Nga Liridon Mulaj – Ndërsa qëndron përballë pikturave të Kristi Dimos kupton se ndodhesh para disa pasqyrave , ku sheh qartë dhe në mënyrë direktë formën e brendisë së qënies njerëzore. Shformimi fizik i i individit i kornizuar në konture të shformuara paraqet një formë alternative dhe “ekuivalente” të përçudnimit të brendshëm, intelektual, moral, psikologjik dhe shpirtëror. Bjerrja e njeriut përballë dinamikave imponuese të jetës moderne janë lajtmotiv i ekspozitës “Tejdukshëmeri ekzistenciale” e çelur në Code Center, pranë Kryeministrisë.
Kuratorja e ekspozitës Jetona Koçibelli i bën një analizë thuajse spirituale tablove të Dimos, të cilat në fakt mbartin thellë në vetvete katërcipërisht anën e kundërt të asaj çka shprehin portretet e ftohta të imazheve.
“Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe; ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj. Ai krijon një hapësirë që na fton të ndalemi, të gërmojmë më thellë dhe të shohim realitetin përtej sipërfaqes. Puna e tij shpesh pasqyron një ndjenjë të kërkimit të vazhdueshëm, një kërkim për kuptimin e vetes dhe të botës, dhe një përpjekje për të kuptuar se si lidhemi me natyrën, me njëri-tjetrin dhe me pasojat që sjell koha. Secila prej veprave të këtij artisti sinjalizon zbrazëtinë, duke habitur në shprehjen universale të formës njerëzore ndjenjën largpamëse të qenies. Piktura e tij është e çiltër. Fundja, arti nuk lind nga arsyeja, por nga mungesa e saj, prandaj edhe “marrëzia” është e pranishme,” shpjegon Koçibelli
Sende që thyhen!
Format fizike të paraqitura në tablo janë të çrregullta dhe nuk ndërveprojnë drejpërdrjet me individin përballë. Kjo është përthyerja e njeriut postmodern i cili i shndërruar tashmë me të gjitha pasojat mbi vete, nuk kërkon dhe as nuk dëshiron të komunikojë me tjetrin përballë. Ai është kapriçioz dhe përpiqet të jetë në habitatin e tij, herë i habitur, herë i shtrirë dhe herë në pozicionin e të menduarit dhe të kujtuarit.
T’i bashkosh tabllotë sëbashku, mund të formohet shumë mirë një strukturë imagjinare e një spitali psikiatrik, ku në çdo dritare është një pacient, i cili demonstron veten e tij pa asnjë dyshim dhe vetëpërmbajtje. Portrete që flasin në heshtje, që të shohin hera herës në sy dhe që përpiqen të barazlargohen nga ti me vullnetin e shkëputjes nga kaosi që shkakton realiteti këtej tablosë.
“Koha e kujtesës” është një nga tabllotë e cila paraqet totalisht gjendjen depresive dhe të pashpresë që ne hera herës përftojmë nga kujtesa dhe nostalgjia. Një botë e cila ndryshon në mënyrë të vrullshme dhe jo domsdoshmërisht për mirë, e gjen njeriun modern të papërgatitur, duke i parakaluar përballë si një tren që ikën me shpejtësi dhe të cilin ndjen se e ke humbur përgjithmonë. Këtë ndjesi pezmi dhe humbjeje të përcjellin këto imazhe të ngërthyera në tablo nga Dimo i cili sjell me vërtetësi , traumën e njeriut postmodern, duke e kthyer kështu ekzsiatencializmin si pyetjen më thelbësore sot në shoqërinë tonë.
Kështu pra secila tabllo e Dimos i përngjet një hapësire me kufinj ku brenda këtyre sinorëve, ai ka ndërtuar një formë të gjallë e cila jo domsdoshmërosht është qënie njerëzore. Në fakt trupat fizikë nuk janë gjë tjetër përveçse pasqyrimi i shpirtrave të thyer duke i dhënë së tërës një formë e cila është sa njeri gjithaq dhe send. Dhe nisur nga thyerja si koncept edhe ndjesor, këto tablo nuk janë gjë tjetër veçse “sende të thyera”
Kush është Krist Dimo?
Krist Dimo lindi në Durrës, në vitin 1956. Përpara vitit 1991, orientimi i tij ndaj pikturës ishte pothuajse jo formal. Talenti dhe stili i tij autodidakt e udhëhoqi në këtë periudhë. Pas vitit 1991, duke emigruar në Itali (Foggia) mund të flasim për një periudhë të vërtetë formimi, duke iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Kjo falë Prof. Dario Damatos (Drejtor i Akademisë së Arteve Foggia 1988-2000), i cili i krijoi kushtet për të punuar dhe për t’u zhvilluar. I gjithë qëndrimi 10-vjeçar i tij në Itali ishte mjaft produktiv dhe shërbeu si bazë e prodhimtarisë së tij artistike (kuadrot e kësaj periudhe janë në një koleksion privat në Romë).
Ka marrë pjesë në “Ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, si dhe në Galerinë Kombëtare (Tiranë, 1982). Pas “Onufri 2000”, Tiranë, e gjithë prodhimtaria i përket periudhës 2015-2024. Së fundmi ka qenë pjesëtar i Fedac Found Brussels, Hambly end Hambly dhe galeria Kiro Group C Irlande, si dhe Eine Art Galery.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.