Politike

Një skenar kundër votës së Diasporës dhe ligjshmërisë së zgjedhjeve, Bylykbashi: Qeveria s’lejon votim me karta dhe pasaporta të skaduara nga emigrantët

Nga Gazeta 'Si'- Partia Demokratike e di se procesi i votimit të emigrantëve është një ushtrim i komplikuar dhe me vështirësi, por ajo beson se qeveria dhe KQZ nuk është në rrugën e duhur për këtë proces.

Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi solli disa argumenta në një intervistë për Gazetasi.al sesi KQZ synon të shkojë drejt kostove të larta, ndërsa qeveria synon të kontrollojë procesin.

Më shqetësuesja deri tani për opozitën, pa përfshirë atë që e quan patronazhim të votës së Diasporës, është mungesa nga ana e qeverisë së një vendimi për të lejuar votimin e emigrantëve me dokumenta të skaduara identifikimi. 

Bylykbashi shpjegoi propozimin e opozitës për të mos rrezikuar afatet e dërgimit të votës së emigrantëve pa qenë nevoja e ndryshimit të Kodit Zgjedhor

“Do të mbeten jashtë votimit me mijëra persona, siç ndodhi në rastin e Himarës. 6 mijë persona nuk u lanë të votonin se nuk kishin dokumente të rinovuar. Gjithë ky selektivitet do të çonte në një paligjshmëri, e cila mund të vërë në pikëpyejtje zgjedhjet.”- u shpreh Bylykbashi, i cili prej 23 vitesh është një nga aktorët kryesorë të çështjeve që lidhen me zgjedhjet. Gjatë intervistës, nënkryetari i PD-së shpjegoi propozimin e opozitës për të mos rrezikuar afatet e dërgimit të votës së emigrantëve pa qenë nevoja e ndryshimit të Kodit Zgjedhor.

Gazeta Si: Ka një shqetësim të ngritur nga KQZ për kohën e pamjaftueshme të dërgimit të fletës së votimit dhe marrjes mbrapsht të votës së emigrantëve brenda 30 ditëve, aq sa mbetet nga konfirmimi i fletës së votimit deri ditën e zgjedhjeve. Mundet që parlamenti të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të përshtatur afatin 40-60 ditor të kërkuar nga operatorët postarë?

Oerd Bylykbashi: KQZ e ka hedhur këtë shashkë në tregun politik vetëm pas një mbledhje të vetme konsultimi disa javë më parë me disa operatorë postarë. Nuk ka patur një takim të dytë, të tretë apo një thellim për të kuptuar ekzakt çfarë është. Ky argument është hedhur për konsum publik vetëm mbi bazën e kësaj mbledhje. Ndoshta, operatorët postarë e bëjnë të vështirë që të rritet në shumë çmimi? Pra, e doni më shpejt? Paguani më tepër! Po, askush nuk di pse qenka kështu. Ta zbërthejmë dhe ta rrëzojmë këtë teori. Nëse një qytetar i rastësishëm shkon tek një nga këto operatorë postarë DHL, TNT, FedEx për të hedhur një zarf, me votë ose pa votë brenda, i duhen 2 ditë. Sigurisht, faturimi është më i shtrenjtë për një zarf të vetëm. Por, ne e dimë që, për Shqipëri, do të nisen dhjetëra apo qindra mijëra zarfa me votë. Në këtë linjë arsyetimi, nëse KQZ kontrakton operatorin paraprakisht, sigurisht, çmimi do të jetë krejt tjetër, jo sa për një zarf të rastësishëm. Pra çështja është, nëse KQZ do të kontraktojë me shumicë, ku çmimi ulet, apo KQZ do ta vazhdojë si proces normal, me pakicë, ku çmimi rritet. Nëse, me një kontratë me prokurim publik transparent, arrihet që i njëjti operator postar ta bëjë këtë për disa palë zgjedhje ky operator ka më shumë siguri për punën dhe, normalisht, jep një çmim krejt tjetër.

Gazeta Si: Komisionieri shtetëror për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi ka folur për dy zgjidhje për çështjen e kohës dhe të kostos së votimit nga Diaspora. Ose të ndryshohet Kodi, ose do të ketë kosto më të lartë. Me këtë qartësi, mund të jetë zgjidhje ndryshimi i Kodit?

Oerd Bylykbashi: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka për detyrë të zbatojë kornizën ligjore që është sot në fuqi. Pra, nuk mund të marrë zvarrë procesin, siç ndodhi nga 2020 deri në vitin 2024, që, edhe pse vota e diasporës ishte në ligj, nuk e bëri. Komisioneri duhet të bëjë çmos për të gjetur hapësirën brenda ligjit ekzistues, pasi, derisa ne erdhëm te kjo zgjidhje që kemi sot në ligj, zoti Celibashi ka qenë tre herë në Grupin e Dialogut me sesione të gjata konsultimi të përbashkët dhe kjo çështje nuk u ngrit atëherë si shqetësim. Ato që thuhen për kohën e gjatë që merr dërgimi i votës nuk qendron. Duket më shumë sikur Rama ka një ngërç dhe nuk do votën e Diasporës. Ndërsa PD ka një qendrim shumë të qartë. Përveç një mbështetje totale për këtë çështje, Kryetari i PD-së u ka kërkuar strukturave të kenë proritet çdo problem lidhur me votën e Diasporës.

Gazeta Si: Mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor tani në fund të sesionit parlamentar për të mos bërë një proces me kosto, qoftë edhe të reduktuara?

Ky duhet të jetë një diskutim shumë i kujdesshëm. Nëse do të ndryshonim afatet për këtë, do të ndryshonim afatet për rregjistrimin e partive politike. Presidenti i Republikës e ka dekretuar datën dhe kjo do të çonte në afrimin e datës së rregjistrimit të partive politike, të koalicioneve dhe të kandidatëve. Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme të një procesi zgjedhor dhe nuk mund të ndryshohet kaq lehtë. Siç është drejta e zgjedhësve për të votuar, ashtu është edhe e drejta e zgjedhësve për t’u votuar, për t’u zgjedhur. Ky është një proces që kërkon kohën e vet dhe është një proces që ndikon rezultatin e zgjedhjeve. Ajo që kam parë unë në 23 vite reformë zgjedhore është ndryshimi vetëm dy herë i këtyre afateve, sepse janë vërtet të vështira për t’i ndryshuar. T’i ndryshosh rregullat e lojës për partiët politike kaq afër ditës së zgjedhjeve është i njësoj si akti i Edi Ramës në 2020-ën, kur, në mënyrë të njëanshme, hoqi të drejtën e partive për koalicione për të bërë të pamundur që të fitojnë kundërshtarët politikë. Nuk mund të përdoret vota e Diasporës për të arritur qëllime të tjera politike. Ne do të shohim çdo lloj hapësire të nevojshme dhe për atë që do të jetë e nevojshme, ne do të bëjmë propozimet tona që emigrantët të kenë mundësi të votojnë në kohë, vota e tyre të vijë këtu dhe të numërohet.

Gazeta Si: PD ka nisur një fushatë denoncimesh, madje edhe padi penale në SPAK, për përdorimin e burimeve shtetërore nga qeveria për të ndikuar votën e Diasporës. A keni identifikuar ju probleme të tjera në lidhje me votën e emigratëve?

Oerd Bylykbashi: Ka një problem kyç, që qeveria bën sikur nuk ekziston. Janë kartat e skaduara të identitetit të emigrantëve. Deri tani, qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’ua zgjatur afatin.  Kjo do të çojë në selektivitet në pajisjen me karta identiteti të vlefshme dhe, për rrjedhojë, do të krijojë një skandal gjigand. Do të mbeten jashtë votimit me mijëra persona, siç ndodhi në rastin e Himarës. 6 mijë persona nuk u lanë të votonin se nuk kishin dokumente të rinovuar. Gjithë ky selektivitet do të çonte në një paligjshmëri, e cila mund të vërë në pikëpyejtje zgjedhjet. Nëse Edi Rama ka ndërmend të shkatërrojë të gjitha zgjedhjet, duke manipuluar votën e Diasporës, kjo është gjë që shkon përtej çdo lloj skeme kriminale për të cënuar votën e shqiptarëve. Ne do të bëjmë presionin tonë që kjo të ndodhë, por qeveria duhet ta kishte marrë këtë vendim, veçanërisht tani që kemi edhe një dekret për datën e zgjedhjeve. Por unë besoj se Rama, në të vërtetë, nuk e do votën e emigrantëve.

Përtej atyre spektakleve në qytete të ndryshme të Europës, me gjysmën e vendeve të mbushur nga Tirana dhe Shqipëria, me kryetarët e bashkive dhe stafet e tyre, Rama e di shumë mirë që emigrantët që kanë ikur dhe vazhdojnë të paguajnë para për familjet e tyre, për prindrit, që nuk u del pensioni dhe bonusi, e njohin gjendjen dhe e dinë shumë mirë që kjo është histori keqqeverisje, vjedhje gjigande dhe fajtor për këtë është Rama.

Gazeta Si: A e shikoni SPAK si një aleat për të luftuar krimin zgjedhor, duke qenë se kjo është një nga detyrat që SPAK ka me ligj?

Oerd Bylykbashi: SPAK-u është shumë larg rolit të vet. Një rol që mund të kishte  luajtur deri tani duhet të ishte goditja e krimit zgjedhor-shitblerje vote, që është korrupsion zgjedhor. Askush nuk trembet me strategjitë në letër që SPAK thotë se do të ketë për zgjedhjet e ardhshme për këtë çështje. Kush janë personat që janë duke dhënë llogari për çfarë ka ndodhur përpara? Kush janë ato struktura, të cilat SPAK-u ka ngritur që të tremben ata që kanë plan të bëjnë patronazhimin, shitblerjen e votës sot në Shqipëri apo ato që do të ndodhin në Diasporë? Një nga mekanizmat që flitet që PS do të përpiqet të kontrollojë votën e Diasporës është dërgimi i fotografisë së fletës votimit me kryq, para se ajo të futet në zarf. Ku është SPAK-u? Prandaj, e përsëris, SPAK-u është shumë larg rolit të vet.

Gazeta Si: Përtej afateve zgjedhore që prekin votën e Diasporës, po ikën koha edhe për kërkesën kryesore tuajën për krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve. Është një kërkesë e parealizueshme apo jo?

Oerd Bylykbashi: Ky është një zhvillim politik, pasi, të bësh një qeveri teknike është një zhvillim, që çon në një vendim politik. Ndodhi në Maqedoninë e Veriut. Produkti që pamë ishin jo vetëm zgjedhje me standarde të mira, por ato prodhuan rotacion politik. Ne dimë sesi nuk duhet bërë qeveria teknike dhe ky është modeli i vitit 2017. Ajo që PD kërkon është një qeveri teknike pa Edi Ramën Kryeministër, një qeveri teknike që synon të mpijë administratën nga përdorimi në fushatë zgjedhore, të nxjerrë shtetin nga zgjedhjet.

Që kjo të arrihet, duhen kombinuar të gjithë faktorët, përfshirë edhe mosbindjen civile apo akte të tjera që duhet të ndodhin për të shkuar drejt këtij objektivi. Në fakt, objektivi kryesor, real, janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Partia Demokratike, edhe duke nisur nga ky moment, me liderin e partisë të përfshirë edhe fizikisht, drejtpërdrejt në drejtimin politik-organizativ të partisë, po ndez motorrët për të shkuar drejt fitores. Pra, nuk shkojmë thjesht për t’u përballur në zgjedhje.

Shkojmë për të fituar zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që sot nuk provon në kockë keqqeverisjen kriminale të Edi Ramës. Ne do të bëjmë ofertën tonë, jo vetëm për të thënë sa të shëmtuar janë këta, sa kriminalë janë këta, por për të thënë pse do të qeverisim ndryshe, duke filluar nga një model ndryshe i shpërndarjes së parasë publike nga oligarkët, nga klientët e Edi Ramës tek interesi publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë