Nga Gazeta ‘Si’- Marrja e opinionit nga Komisioni i Venecias nuk zgjidhi problemin mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Palët i thelluan mosmarrëveshjet, duke e lexuar në mënyrë të kundërt interpretimin e ardhur nga Komisioni i Venecias. Për këshilltarin ligjor të grupit parlamentar të PD-së, avokatin Marash Logu, i cili mbron çështjet e PD-së në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë edhe këtë të mandatit të deputetes Xhaçka, në lojë është dikush shumë më lart se deputetja e PS-së.
“Politikisht, zvarritja ligjore dhe shkelja e Kushtetutës bëhet për të mbrojtur Edi Ramën”- tha av. Logu, duke argumentuar se është zoti Rama ai që ka firmosur vendimin për të shpallur investitor strategjik bashkëshortin e zonjës Xhaçka, në atë kohë, Ministre e Jashtme.
“Nëse, eventualisht, Gjykata Kushtetuese do të thoshte që ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën, kjo do të thotë, që Edi Rama ka marrë një vendim antikushtetues, që e ngarkon atë me përgjegjësi ligjore dhe penale”- u shpreh zoti Logu në një intervistë për Gazetasi.al ku analizohen precedentët kushtetues për mandatet e deputeteve dhe eksplorohen mundësitë ligjore të PD-së dhe të PS-së për të vepruar. Dhe diçka tjetër ka rëndësi në këtë çështje. Koha.
Gazeta Si: PD dhe PS u ndanë sërish për mandatin e Olta Xhaçkës, edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias. Çfarë duhet të ndodhë tani?
Av. Marash Logu: Nuk ka asnjë dyshim se Komisioni i Venecias konfirmoi atë që e di çdo student i Fakultetit të Drejtësisë, që, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Këtë e përcakton përtej çdo dyshimi neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është për turpin e Parlamentit dhe të maxhorancës që i bëjnë Komisionit të Venecias pyetje mbi një dispozitë shumë të qartë të Kushtetutës sonë. Kam patur mundësi të bisedoj edhe me raporterët që kishte caktuar Komisioni i Venecias për këtë çështje. Ata dukeshin jashtë funksionit të tyre klasik, pasi, zakonisht, Komisionit të Venecias i kërkohet opinion, kur institucionet e një vendi janë të paafta për të zgjidhur një situatë të caktuar. Në rastin konkret, institucionet shqiptare, pra, Gjykata jonë Kushtetuese, kishte arritur t’i jepte përgjigje pyetjes. Nuk ishim në një situatë, ku institucionet shqiptare ndiheshin pamjaftueshmërisht të afta për një përgjigje dhe kërkuam një ekspertizë shtesë.
Gjykata kushteteuse kishte dhënë një përgjigje shumë të qartë. Ishte vullneti i PS për të mos e ekzekutuar vendimin nr.1 të vitit 2023 dhe vendimin nr. 55 të vitit 2024 që kishte krijuar këtë situatë. Kuvendi u përpoq që, duke përdorur Komisionin e Venecias, ta zvarrisë këtë çështje, e cila ka filluar që në qershor 2022 me dy mocionet e dërguara nga deputetët e grupit parlamentar të PD. Kështu që, në situatën konkrete, nuk ka asnjë pengesë që Kuvendi të mblidhet dhe, një orë e më parë, të dërgojë mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, siç e kërkon vetë vendimi nr.55 i kësaj gjykate.
Gazeta Si: Çfarë mesazhi jepet me zvarritjen prej kaq kohësh të një çështje pa ndonjë rëndësi të madhe politike?
Av. Marash Logu: Duhet të qartësoj se Komisioni i Venecias ka rikonfirmuar atë që ka thënë më herët edhe Gjykata Kushtetuese se, kur vjen puna për zbatimin apo ekzekutimin e vendimarrjes së kësaj gjykate, kjo nuk është më një çështje e lirisë së vullnetit të deputetit, por deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ka detyrimin të respektojë kushtetutën, ligjin, vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata ku jemi është sa qesharake, aq dhe e rrezikshme për standardet e një shteti ligjor që aspiron anëtarësimin në BE. Deputetët, Kuvendi, që duhet të jenë modeli ekzemplar i Kushtetutës, ligjit dhe i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Për një vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, kjo është një situatë që nuk mund të ndodhë. Mund të ndodhë në vende ku shteti i së drejtës, standardet e të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit kanë problematika të mëdha, por nuk mund të ndodhë në Shqipërinë e vitit 2024. Prandaj, pas marrjes së këtij opinioni, situata është shumë e qartë: Kuvendi ka detyrimin që ta dërgojë mocionin e opozitës për deputeten Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ekziston më asnjë lloj justifikimi apo shkaku që kjo të pengohet.
Gazeta Si: Deri tani, maxhoranca nuk ka një plan publik për ta dërguar çështjen në Kushtetuese. Çfarë luhet politikisht dhe ligjërisht?
Av. Marash Logu: Ligjërisht, nuk mund të fshihen dot më. Të gjitha përpjekjet që ka bërë maxhoranca prej qershorit 2022 kanë qenë që këtë çështje ta zvarrisë sa të mundet për të fituar kohë në kurriz të Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Është e shkruar qartë në Kushtetutë se çështjet e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti nuk mund të shqyrtohen në 6 mujorin e fundit të përfundimit të mandatit të deputetit. Nëse maxhoranca do ta shtyjë këtë çështje deri në 10 mars 2025, Gjykata Kushtetuese, ligjërisht, është në pamundësi për ta shqyrtuar mocionin. Pra, është e qartë se PS po kërkon të blejë kohë përmes zvarritjes dhe lojës së fjalëve.
Politikisht, kjo zvarritje dhe shkelje e Kushtetutës nuk bëhet për të mbrojtur Olta Xhaçkën, por për të mbrojtur Edi Ramën, sepse vendimin për të shpallur investitor strategjik bashkëshortin e zonjës Xhaçka, asokohe Ministre, e ka firmosur kryeministri Edi Rama. Nëse, eventualisht, Gjykata Kushtetuese do të thoshte që vendimi për të shpallur investitor strategjik bashkëshortin e deputetes Xhaçka është në kundërshtim me Kushtetutën, kjo do të thotë, që Edi Rama, në fakt, ka marrë një vendim në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo e ngarkon me përgjegjësi ligjore dhe penale vetë kryeministrin. Kjo është arsyeja e vërtetë pse po dëgjojmë të thuhen çudira nga ana e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, madje më shumë nga ata që kanë një diplomë juristi.
Gazeta Si: Në të kaluarën, ka patur precedentë të vendimarrjes së Gjykatës Kushtetuese për mandatet e disa deputetëve. Do të përdoren nga ju këta precedent për të vazhduar betejën ligjore apo keni hequr dorë, duke parë qendrimin e PS-së?
Av.Marash Logu: Për rastin në fjalë, ne kemi dy vendime të Gjykayës Kushtetuese, në vitin 2023 dhe 2024, që e detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë në gjykatë mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Edhe njëherë, Gjykata, jo Kuvendi, është i vetmi institucion që mund ta shqyrtojë këtë çështje. Të mos harrojmë, se PS votoi fillimisht të mos e çonte fare në Gjykatën Kushtetuese mocionin e opozitës, me justifikimin se ata nuk mendonin se kishte shkelje. Ajo që PS duhet të thotë tani qartë, pa zvarritje, është nëse do ta respektojë këtë vendim të Gjykatës dhe opinionin e Venecias apo jo. Me këtë rast, PS, e cila trumbeton si arritje të sajën reformën në drejtësi, po na tregon se njeh dhe respekton vetëm ato vendime që i shkojnë për shtat apo kur ato godasin kundërshtarin politik, por i injorojnë sa herë vendoset vetë përballë përgjegjësisë ligjore. Siç ju e përmendni, kemi një rast në vitin 2011 me deputetin Ilir Beqaj.
Në atë kohë maxhorancë ishte PD dhe Parlamenti nuk i vonoi procedurat parlamentare, gjë që rezultoi me heqjen e mandatit të deputetit nga Gjykata Kushtetuese. Ka patur dhe një rast në vitin 2016, kur PS ishte në maxhorancë. Kemi të njëjtën Kushtetutë, të njëjtin ligj, të njëjtat vendime të Gjykatës Kushtetuese. PD kërkoi mocion për papajtueshmëri të mandatit për tre deputetë, Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Megjithëse bëri rezistencë për Koço Kokëdhimën, PS i çoi të tre mocionet në Gjykatën Kushtetuese. Në rastin e deputetit Kokëdhima, në vitin 2016, Gjykata vendosi se ai e ka shkelur Kushtetutën dhe duhet t’i ndërpritej mandati, siç ndodhi. Për dy të tjerët vendosi që Kushtetuta nuk ishte shkelur.
E njëjta gjë është kërkuar në këtë rast. Pse e paragjykon PS vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese? Nëse këta mendojnë se deputetja Olta Xhaçka nuk ka përfituar pasuri publike gjatë mandatit dhe s’ka shkelur Kushtetutën, nuk kanë arsye të shqetësohen, të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe të jetë kjo gjykatë që të japë fjalën e fundit.
Gazeta Si: A ka më hapësira ligjore për deputetët e PD-së që të kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Av. Marash Logu: Ne po shohim të gjitha mundësitë dhe do të marrim një vendim, por dua të bëj të qartë pikën ku Komisioni i Venecias e kufizon lirinë e deputetit për të marrë vendime. Është e vërtetë që Parlamenti ka të drejtën e tij të votojë sipas mënyrës që dëshiron. Është e vërtetë që ekziston në Opinion edhe fjalia ku ëhstë kapur PS, se, si rregull i përgjithshëm, deputeti është i lirë të votojë si të dojë, se nuk mund ta detyrosh të votojë jashtë vullnetit të tij, por Komisioni I Venecias shkruan e zeza mbi të bardhë se, nëse ka një ëvendim të Gjykatës Kushtetuese, ose siç kemi ne, në rastin konkret, 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese, liria e deputetit kufizohet për të vendosur në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Me lirinë e tij, të pretenduar si të pakufizuar nga PS, deputeti mund të çmendet dhe të thotë se ai ka të drejtë të shkelë edhe Kushtetutën, edhe ligjin, edhe vendimet gjyqësore. Por kjo nuk ndodh askund, pasi vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë finale dhe supreme. Për të bërë një analogji, sesa flagrante është sjellja e grupit parlamentar të PS, po ju sjell rastin e zotit Berisha. Zoti Berisha nuk respektoi një vendim të gjykatës së shkallës së parë, me argumentin se shkelej kushtetuta dhe zoti Berisha mori parasysh ndëshkimin më të rëndë, siç edhe u dha, për ta arrestuar me masën arrest në shtëpi. Deputetët e maxhorancës nuk respektojnë dy vendimet të Gjykatës Kushtetuese dhe asgjë nuk ndodh. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale dhe këta duhet të përballen me përgjegjësi ligjore dhe penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.