Nga Gazeta ” SI” “I nderuar Zotëri, në emër te “Akademie der Kunse” , kemi kënaqësinë t’iu përcjellim ftesën, për të qënë pjesë e “ Takimit të Artistë ve Europianë ” i cili do të mbahet në Amsterdam me 10-14 Dhjetor 1987. Ftesa zyrtare nga “ Netherland Theatre Insitue” , duhet t’iu ketë mbërritur tashmë zyrtarisht”
Kështu nis letra e shkrimtarit nobelist gjerman Gunter Grass, drejtuar Ismail Kadaresë në vitin 1987 i cili e fton shkrimtarin shqiptar në një takim letrar në Amsterdam. Ky dokument i rrallë është pjesë e letërkëmbimeve dhe dokuementave të tjera të rralla të cilat janë ekspozuar në mjediset e shtëpisë muze Kadare me titull : “Kadare – Dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura”
Kadareja “ndërkombëtar”
Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar. Kjo jo vetëm për faktin se vepra e tij qëndron estetikisht dhe konstektualisht në majën e vlerave letrare shqiptare por se emri i tij u ndërkombëtarizua atëherë kur Shqipëria po përjetonte diktaturën më të egër në të gjithë lindjen.
Në platenë e parë janë të ekspozuara dorëshkrimet e dy romaneve të Kadaresë , “Prilli i thyer“ dhe “Dimri i madh” të shkruara me dorë dhe po ashtu të daktilografuara me shënimet në qosh të çdo fjalie.
“Kadareja ka shkruar me shkrim dore çdo libër ” na thotë shoqëruesja e muzeut, dhe shton se daktilografja e tij besnike ishte bashkëshortja e tij, Helena.
Kjo shpjegon mbase dhe faktin se Helena që pas martesës me Kadarenë, shkroi dhe botoi pak. Ajo e shpjegon këtë fakt me idenë e drojës dhe vetë besimit të ulët për të shkruar një vepër duke e lidhur ekskluzivisht me faktin se çfarë prodhon letrarisht partnerja e gjeniut, është e diskutueshme, duke marrë si kut matës veprat e të shoqit.
Një tjetër sektor interesant i ekspozitës shpalos letërkëmbimet e Kadaresë me regjisorin francez Michel Picoult, i cili entuziast i shkruan Kadaresë se skenari i tij për filmin “ Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është pritur me shumë entuziasëm. Bashkëpordhimi franko-italian i filmit u shfaq në kinema në vitin 1983 dhe në kuptim të përgjithshëm ishte dështim, edhe pse rolin kryesor e luante as më pak as më shumë se legjenda e kinematografisë italiane Marcello Mastroianni.
Mandej eskpozita pasohet nga letra të tjera me Ren Travier, shkrimtar dhe filozof shumë i njohur francez. Me botuesin e anglez, me televizionet franceze e deri me shokët e Komitetit qëndror të cilët në një letër të shkurtër, i refuzojnë Kadaresë vizitën në Londër si të panevojshme.
Në qëndër të muzeut mbi disa platforma në formë instilacionesh qëndrojnë çmimet dhe trofetë e tij. “Oficer i legjionit të nderit” dhënë nga Franca në vitin 1997. Urdhri “ Naim Frashëri” i artë , trofeu prej qelqi i “ Man International booker prize” e shumë të tjera, pjesë e fondit personal të shkrimtarit.
Drejtoresha e muzeut: Letërkëmbimet e Kadarese dëshmojnë përmasën ndërkombëtare të shkrimtarit
Drejtoresha e shtëpive muze Kadare-Agolli, Anisa Ymeri rrëfen për Gazeta “SI” procesin që nga gjetja e këtyre materialeve të rralla e deri të ekspozimi i tyre për publikun.
“Dorëshkrimet e disa prej veprave më të rëndësishme të Kadaresë, të krijuara në vitet kur shkrimtari jetonte në atë që sot është Shtëpia Studio Kadare, gjenden në fondin e këtij muzeu letrar sepse familja dhe vetë shkrimtari, zgjodhën që t’i linin aty, në mjedisin ku edhe u krijuan. Doemos, nuk është korpusi i plotë i dorëshkrimeve por dhjetra dosje shumë të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore. Befasia ime në këtë rast ishte një tjetër, të zbuloja letërkëmbimin, i cili gjithaq ka qenë aty por nuk ishte shpluhurosur për të kuptuar se çfarë ka brenda atyre dhjetra zarfeve. Ndjeshmëria ime ndaj arkivave ëshë shumë e madhe, sidomos në një muze letrar si ky, doemos që dorëshkrimet janë thelbësore ndaj edhe menjëherë, me stafin e muzeut nisëm të shfletonim se çfarë kishte. Ajo që “zbuluam” ishte më shumë se befasuese. Kuptuam se në ato rafte, për vite me radhë prej themelimit të shtëpisë muze, qëndronin dokumente që kanë peshë të madhe edhe historike, dhe jo vetëm të një historie të letërsisë, por edhe asaj politike” thotë Anisa Ymeri.
Mes shumë dokumtave me vlerë, bie në sy letra e nobelistit Gunter Grass drejtuar Kadaresë në emër të Akademisë së Berlinit.
“Letra e Nobelisit Grass i cili i shkruan Kadaresë në emër të Akademisë së Arti të Berlinit (themeluar në vitin 1696), është më shumë se sa një letër dërguar një shkrimtari që jetonte në një vend të izoluar, por vepra e të cilit i kishte tejakluar kufijtë. Kjo letër është një dokument me peshë dhe rëndësi të madhe historike, sepse Kadareja ftohej të ishte një zë ndër shumë zëra të botës së letrave dhe mendimit evropian. Atij i kërkohet të jetë zëri i intelektualëve të vendit të tij dhe kjo është shumë”
Nuk është e vetmja letër me peshë, ka edhe të tjera…një pjesë të të cilave ne i kemi ekspozuar, por që të gjitha bashkë na bëjnë të kuptojmë se Ismail Kadare, përmes veprës së tij, kishte arritur të ishte një zë me peshë në elitën e mendimit europian. T’i shihja të gjitha këto, nuk mund të mos më lindte së brendshmi detyrimi për t’i ekspozuar sepse shqiptarët duhet të njohin tani, në mungesë fizike të Kadaresë, përmasat e shkrimtarit të cilin e vlerëson elita intelektuale e botës. Prandaj, këtë Janar, në ditëlindjen e parë të Kadaresë, pa Kadarenë, në mjediset e shtëpisë ku krijoi dhe ku jetoi vitet më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, ta sillnim këshu, përmes një dimensioni krejt të panjohur” tregon më tej drejtoresha e Muzeut.
Duke qënë se Kadareja ka qënë shkrimtar aktiv dhe gjithmonë koherent së paku për fatin e veprës së tij, duke u kujdesur që të botohet e gjitha, Ymeri rrëfen dhe për rëndësinë që ka ky koleksion pak i njohur për publikun.
“Po, Kadareja ia ka vënë vetë pikën veprës së tij të plotë! Ky është fat për lexuesin sepse atë që ai ka vlerësuar se duhet të jetë e botuar, ta botojë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, që ndryshe thuhet: ky është vullneti i autorit. Ama pas kësaj, studiuesit, lexuesit apo çdokush, ka të drejtën e tij të shohë një pjesë të procesit të krijimit, i cili është doemos në çdo rast, diçka shumë e pëlqyeshme dhe e domosdoshme për të kuptuar më mirë rrugëtimin e veprës” thotë Ymeri.
Ajo shton se ky koleksion i pazbuluar më parë përbën interes jo vetëm për studiuesit por dhe për dashamirësit e veprës së Kadaresë dhe zbulon përmasën ndërkombëtare të shkrimtarit.
“A nuk është fat i madh që lexuesi të shohë fillesat e një libri, siç mund të jetë “Eskili ky humbës i madh”, shënimet e para të të cilit janë hedhur në një bllok, e që mund ta shfletosh? Kjo është e veçanta, kjo është magjia e dorëshkrimeve, ky është misioni i një muzeu letrar si ky apo një shtëpie studio, në të cilën ai ka krijuar. Po e gjitha kjo nuk ndihmon vetëm shuarjen e kurreshtjes apo të shohësh një dorëshkrim, prekje të tilla duan që të nxisin, që të ketë studime apo kërkime për të kuptuar më shumë për procesin e krijimit. Sepse njëra gjë është vepra, dhe krejt tjetër gjë është procesi i krijimit. E për secilin qytetar që dëshiron të kultivohet, të dyja janë njësoj të rëndësishme për të kuptuar thelbin. Prandaj edhe ekzpozimi i dorëshkrimeve, është një akt i domosdoshëm për ta njohur më mirë shkrimtarin dhe NE, kemi detyrimin që t’i hapim këto dritare dialogu mes shkrimtarit dhe veprës së tij, me lexuesin” thotë Ymeri.
Ismail Kadare e krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij në kohën kur Shqipëria ishte nën diktaturën enveriste, por kjo nuk e pengoi atë të kapërcente kufinjtë e Shqipërisë duke u kthyer kështu në një nga zërat letrar më të njohur dhe diskutuar në Europën e viteve 70 dhe 80. Fakti që romanet e tij botoheshin rregullisht në Francë dhe Angli, flet për përmasën ndërkombëtare që kishte fituar Kadare.
Ky koleksion i rrallë zbulon dhe rëndësinë që ka letërsia e madhe dhe konteksti në të cilën është shkruar. Këto veçori e bënë Kadarenë një shkrimtar të njohur në të gjithë botën në një kohë kur Shqipëria diktatoriale ishte dhe nuk ishte pjesë e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.