Ngjarje

Pesticidet në mandarina, ekspertët: Mostransparenca na lë të dyshojmë se përdoren edhe në produkte të tjera

Nga Gazeta Si- Prania e lartë e pesticideve Klorpirifos (Chlorpyrifos) dhe Fosmet (Phosmet) në mandarinat e kthyera nga BE, përpos e jashtëligjshme, është edhe e dëmshme, si për mjedisin ashtu edhe për shëndetin.

Klorpirifosi është një insekticid organofosfat që përdoret për të kontrolluar një gamë të gjerë të insekteve dëmtuese në bujqësi dhe hortikulturë. Ai vepron si një neurotoksinë që ndërhyn në sistemin nervor të insekteve duke bllokuar enzimën acetilkolinesterazë, e cila është e nevojshme për transmetimin normal të impulseve nervore.

Klorpirifosi mund të përdoret për kultura si misri, pambuku, agrumet, gruri, patatet dhe perimet e tjera. gjithashtu, mund të përdoret edhe në hapësirat publike kundër insekteve si mushkonjat dhe mizat.

Rreziqet në shëndet dhe Ndikimi Mjedisor

Klorpirifosi mund të jetë toksik për njerëzit nëse ekspozimi është i lartë. Ai është një pesticid që ndikon në zhvillimin e trurit tek fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të jetës, shkakton dëmtime të sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin.

Gjithashtu edhe rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.

Ky pesticid është i dëmshëm edhe për kafshët, zogjtë dhe organizmat ujorë pasi mund të ndotë ujërat dhe tokën nëse përdoret pa kontroll.

Ndërsa ekspozimi ndaj fosmetit, sipas studimeve, shkakton dëmtime të konsiderueshme të ADN-së.

Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli shpjegoi ditën e djeshme se Klorpirifos është ndaluar plotësisht në BE për përdorim dhe tregtim me Rregulloren Implementuese të Komisionit 2020/18/BE, datë 10 janar 2020, e cila hyri në fuqi më 16 shkurt 2020.

Ekspert i bujqësisë, Ervin Resuli.

Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të tij është bërë me Urdhrin e Ministrit Nr. 26, datë 22.1.2020, ku përcaktohet që: Të kryhet çregjistrimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve që përmbajnë Klorpirifos brenda datës 16 shkurt 2020.

Në shumë vende, përdorimi i klorpirifosit është kufizuar ose ndaluar për shkak të efekteve të tij negative në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera e kanë ndaluar plotësisht përdorimin e tij në bujqësi.

A përdoren këto pesticide në Shqipëri në produkte të tjera?

“Mund të përdoren. Se ku janë përdorur duhet ta gjejë AKU”, thotë Alban Çakalli, fermer, i cili shton se këto pesticide nuk shiten në farmaci bujqësore por, sipas tij, mund të jenë futur në Shqipëri kontrabandë ose i janë ndryshuar etiketat dhe shiten për tjetër pmb (produkt për mbrojtjen e bimëve).

Alban Cakalli, fermer.

Për dy ekspertët, një nga problemet më të mëdha në këtë cështje është mungesa e transparencës nga institucionet përgjegjëse dhe në rastet ku nuk ka të dhëna analizash, gjithçka që mbetet është hamendësimi.

Resuli thotë se mostransparenca e institucioneve na lë hije dyshimi që i kemi konsumuar mandarinat që përmbajnë këto pesticide.

“Ministria thotë se ia ka dërguar fermerëve për vetëshkatërrim dhe nuk ka bërë publik procesin e shkatërrimit, probabiliti është i lartë që të jenë injektuar në tregun e brendshëm. Nuk them dot a janë konsumuar, por sjellja na lë të aludojmë dhe dyshojmë”, thotë Resuli.

Ndërkohë, Çakalli shton se situata është alarmante pasi për sa kohë AKU-ja nuk ka kapur deri tani probleme të tilla dhe këto probleme i kapin vendet ku ne eksportojmë, “kjo do të thotë që këtu nuk bëhen fare kontrolle. Për shembull, këtu mund të futen dhe prodhime bujqësore nga vendet e tjera me probleme dhe i kemi konsumuar. Ne importojmë fasule, banane, patate, mish dhe i importojmë nga vende që sigurinë ushqimore e kanë si ne”, tregon Çakalli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë