Filma

Si dublimet e filmave me ‘AI’ po zhbëjnë rolin e aktorit në Shqipëri

Telenovelat aktualisht që po dublohen në shqip realizohen nga vetëm një aktor, të cilit i merret zëri dhe pastaj përshtatet në të gjithë karakteret dhe aktorët e tjerë. Mjafton vetëm një zë për të dubluar një film me disa personazhe duke përdorur të gjitha të dhënat e ruajtura nga timbret e mëprashme dhe me filtra të ekstraktuara nga zërat e mëparshëm”

Nga Liridon Mulaj- Inteligjenca Artificiale prej kohësh është një realitet.

Së fundmi, në mediat tona kemi parë edhe filma vizatimorë por edhe me aktorë realë, të cilët tashmë nuk kanë më titra poshtë ekranit por zëra që flasin shqip, edhe pse me një shqipe të ngurtë dhe pa ndonjë emocion. Kjo teknikë dublimi realizohet me “AI”.

Që nga shkurtimi i kohës e deri tek kostot më të ulëta të prodhimit, AI tashmë është një realitet në mediat shqiptare të cilat çdo ditë e më shumë po e implementojnë atë.

Inxhineri i programimit dhe realizuesi i teknikave të dublimit, Taulant Hyso, thotë për Gazetasi.al se kjo teknikë e dublimit të filmave me “AI” po përdoret në Shqipëri prej dy vitesh.

“Si teknikë kjo përdoret prej dy vitesh në Shqipëri dhe ka nisur me filmat vizatimorë sepse në këto filma është më e realizueshme duke qënë se aktori impostohet më lehtë. Ndërsa në filmat për të rritur është më e vështirë sepse duhet parë dhe e drejta autorit. Pra nuk ia merr dot zërin aktorit origjinal sepse deri diku quhet vjedhje.

Telenovelat aktualisht që po dublohen në shqip realizohen nga vetëm një aktor, të cilit i merret zëri dhe pastaj përshtatet në të gjithë karakteret dhe aktorët e tjerë. Mjafton vetëm një zë për të dubluar një film me disa personazhe duke përdorur të gjitha të dhënat e ruajtura nga timbret e mëprashme. Pra janë filtrat e ekstraktuara nga zërat e mëparshëm”

Ai shpjegon dhe procesin sesi realizohet regjistrimi i zërit dhe pastaj sesi përshtatet në personazhet dhe aktorët e filmit të dubluar.

Taulant Hyso

“Ka dy vite që merrem me dublimet në shqip me “AI”, pasi doli një gjuhë e programimit në  Python, e cila ka dalë që në vitin 1991 dhe ka të mirën që është gjuhë më e thjeshtë sesa tjerat. Edhe vetë “AI” ka dalë nga Python, e cila është një data analysing e cila përdoret kryesisht për mbledhje matematikore dhe kategorizim të dhënat. Krijuesit e këtij programi kanë  dashur të ndërtojnë një sistem më të sofistikuar dhe më inteligjent në mbledhjen e të dhënave.  Teknika e audios quhet RNN e cila e merr zërin e rregjistron dhe e kthen në digjital.

Dhe praktikisht po të zmadhohet banda e frekuencave do të shikohen koordinatat e zërit që quhen pika. Këtë bën RNN-ja pra sheh sesa të shpeshta janë pikat e zërit dikujt, çfarë karakteristikash ka, identifikon timbrin dhe i analizon duke ruajtur të dhënat nëpërmjet algoritmit. 

Nëse i jep vetëm një zë që ta trajnojë, i duhen disa timbre ose tinguj të ndryshëm të zërit në mënyrë që të ketë sa më shumë të dhëna. Pra analizohen zanoret, bashtingëlloret, mënyrat e të folurit, të bërtiturën, ulërimën, zërin e qetë , ngjirjen etj. Dhe nëpërmjet filtrave, këto të dhëna që i ke ruajtur nga zëri A, mund t’ia hedhësh zërit B. Kjo është teknika e dublimeve që po përdoret sot”- sqaron ai.

Hyso thotë se kjo teknologji e re po kërkohet nga televizionet dhe mediat sepse ka kosto shumë të ulëta, por dhe shkurton kohën e realizimit të dublimit duke prodhuar shumë dhe shpejt. Edhe pse sipas tij ka një defekt, aktorët nuk janë më emocionalë siç janë me zërat realë.

“Kjo teknikë ul kostot e shpenzimeve për produksionet dhe studiot e dublimit por ka edhe një defekt që larmishmëria dhe origjinaliteti i zërave bie, duke qënë se është vetëm një zë që i bën të gjitha dhe pavarësisht përshtatjes, nuk ia del të përcjellë siç duhet emocionin që mund të ketë aktori origjinal.  Nga mediat ka shumë interes për këtë teknikë sepse së pari ul kostot, por shkurton dhe kohën e realizimit të projekteve dhe dublimeve. Sepse në këtë rast merren aktorët shqiptarë pra jo zërat origjinalë, dhe u merret zëri në një rregjistrim 10 minutësh dhe këtu mbaron puna e tyre”

Sipas tij është vetëm çeshtje kohë që “AI” të pushtojë programet tona televizive. Pengesë është vetëm mosnjohja e gjuhës shqipe si ndërkombëtare në “text speech”.

“Edhe pse jemi pak më mbrapa nga shtetet e tjera , edhe këtu do të vijë teknika e “AI” edhe në kanalet televizive, sidomos në kanalet e lajmeve të cilët do ta gjejnë si praktikë më të thjeshtë dhe më me pak kosto. Problemi është se gjuha shqipe ende nuk ka hyrë në tregun ndërkombëtar të gjuhëve të përdorimit të “AI”. Momentalisht nuk mund të hidhet në gjuhë shqipe dhe të lexohet siç duhet sepse ka theks apo bashtingëllore të cilat nuk i shqiptojnë dot, dhe kjo ndodh kur hidhet tekst në “AI” dhe të transformohet në zë” thotë Hyso

Ai thekson se në momentin kur gjuha shqipe të jetë një nga gjuhët e “AI” do të ketë ndikim të madh i cili jo domosdoshmërisht do të jetë për mirë. Sipas tij shumë profesione do te mbetën pa punë sepse me “AI” gjithçka ka lidhje me inteligjencën dhe llogjikën  do të zëvëndësohen .

‘E di që po punohet nga disa inxhinerë për implementimin e shqipes në text speech të “AI” për të qënë  e përdorshme dhe funksionale, teknikë e cila do të bëjë revolucion. Përshëmbull librat mund ti hedhësh në audiobook brenda 10 sekondave sepse në këto raste nuk ka nevojë as për hedhjen e zërit më sepse janë platforma të cilat i merr të gatshme nga interneti.

“AI” do të zëvëndojë kaq shumë profesione të cilat nuk kanë lidhje me krijmtarinë por kryesisht proçeduriale dhe inteligjente. Përshembull ekonomistë dhe llogaritarë, ose njerëz që merren me interpretimet e ligjeve, pra profesione që nuk kanë të bëjnë me emocionin por kanë të bëjnë me llogjikën. Fatkeqësisht do të ketë shumë njerëz dhe profesione të papunë” përfundon Hyso.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë