të politikave penale. Burgosjet masive, për të, jo vetëm që nuk e ndalin dhunën, por e përkeqësojnë atë. Ato largojnë të rriturit nga komunitetet që kanë nevojë për mbikëqyrje, kujdes dhe ndërhyrje të përditshme. Ata që mund të thoshin “qetësohu”, thjesht nuk janë më aty.

Po çfarë funksionon? Studiuesi sjell disa shembuj konkretë. Në Çikago, programi “Becoming a Man” (BAM), u mëson adoleshentëve si të përballen me situata tensioni pa u përfshirë në dhunë. Në një eksperiment të gjerë, BAM uli me 50% arrestimet për krime të dhunshme tek të rinjtë që morën pjesë. Në një nga ushtrimet e programit, dy nxënës përballen me një sfidë: njëri mban një top, tjetri duhet ta marrë. Pothuajse të gjithë provojnë ta rrëmbejnë me forcë. Por pas diskutimit, shohin se askush nuk mendoi të kërkonte topin me fjalë. Një metaforë e fuqishme për sa shumë konflikte burojnë nga moskomunikimi dhe frika nga dobësia.

Shembuj të tjerë përfshijnë ndërhyrje në hapësirat publike. Ndriçimi më i mirë i zonave të errëta uli me 35% krimet e rënda në disa lagje të Nju Jorkut. Po ashtu, kur tokat e braktisura u kthyen në hapësira të gjelbra në Filadelfia, banorët dolën më shpesh jashtë, fëmijët luanin, u shtuan sytë në rrugë dhe krimi ra. Siç shkruante dikur Jane Jacobs, siguria publike buron shpesh nga mbikëqyrja informale, jo nga prania e shkopinjve të gomës apo patrullave të blinduara.

Një nga aspektet që Ludwig përmend vetëm në mënyrë të tërthortë është prania e armëve. Në vendet e tjera të zhvilluara, një përleshje fizike rrallëherë përfundon me vdekje, pikërisht sepse nuk ka armë në xhepa apo në bagazh. Por ai është skeptik se SHBA do të ndryshojë ndonjëherë politikën e armëve. Në mungesë të një vullneti real për reformë, ai sugjeron të mos harxhohet energji në këtë kauzë, por të fokusohemi tek realiteti.  Të kuptojmë trurin njerëzor dhe si funksionon ai në momentet e krizës.

Në fund, Gladwell përforcon mesazhin e Ludwig se nuk kemi të bëjmë me “monstra” apo “super-kriminelë”, por me njerëz të zakonshëm që, në një moment vendimtar, bëjnë zgjedhjen e gabuar. Dhe pikërisht sepse nuk mund të parashikojmë gjithmonë këto momente, duhet të ndërtojmë struktura që i parandalojnë, që ndërhyjnë përpara se të jetë vonë.

Një incident si ai i Maxwell Street Express është mësim për të gjitha shoqëritë përfshirë tonën. Nuk mjafton të ndëshkosh. Duhet të kuptosh. Duhet të jesh i pranishëm. Dhe mbi të gjitha, duhet të jesh aty kur dikush ka nevojë të dëgjojë thjesht: “Hej, qetësohu. Nuk ia vlen.”

Burimi: The New Yorker


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë