Shendet

Rriten në mënyrë të frikshme rastet e demencës në SHBA, studimi: Deri në 2060 do dyfishohen

Rastet e demencës në Shtetet e Bashkuara pritet të dyfishohen nga tani deri në vitin 2060. Për qytetarët amerikanë mbi 55 vjeç, rreziku arrin në 42%, më shumë se dyfishi i vlerësuar më parë. Këto janë vlerësimet e fundit të studimit të publikuara në “Nature Medicine”, që nëse rezultojnë të sakta do të përktheheshin në rreth gjysmë milioni raste të reja këtë vit, duke u rritur në një milion raste të reja në vit në vitin 2060, duke marrë parasysh plakjen progresive të popullsisë.

Analiza e re, e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe e kryer nga disa institucione amerikane, si Universiteti Johns Hopkins, mori në konsideratë të dhënat e mbledhura nga Studimi Neurokognitiv i Rrezikut të Aterosklerozës në Komunitete (ARIC-NCS), i cili që nga viti 1987 ka monitoruar nga afër shëndetin vaskular dhe njohës të afro 16,000 pjesëmarrësve ndërsa plaken. Asnjë projekt tjetër nuk ka ndjekur shëndetin kardiovaskular të një grupi pacientësh afrikano-amerikanë për një periudhë kaq të gjatë kohore.

Nga viti 1987 deri në vitin 2020 kishte 3,252 pjesëmarrës që zhvilluan demencë. Rreziku për ata mbi 55 vjeç që të pësojnë këtë formë të përkeqësimit kognitiv ishte 42% (një rrezik mesatar midis 35% për burrat dhe 48% rrezik për gratë, të cilat janë më të prirura për të zhvilluar demencë, sepse jetojnë më gjatë). Shanset për të pasur demencë janë edhe më të larta për njerëzit afrikano-amerikanë dhe për ata me variantin gjenetik APOE4, i cili shoqërohet me një rrezik më të madh të sëmundjes së Alzheimerit.

Studimet e kaluara kanë nënvlerësuar rrezikun e demencës për shkak të dokumentimit të dobët të sëmundjes në certifikatat shëndetësore dhe mbikëqyrjes së dobët të fazave të hershme të sëmundjes, veçanërisht në pakicat etnike, të cilët janë gjithashtu më të prekshëm nga kjo sëmundje për shkak të faktorëve socio-ekonomikë.

Rritja e numrit të rasteve të vlerësuara nga tani deri në vitin 2060 i atribuohet plakjes së popullsisë, 58 milionë amerikanë janë mbi 65 vjeç, por edhe faktorëve gjenetikë, prevalencës së lartë të hipertensionit, diabetit, obezitetit, dietës së pashëndetshme, mungesës së ushtrimeve dhe neglizhimit të shëndetit mendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë