Nga Renato Franco – Pas suksesit të romanit të tij të parë “Domani e per sempre” (Nesër e përgjithmonë), Ermal Meta vjen me librin e tij të dytë “Le camelie invernali” (Kameliat e dimrit), që publikohet të martën më 13 maj nga “La nave di Teseo” e Elisabetta Sgarbi.
Një histori për dy familje të ngujuara në një konflikt. Dy miq Uksani dhe Samiri tetëmbëdhjetëvjeçarë në një tokë pa të ardhme. Një ligj i lashtë shqiptar (Kanuni) që kërkon hakmarrje për çdo krim.
Pse deshët ta tregoni këtë histori?
Sepse është një zakon i rrallë dhe i lidhur ngushtë me një kulturë të caktuar. Aty ku nuk ndizet një dritë, lulëzon errësira.
Në roman, një gazetare thotë: “Jam shumë italiane në Shqipëri dhe shumë shqiptare në Itali.” Është kështu edhe për ju?
Jam ndierë ashtu për shumë kohë, dhe ndonjëherë ende ndiehem. E ndiej veten në atdhe në të dyja vendet, por ndoshta atdhetë e mi nuk më njohin mua. Kam ndërtuar gjithë jetën dhe interesat e mia këtu: jam italian, por ndoshta pak më pak italian se të tjerët. Dhe kur shkoj në Shqipëri, jam pak më pak shqiptar se të tjerët sepse më thonë që dukem si një italian që flet shumë mirë shqip. Është një ndjesi që e ndien vetëm kur largohesh nga toka jote, kur jeton i pezulluar mes rrënjëve dhe gjetheve. Dhe kjo është ajo që më ka ndodhur mua për 30 vjet.
Si ishte fëmijëria juaj?
E çrregullt. Një pjesë për arsye familjare dhe një pjesë për shkak se kur ra regjimi, ndodhi gjithçka. Pas 45 vitesh diktaturë që ishte më e egra në Europë, më e egra në të gjithë bllokun sovjetik çdo rregull u shpërbë. Mbretëronte ligji i më të fortit.
Ju ishit fëmijë, e kuptonit diktaturën?
Regjimi ra kur isha 9-10 vjeç. Për ne fëmijët ishte e vështirë ta perceptonim. Por i kuptoja gjërat që nuk na lejoheshin ti bënim. Shkonim për ushqime me kartela, nuk mund të dëgjonim muzikë të huaj. Historia që tregoj zhvillohet nën dritën e qirinjve, me drita të zbehta. Një nga kujtimet më të gjalla është pikërisht ai i netëve nën dritë qiriu, sepse energjia elektrike ikte gjithmonë.
Takimi i parë me Italinë?
Shumë drita të ndezura natën. Ishte gjithçka shumë e ndriçuar.
Në libër flisni për një botë patriarkale e të dhunshme. Është kjo një mënyrë për të përballuar edhe figurën e babait tuaj dhe abuzimet e tij?

Nuk e di. Nuk e kujtoj më as fytyrën e tij. Të them të drejtën, nuk e mbaj mend më.
Kënga juaj e re titullohet “Ferma gli orologi” (Ndali orët). Ka ndonjë moment në jetën tuaj që do kishit dashur ta ndalonit?
I gjithë viti 2017, që ishte një vit i jashtëzakonshëm. Ishte viti kur publiku i madh u vetëdijesua për ekzistencën time. Ishte ajo që kisha ëndërruar si fëmijë. Sigurisht, erdhi pas shumë kohe, por ia vlejti. Ndoshta nëse do më kishte ndodhur në moshën 20-vjeçare, nuk e di se ku do të kisha përfunduar. Ndoshta do të isha çmendur.
Suksesi ka dritë hijet e veta të cilat mund të shndërrohen edhe në një kafaz ?
Që i vogël vendosa se doja të shkruaja këngë, që e doja këtë jetë. Prandaj, për mua nuk është kurrë një kafaz, por një privilegj. Sigurisht, nuk i njihja rreziqet.
Cili është rreziku kryesor?
Nuk është të arrish suksesin, por të qëndrosh aty. Kur je në majën e malit, të rrotullohet koka, ka më pak ajër, hapësira është e kufizuar. Kur maja është e mbushur, gjithmonë është dikush që rrëzohet.
Imazhi më i bukur nga Sanremo?
Telefonata e Franca Modugno pas këngës “Amara terra mia”. Më tha që ishte aty me djalin dhe se edhe Mimmo-s (Domenico Modugno) do i kishte pëlqyer. Ishte hera e vetme që kam qarë për shkak të muzikës.
Me Fabrizio Moro fituat Sanremo-n. Çfarë ju lidh?
Ai ka gjithmonë një pamje pak të inatosur, por në të vërtetë është një zemërbutë që s’e imagjinoni dot. Na lidh fakti që jemi dy njerëz që i kemi fituar të gjitha me mund, askush nuk na ka dhënë asgjë.
Autotune , po apo jo?
Për mua jo. Nuk e përdor dhe nuk më tërheq ta përdor. Është ndryshe ta përdorësh si efekt artistik, tjetër gjë për të fshehur mangësitë. Por jam gjithashtu i mendimit ‘jeto dhe lër të jetojnë’. Kush jam unë që t’ua ndaluar të tjerëve?
Tekstet e dhunshme të disa reperëve . Duhet t’i marrim si trillime apo duhet vënë kufij?
Arti dhe muzika gjithmonë kanë rrëfyer realitetin. Besoj se edhe reperët e sotëm tregojnë realitetin tonë. Nëse dikush i merr ato këngë si manual për jetën, problemi është i tij. Nëse një këngë të shtyn të veprosh, atë lloj kulture e ke në eshtra. Nuk ka funksionuar kurrë censura mbi artin. “Breaking Bad” është një kryevepër, por nuk më ka shkuar në mendje të hap një laborator metamfetamine. Mund të diskutojmë nëse disa këngë janë art i vërtetë apo jo por problemi i vërtetë është se duhet ndryshuar realiteti, jo këngët.
Së bashku me partneren po adoptoni dy vajza 17 dhe 18 vjeç.
I njohëm disa vite më parë gjatë një fushate ndihme për një shtëpi fëmijësh në Shqipëri. Më prekën shumë rrëfimet e tyre. Kur çiftet shkonin për të vizituar shtëpitë e fëmijëve ose jetimoret ku ishin, shikonin vetëm fëmijët më të vegjël. Askush nuk i vinte re vajzat që ishin më të rritura. Kur më thanë ‘neve nuk na do askush’, ma bëri zemra krak, sikur u copëtua në mijëra pjesë.”

Pse nuk menduat për një adoptim ndërkombëtar?
Sepse unë dhe Chiara nuk jemi të martuar. Kështu vendosëm të prisnim, por ndërkohë i kemi takuar shpesh. Herën e fundit që ishim bashkë, kaluam dy muaj me pushime. Kur erdhi momenti të ndaheshim sepse ato duhej të ktheheshin në shkollë, patëm një goditje emocionale: shtëpia ra në një heshtje të frikshme. Atëherë vendosëm: nuk mund të bënim sikur nuk i kishim njohur kurrë.
Do të mbajnë mbiemrin tuaj?
Besoj se po, por janë detaje ligjore që ende nuk i kemi diskutuar. Në qershor të dyja bëhen madhore dhe do vijnë të jetojnë me ne. Mezi po e presim , ne dhe ato.
Burimi: Corriere Della Sera
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.