Keshilla

Bullizmi në shkolla/ Psikoterapistja Agushi: Ka 3 elementë si mund ta ndalojnë

Nga Gazeta Si - Prindërimi është sa i vështirë aq edhe sfidues por për Elvana Agushin, psikologe klinike dhe këshillimi, mjaftojnë 30 minuta në ditë për të rritur një fëmijë të shëndetshëm.

“Mënyra se si prindi prindëron është themelore në atë që individi bëhet. Një nënë më e relaksuar, është më e mirë dhe për fëmijën. Një prind nuk duhet të fokusohet te perfeksionizmi. Prindi duhet të jetë aty për t’i treguar fëmijës se është aty. Fëmija ka më shumë nevojë për praninë e prindit. Mjaftojnë dhe vetëm gjysmë ore produktive me fëmijën për të ndryshuar gjithçka", thotë Agushi, e cila ndër të tjera shton se fëmija nuk do ta dijë për të mirat materiale.

"Unë u them shpesh prindërve se janë fokusuar tek sigurimi i ekonomisë që më vonë të kenë para për të sjellë fëmijën tek unë si psikoterapiste. Duke u fokusuar vetëm tek e mira materiale, bëhesh një prind i pashëndetshëm për fëmijën dhe për partnerin”, thotë Agushi në podcastin “T’pa Thana” me Liridon Mulaj, duke shtuar se fëmija, duke i pasur të gjitha, harron të sfidojë veten nga ana sociale dhe gjithë kompetencën që e ka, nuk e përdor sepse është mësuar që të gjitha t’i ketë gati.

“Një fëmijë i rritur mirë nuk është gjithmonë i shëndetshëm”.

E pyetur nëse ka një këshillë për prindërit, Agushi thotë se është e njëjta për të gjithë ne, që duhet të mësojmë si të flasim më pak, të dëgjojmë më shumë dhe të flasim atëherë kur personi ka nevojë.

Sa ndikojnë traumat e fëmijërisë tek ne si “të rritur”?

“Nuk mund të themi se traumat nuk shërohen kurrë sepse një njeri që i njeh këto trauma është i hapur drejt një vete-je më të mirë. Traumat e fëmijërisë janë ato që na përcaktojnë sepse ne i lejojmë që të jenë aty. Nuk janë të pashërueshme. Çdo gjë që punohet shkon shumë mirë”, thotë Agushi.

Si një shembull, Agushi merr fjalët shënjuese që fëmijëve u thuhen nga personat më të afërt, që në përgjithësi janë “ti nuk mundesh”.

“Fjala është shënjuese dhe shënjimi ndikon se kush do jemi ne në të ardhmen. Ne burgosemi brenda fjalëve dhe na bëjnë kjo që jemi por është në dorën tonë të tregojmë se mundemi apo të ngelim pre e këtyre fjalëve”, shpjegon Agushi, e cila thotë se prindërit duhet të tregojnë shumë kujdes kur bisedojnë me fëmijët, ose më mirë, kur fëmija bisedon me të.

“Një këshillë për prindërit është: Mbani gjithmonë një vesh tek fëmija, tek ajo që ka për t’u thënë dhe nëse fëmija ‘rrëfehet’ tek ju, duhet të jeni shumë krenarë që e bën këtë”.

A mund ta ndalojmë bullizmin në shkolla?

“Unë bëhem shumë herë pjesë e leksioneve publike nëpër shkollat e Tiranës dhe në to unë kam shënuar 3 elementë se si mundet që bullizmi nëpër shkolla të minimizohet, sepse mundet”.

Niset gjithmonë tek bullizuesi. Ai që ka sjellje të tilla, mund të jetë ai produkt i një bullizmi diku. “Duhet të kuptojmë se ka diçka që nuk shkon tek njeriu që bën këtë sjellje”, shpjegon Agushi.

E dytë është se çfarë bëjmë ne, “ose heshtim, ose bëhemi me bullizuesin që sjellja të mos drejtohet ndaj nesh”.

Agushi shton edhe pikën e tretë që është raportimi i asaj që shohim.

“Duhet të punohet që fëmijët ta raportojnë tek mësuesi atë që shohin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë