Analize

Albin Kurti me premtimet e para 4 viteve, VV braktis debatet televizive

Nga Gazeta ‘Si’– Në zgjedhjet e reja të 9 shkurtit që do të mbahen në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka ngecur tek të njëjtat premtime të vjetra.

Ndonëse VetëVendosja nuk e ka shpalosur ende të gjithë programin e saj politik, në daljet e fundit televizive, Kurti ka bërë ‘prapakthehu’ tek të njëjtat premtime të fushatës së 2021-shit.

Por megjithatë, nëse do të ketë premtime të reja, pritet të merret vesh gjatë tubimeve me qytetarët pasi vetëm katër ditë më parë, Kurti ka bojkotuar daljen në disa prej televizioneve më të mëdha në vend, gjë që nga gazetarët dhe drejtuesit e emisioneve është parë si ikje e tij nga ballafaqimi për qeverisjen 4-vjeçare.

Në disa reagime në rrjetet sociale, ata kanë shkruar se ky vendim i VetëVendosjes, vlerësohet si një arritje për fuqinë e mediave dhe ndihen ‘të nderuar’ nga ky bojkot.

Reagimi lidhur me këtë nuk mungoi edhe nga opozita ku sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka shkruar:

“VV mundet me vendosë me i ikë debatit në studio televizive. Por, VV nuk mundet me i ikë 9 shkurtit”.

Zgjedhje të reja, premtime të vjetra

Byroja për konfiskimin e pasurive, Fondi Sovran, Banka zhvillimore dhe mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), janë katërkëndëshi i parealizuar i premtimeve të Kurtit, të cilat sakaq i ka rikthyer sërish në fokus të fushatës së tij.

“Duhet të themelojmë Fondin Sovran. Së shpejti do të marrim dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese. Paralelisht edhe Bankën Zhvillimore, kjo është shtyllë e rëndësishme e reformës ekonomike.

Na duhet Byroja për konfiskimin e Pasurisë, na e rrëzuan, e risollëm, sërish është në Kushtetuese. Edhe kjo Byro duhet të themelohet sivjet, ta kemi edhe Vettingun për gjyqësorin ashtu që kompetenca, integriteti e efikasiteti të jenë karakteristikë e sistemit tonë të drejtësisë”, tha Kurti në një intervistë dhënë për Kosovapress.

Ai deklaroi se nuk ndihet përgjegjës për mosrealizimin e tyre ndërsa u justifikua me pengesat që ka hasur gjatë rrugës.

Ndërsa foli për Byronë gjatë një tubimi në Mitrovicë, Kurti drejtoi gishtin e akuzës nga Gjykata Kushtetuese duke pretenduar se ka rrëzuar ligje edhe pse ishin rishkruar.

Çfarë ndodhi me Byronë për konfiskimin e pasurive?

“Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret” – tha Kurti nga Mitrovica ndërsa shtoi se një herë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi “5 me 2” për projektligjin e Byrosë.

Aktualisht projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është në Gjykatën Kushtetuese, meqë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, e dërguan pasi kaloi në Kuvend, për herë të dytë. Kushtetuesja më parë e kishte shpallur të pavlefshëm në mes të vitit 2024.

Kurti gjatë tubimit në Mitrovicë premtoi sërish realizimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Me anë të kësaj Byroje, Kurti premtonte se do të sillte barazinë që, sipas tij, u prish sepse disa njerëz, sidomos aktorë politikë të opozitës u pasuruan pa bazë e në mënyrë të paligjshme.

Ajo që duhet të dihet në lidhje me këtë ligj është se edhe pse në titull mban fjalën “konfiskim”, në përmbajtje të tij na tregon se nuk e konfiskon fare pasurinë e pajustifikueshme. Ajo që bën Byroja është t’i propozojë Gjykatës konfiskimin.

Ky ligj zbatohet ndaj personave zyrtarë dhe palëve të treta, që dyshohet se kanë fituar në mënyrë të pajustifikueshme, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Pesoni zyrtar llogaritet: “personi i zgjedhur apo i emëruar e i cili për punën, veprimtarinë apo angazhimin e tij ka pranuar ose pranon të hyra në formë të pagës apo çfarëdo lloj kompensimi nga buxheti i Kosovës apo në forma tjera nga institucionet apo ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës.

Person zyrtar konsiderohet edhe personi që bart autorizime publike si dhe personi i emëruar, pavarësisht nëse për punën e tij ka pranuar apo jo kompensim.”

Propozimi për konfiskim të pasurisë nga kjo Byro drejt Gjykatës, bëhet vetëm nëse shpërputhja në mes të hyrave dhe pasurisë e tejkalojnë vlerën prej njëzetepesëmijë euro, nëse shpërputhja vlerësohet më pak se kaq, rasti mbyllet.

Fondi Sovran ende në Kushtetuese…

Ligji për Fondin Sovran është miratuar me 15 dhjetor të 2023-s në Kuvendin e Kosovës. Nëpërmjet tij parashikohet që e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës t’i kalohet këtij Fondi.

Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.

Megjithatë, me gjasë edhe në një mandat të mundshëm të qeverisë Kurti ky premtim do të mbesë sërish vetëm në letër.

Projektligji është në Gjykatën Kushtetuese pasi u dërgua për vlerësim nga Partia Demokratike e Kosovës, pak ditë pas miratimit. Ndërkohë, kanë kaluar mbi 9 muaj dhe ende nuk ka një vendim.

Një nga njerëzit më të zëshëm kundër tij është ish-ministri i Ekonomisë Haki Shatri i cili ka diskutuar se një fond i tillë është i dëmshëm për vendin duke ditur që Kosova funksionon si ekonomi e lirë tregu.

“Ka përfunduar koha e mbikëqyrjes së ekonomisë nga shteti, qysh në vitet 90-të, edhe në Rusi edhe në vendet e Kinës, po disa njerëz këtu ende kanë nostalgji edhe nuk po e kuptojnë që është metodë që i ka përfunduar epoka,” ka deklaruar ai.

Sipas tij, nëse qeveria do të kishte qëllim të vërtet themelimin e këtij Fondi, nuk do ta linte ende të funksiononte Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ku mbeti premtimi për Bankën Zhvillimore?

Në një mandat të plotë qeverisje, kryeministri Albin Kurti nuk lëvizi asnjë centimetër në drejtim të themelimit të Bankës Zhvillimore.

Ajo që dihet është se Banka Zhvillimore do kishte për detyrë që të ndihmonte sektorin privat dhe do të promovonte investimet.

“Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar” – thuhet në planin e qeverisë.

Të shumta kanë qenë reagimet lidhur me mosthemelimin e kësaj banke.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti tha se Banka Zhvillimore nuk ka nisur të realizohet as konceptualisht.

AKP-ja vazhdon me shitjen e pronave shoqërore…

Edhe pse Kurti ka deklaruar se do e mbyllte Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ajo vazhdon me valën e re të shitjes së aseteve.

“Kemi thënë se AKP-ja do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet. Që të shuhet APK-ja është e rëndësishme që të shkarkohet bordi, sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lejojmë të vjedhin më, kanë vjedhë me paga, kanë vjedhë me privatizime”, pati deklaruar Kurti në maj të 2021-shit në një seancë të Kuvendit.

Por, pas më shumë se katër vjetësh nga ky premtim i tij, kjo Agjenci ka vazhduar me punën e saj.

Qeveria ka deklaruar se një pjesë e aseteve që ka nën menaxhim do të kalojnë tek Fondi Sovran, i cili gjithashtu ende nuk është krijuar…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë